PE paralajmëron Kosovën e Serbinë: Do të përballeni me pasoja nëse nuk zbatohen marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE

0
319

PE përmes një rezolute i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë, që me mirëbesim dhe frymë kompromisi t’i qasen vazhdimit të dialogut. BE-së po ashtu i bëhet thirrje që të ketë një qasje të re në rolin e ndërmjetësuesit.

Parlamenti Evropian përmes një rezolute paralajmëroi Kosovën e Serbinë për pasoja, nëse mungon zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Besueshmëria e Bashkimit Evropian dëmtohet nga mungesa e suksesit në dialogun Kosovë-Serbi, theksohet në rezolutë, duke i bërë thirrje BE-së, që ta ndryshojë qasjen në dialog në mënyrë që të ketë përparim.

“Ftojmë Bashkimin Evropian,  që të miratojë një qasje të re në ndërmjetësimin mes palëve në mënyrë që të tejkalohet ngecja aktuale. Rikujtojmë se dështimi i këtij dialogu po ashtu do të reflektojë në rolin e BE-së si një faktor i besueshëm në politikën e jashtme”, thuhet në rezolutën e miratuar të enjten në mbrëmje për rezultatet e politikës së jashtme dhe të sigurisë BE-së ku kërkohet rritje e  ndikimit të BE-së në botë dhe për një qasje më të vendosur edhe ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor.

BE: Të punohet për uljen e tensioneve

Në këtë rezolutë që përfshinë edhe një raport, përmendet edhe bashkëpunimi BE-SHBA, bashkëpunimi me NATO-n, forcimi i kapaciteteve evropiane të mbrojtjes, situata në rajonin e Ballkanit,  dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Për zhvillimet e muajve të fundit në Kosovë, “dënohet sulmi terrorist ndaj zyrtarëve policorë me 24 shtator në Banjskë të Republikës së Kosovës, si dhe provokimet e tjera”. “Të gjithë ata që kanë përgjegjësi për sulmet terroriste në veri të Kosovës duhet të sjellën përpara drejtësisë”, thuhet në rezolutë dhe nëse dëshmohet se Serbia kishte gisht në to, të ndërmerren masa kundër Qeverisë së Serbisë. Të dyja vendeve u kërkohet që të punojnë për t’i ulur tensionet dhe për të shmangur retorikën apo veprimet të cilat mund të krijojnë tensione të reja.

“Ftojmë Kosovën dhe Serbinë që t’i përkushtohen dialogut me besim të mirë dhe frymë të kompromisit në mënyrë që pa vonesa, të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, bazuar në njohjen e ndërsjellë, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, thuhet në rezolutë. Po ashtu përmes rezolutës paralajmërohen Kosova dhe  Serbia se “dështimi për të shënuar përparim në normalizimin e marrëdhënieve do të ketë ndikim negativ në integrimin e të dyja vendeve në Bashkimin Evropian”./DW