Nga Neritan Vladi
Ndryshimi vezullues mes kryeministrit në detyrë dhe kryeministrit në ardhje mbrëmë ne media.
Mbrëmë në media në emisionet e darkës ndër më të shikuarat ishin dy nga protagonistët e politikës shqiptare që si individ kanë dallime thelbësore me njëri-tjetrin. Ndryshojnë në çdo drejtim.
Njëri (Rama) është i nomeklaturës komuniste si trashëgimtar i saj, por dhe një nga tre brinjët e trekëndëshit të Bermundës së politikës shqiptare që i ka dhënë kosto vendit në këto 33 vite, tjetri (Basha) është një i shkolluar në perëndim dhe pa asnjë lidhje me të shkuarën e zezë të diktaturës, por as mëkatar i tranzicionit.
Sërish mbrëmë, mënyra se si të dy iu drejtuan publikut me mesazhet e tyre kishte një ndryshim të qartë.
Rama fliste si kodra pas bregut si të ishte lider opozite duke premtuar, kur ndërkohë në 11 vite në detyrën e kryeministrit ajo çfarë thoshte duhet të ishte bërë. Rama fliste me tonin e politikës së vjetër, gjithë mllef dhe konflikt siç kanë bërë në fakt së bashku me dy brinjët e tjera të trekëndëshit, herë si presion, e herë si pakt ndaj njëri-tjetrit, për të mbajtur peng vendin përmes kësaj politike, dhe ia kanë dal përmes tifozëve të tyre duke mbajtur larg kutive të votimit shumicën e shqiptarëve.
Rama ishte në mbrojtje të zullumeve të tij dhe korporatës politike që drejton përballë skandalesh të pafundme, të cilat tashmë janë dhe do të jenë objekt i drejtësisë së re e kryesisht SPAK. Eshtë pikërisht kjo frikë që ka Rama sepse i kanë ngrënë dardhat pas krahëve që e detyroi sërish t’i kthehet paktit publik sepse i nëndheshëm ka qenë, me brinjët e tjera të trekëndëshit, si presion ndaj SPAK dhe ndërkombëtarëve.
Lideri i opozitës dhe kryeministri në ardhje, Lulzim Basha mbrëmë kishte tjetër qasje. Ishte proqytetare, euroatlantiste dhe e një kulture të re politike që tashmë pritet nga qytetarët dhe do t’i bënte mirë Shqipërisë.
Basha mbrëmë sërish shprehu qartësinë që ndryshimet politike në vend i duhen besuar votës qytetare e cila të ketë peshë të njëjtë kudo dhe për këtë PD ka depozituar në Kuvend ndryshimet për Kodin Zgjedhor gjë që frikësoi dy personazhet e paktit ogurzi të 2008 të ndryshimeve kushtetuese.
Basha dhe PD kanë propozuar; lista tërësisht të hapura, votim elektronik dhe votim të diasporës si dhe ndryshim të sistemit në 1 zonë zgjedhore. Ky sistem do t’i jepte peshën e duhur votës së çdo qytetari i cili do të ndihej i përfaqësuar.
Basha ishte i qartë në linjën; mbështetje pa kushte drejtësisë, mos mbrojtjen e asnjë të korruptuari dhe marrëdhënie të ngushtë me aleatët perëndimore duke nënvizuar marrëdhënie të shkëlqyer me SHBA, Britani e Madhe dhe BE.
Gjuha politike e Lulzim Bashës në studio ishte ajo e një politikani perëndimor, e një vizionari, larg mllefesh, por e një personi të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm në atë që kërkon dhe pret të arrij fal mbështetjes të qytetarëve shqiptare dhe aleatëve.
Gjuha e urrejtjes të çon në konflikt që nuk prodhon asgjë. Idetë, mendimi, të debatuarit në politikë çon në progres dhe në zhvillimin e Shqipërisë.
Lulzim Basha garantoi mbrëmë se PD ka një program realist dhe të zbatueshëm me një ekip profesionistësh me integritet dhe të pakorruptuar, jo të kapur nga sistemi me të cilin mund të ndryshojë Shqipërinë.
Kontrasti ishte i qartë. Kjo alternativë i duhet opozitës dhe shqiptarëve.