Flet Juliana Bregasi, drejtore menaxhuese, Direct Media
“Eventet sportive në formate të tilla si Kampionati Europian apo Kampionati Botëror, gjithmonë përfaqësojnë një zë të veçantë në buxhetimin dhe planifikimin e fushatave të komunikimit, duke sjellë në ekran edhe reklamues, të cilët në periudha normale i mungojnë ekranit te madh”, pohon Juliana Bregasi, drejtore menaxhuese, “Direct Media”.
Ajo përmend rastin e Kampionatit Botëror Katar 2022, ku edhe pse periudha e transmetimit ishte jashtë standardes, numri i reklamuesve ishte i madh.
Cila ka qenë ecuria e tregut të reklamave në periudhën e fundit, nëse ka ndryshime në kanalet e komunikimit dhe nëse këto ndryshime janë reflektuar në rialokime buxhetesh?
Tregu i reklamave në vendin tonë përgjithësisht paraqet një trend rritës, kjo e krahasuar me situatën para dhe gjatë COVID-19.
Televizioni vazhdon të qëndrojë si media më dominuese në terma të alokimit të buxheteve nga reklamuesit, kryesisht për shkak të mbulimit të gjerë që ofron, afinitetit me target-grupin, por edhe nga larmishmëria në përmbajtje, si dhe produksionet premium që televizionet kombëtare në veçanti kanë krijuar vitet e fundit si “Big Brother VIP”, “Dance with Me”, “Dancing with the stars”, “X Factor”, “Këngë Moj”, etj.
Në vitet e fundit, për shkak edhe të fokusit në mediat dixhitale dhe kalimit në format elektronik të shumicës së medias së shkruar, situata për Print është me një trend rënës nga viti në vit. Reklamat në “outdoor”, vazhdojnë të zënë një pjesë të mirë të buxheteve të komunikimit, tashmë edhe me formate të reja, si ekranet dixhitale kryesisht në kryeqytet.
Për sa i përket Radios, ky medium ka një sezonalitet specifik dhe gjithashtu operon me çmime ende të favorshme, duke u mundësuar edhe reklamuesve të vegjël hapësirë për të komunikuar produktet e tyre, veçanërisht në periudhën e verës, kur TV ka mbyllur sezonin dhe audienca duhet arritur me mjete të tjera komunikimi si Radio dhe mediat dixhitale.
Si e shihni interesin për investime buxhetesh marketingu në evente sportive? (A ka një trend në rritje…?)
Eventet sportive në formate të tilla si Kampionati Europian apo Kampionati Botëror gjithmonë përfaqësojnë një zë të veçantë në buxhetimin dhe planifikimin e fushatave të komunikimit, duke sjellë në ekran edhe reklamues, të cilët në periudha normale i mungojnë ekranit te madh.
Mund të përmendim këtu rastin e Kampionatit Botëror Katar 2022, ku edhe pse periudha e transmetimit ishte jashtë standardes, numri i reklamuesve ishte i madh.
Çfarë i motivon subjektet tregtare që të alokojnë buxhete reklamimi në evente sportive, kryesisht futbollin?
Nisur nga fakti se futbolli është sporti më i preferuar në vendin tonë, si dhe sjelljen e konsumatorëve shqiptarë, të cilët preferojnë që pasditen ta kalojnë në shoqërinë e miqve dhe familjarëve jashtë ambienteve të tyre të banimit apo të mblidhen në grupe për të ndjekur ekipin e zemrës, kjo bën që kërkesa e markave për ekspozim gjatë këtyre kompeticioneve të rritet ndjeshëm.
Nuk mund të mbetet pa u përmendur fakti se Kombëtarja jonë është pjesëmarrëse në këtë kampionat, e cila në mënyrë të drejtpërdrejtë do të rrisë interesin e audiencës dhe të reklamuesve lokalë gjithashtu.
Si e sa e parashikoni ngarkesën ju si agjenci në kuadër të një eventi si UEFA Euro 2024? (shërbime agjencie për shportën tuaj, fushata komunikimi, përgatitje materialesh kreative, media buying, etj.)
Për sa i përket UEFA Euro 2024, pritshmëritë për tregun e reklamave janë të larta, ndikuar nga fakti që kampionati do të transmetohet në fillim vere, gjë e cila favorizon edhe më shumë krijimin e aktiviteteve outdoor dhe fun zones të dedikuara për tifozët, ku reklamues me produkte specifike, si pije alkoolike dhe joalkoolike, snacks, shërbime dhe jo vetëm krijojnë oferta të posaçme ose të asociuara me këtë event.
Kryesisht agjencitë e marketingut, duke përfshirë edhe agjencinë tonë presin një rritje të fluksit të punës për shkak të eventeve të kësaj natyre. Gjithsesi, eksperienca disavjeçare e agjencisë bën të mundur mirëmenaxhimin e fluksit në mënyrën më eficiente dhe sipas interesave të klientit, qofshin këto fushata ATL apo BTL. Monitor