Ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Peter Navarro, u paraqit në burg të martën për të kryer një dënim prej katër muajsh.
Ai u shpall fajtor për shpërfillje të Kongresit, duke u bërë zyrtari i parë i lartë që shërbeu gjatë administratës së Presidentit Trump që burgoset për një krim që ka lidhje me trazirat e 6 janarit 2021 në ndërtesën e Kongresit amerikan. Navarro u dënua me katër muaj burg për kundërshtimin e një fletëthirrje për të dëshmuar dhe dorëzuar dokumente para një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve që hetoi trazirat e vitit 2021 në Kapitol nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump.
Përpara se të dorëzohej në një burg federal në Majami, zoti Navarro tha për gazetarët se dënimi i tij “tregonte shfrytëzimin e sistemit gjyqësor për qëllime politike”. Ai ka mbajtur qëndrimin se nuk mund të bashkëpunonte me komisionin pasi ish Presidenti Trump kishte imunitetin e degës ekzekutive. Por gjykatat e kanë hedhur poshtë këtë argument, duke thënë se zoti Navarro nuk mund ta provonte pretendimin e tij.
“Kur të paraqitem sot në atë burg, sistemi i sotëm i drejtësisë do t’i ketë bërë një goditje gjymtuese ndarjes kushtetuese të pushteteve dhe privilegjit të ekzekutivit”, tha zoti Navarro për gazetarët. Pas votimit në Florida të martën, Trump u pyet për rastin e zotit Navarro.
“Ai është një njeri i mirë. Ai u trajtua shumë padrejtësisht”, tha zoti Trump, duke e quajtur atë një “patriot të madh” dhe vlerësuar punën e tij në negociatat tregtare me Kinën. “Administrata e Presidentit Biden e trajtoi atë shumë keq. Është e turpshme, por kështu është.”
Navarro, i cili shërbeu si këshilltar tregtar i Shtëpisë së Bardhë nën Presidentin Trump, u thirr për të dëshmuar nga një komision i Dhomës së Përfaqësuesve lidhur me nxitjen e pretendimeve të rreme për manipulime në votimet e vitit 2020 në prag të trazirave në ndërtesën e Kongresit. Navarro kishte kërkuar të qëndronte jashtë burgut, ndërsa ai apelon dënimin për t’u dhënë gjykatave kohë për të shqyrtuar sfidën e tij. Por gjykata federale e apelit në Uashington e mohoi kërkesën e tij, duke thënë se apeli nuk kishte gjasa ta ndryshonte vendimin për dënimin e tij.
Kryetari i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, John Roberts, refuzoi të hënën që të përfshihej në çështje, duke thënë në një deklaratë me shkrim se ai nuk kishte “ baza për të mos u pajtuar” me gjykatën e apelit. Roberts tha se kjo nuk ndikon në rezultatin përfundimtar të apelit të Navarro.
Navarro është ndihmësi i dytë i zotit Trump i dënuar për shpërfillje ndaj Kongresit. Ish këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, u dënua më parë me katër muaj burg, por një gjykatës tjetër e lejoi atë të qëndronte i lirë në pritje të vendimit të apelit. Një komision i Dhomës së Përfaqësuesve zhvilloi hetime 18 mujore lidhur me trazirat në ndërtesën e Kongresit, duke intervistuar mbi 1 mijë dëshmitarë, zhvilluar 10 seanca dëgjimore dhe siguruar dokumente që tejkalojnë mbi 1 milion faqe.
Në raportin e tij përfundimtar, komisioni arriti në përfundimin se zoti Trump u përfshi në mënyrë kriminale në një “komplot shumëpjesësh” për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve dhe dështoi të vepronte për të ndaluar mbështetësit e tij që të sulmonin Kapitolin. Prokurori i posaçëm Jack Smith ka ngritur akuza ndaj zotit Trump për komplot për të përmbysur humbjen e tij në zgjedhjet e vitit 2020 përballë demokratit Joe Biden. Kjo çështje është në pritje ndërsa Gjykata e Lartë peshon pretendimin e zotit Trump se gëzon imunitet nga ndjekja penale. Gjykata e Lartë ka në plan të dëgjojë argumentet për këtë çështje muajin e ardhshëm.