Pas miratimit në qeveri të paketës anti-shpifje, para tre ditëve, një tjetër projektligj i dyshimtë nga qëllimi dhe kufizimi i të drejtave dhe lirive të njeriut është miratuar, pak kohë më parë, nga qeveria dhe tani është në shqyrtim në Kuvend.
Projektligji mbi Rininë shprehet se ka për synim plotësimin e kuadrit ligjor për të siguruar zbatimin e të drejtave të të rinjve, të cilët citohen si kategori që gëzon, së bashku me fëmijët, mbrojtje të veçantë nga Kushtetuta.
Përtej këtij deklarimi të mirë, përmbajtja e ligjit nuk trajton aspak kushtet e të rinjve apo të drejtat e tyre. Për shembull, projektligji nuk trajton fare çështje të arsimit apo çështje të punësimitt, ë cilat janë shqetësimet kryesore të të rinjve.
Në pjesën më të madhe të tij, projektiligji kujdeset vetëm për krijimin e disa strukturave institucionale dhe burokratike për kontrollin e çdo gjëje që ka të bëjë me rininë.
Ligji synon të themelojë Këshillin Kombëtar Rinor dhe Këshillet Vendore Rinore, si organe të kushtuara ndaj problematikave të të rinjëve, të cilat do të marrin rol këshillues pranë ministrive dhe bashkive. Këto organe nuk kryesohen nga të rinj, por nga ministrat dhe kryebashkiakët.
Po ashtu ligji synon të krijojë (Neni 13) Organizatën Kombëtare Përfaqësuese Rinore, e cila duhet të përfshijë nën ombrellën e saj mbi 30 organizata rinore jofitimprurëse, të cilat duhet të shtrihen në 70 për qind të bashkive për t’u pranuar si pjesë e organizatës. Kjo organizatë është një e vetme dhe zgjidhet nga Ministria e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë.
Projektligji nuk përcakton asnjë funksion të organizatës dhe nuk dihet çfarë roli do të marrë ajo dhe si do të ndërveprojë me strukturat e tjera rinore. Ajo nuk ka rol këshillues, sepse këtë rol projektligji ja ka rezervuar këshillave pranë ministrive dhe bashkive, që kemi sqaruar më sipër; ajo nuk mund të përfaqësojë Shqipërinë në nivel ndërkombëtar për çështjet e rinisë sepse projektligji (Neni 5) ia delegon këtë rol Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë.
Në kushtet kur qeveria ka shtënë në dorë një pjesë të mirë të shoqërisë civile dhe kontrollon financimin që ato marrin nga shteti, nuk do të ishte e çuditshme sikur një pjesë e këtyre organizatave t’i bashkohen organizatave rinore të partive qeverisëse, përfshi FRESSH, në mënyrë që të hiqen sikur përfaqësojnë të rinjtë, të flasin në emër të tyre dhe të thithin fondet e dedikuara për këtë kategori.
Nëse një gjë e tillë ndodh, Shqipëria do të përjetojë rikthimin de facto në jetën publike të organizatave të partisë, që përdoreshin si instrument për kufizimin e lirive të hsprehjes dhe lirive politike të njerëzve.
Neni 5 i projektligjit i jep Ministrisë së Arsimit, Sporteve dhe Rinisë kontroll të plotë mbi artikulimin e problemeve të të rinjve, përfshi kontrollin mbi organizatat e shoqërisë civile, si nëpërmjet financimit, edhe nëpërmjet favorizimit të OJQ-ve mike të qeverisë—përfshi edhe organizatat rinore pranë koalicionit qeverisës—apo nëpërmjet krijimit të organizatave rinore fiktive.
Projektligji është kundërshtuar ashpër nga Kongresi Rinor Kombëtar, i cili përbëhet nga njerëz dhe organizata të afërta me qeverinë dhe kryebashkiakun Veliaj. Në 3 korrik ata ka qënë pjesë e një seance dëgjimore për këtë ligj në Kongresin Kombëtar të Integrimit për të dhënë propozimet e tyre.
Akoma më herët ka qënë Rrjeti Kombëtar i të Rinjve, i cili ka paraqitur një projektligj më vete, ku, siç e kemi trajtuar në një artikull më parë, është kërkuar vendosja e një Avokati të Popullit për të rinjtë, e një Koordinatori Kombëtar, rritje e buxhetit për këtë kategori dhe vendosjen e kuotave të përfaqësimit në Parlament dhe instancat e tjera vendimmarrëse. Edhe ky propozim nuk është marr parasysh.
Të dyja këto organizata shërbëjnë si ombrellë për më shumë se 100 organizata jofitimprurëse bashkarisht.
Kritikat lidhen me faktin se ndonëse në seancat dëgjimore Ministrja Besa Shahini u ka premtuar si gojarisht dhe me shkrim se sugjerimet e tyre do të merren parasysh, asgjë nuk është pasqyruar në draftin përfundimtar.
Kongresi Rinor Kombëtar ka publikuar sot një letër të hapur drejtuar Kryeminsitrit Rama ku përveçse shprehet se asnjë nga rekomandimet e tij nuk është marrë parasysh, ka kërkuar heqjen e nenit 13, i cili cënon parimet e përfaqësimi të lirë dhe pavarësisë, duke vendosur nën kontroll shtetëror gjithë organizatat e shoqërisë civile të cilat merret me problemet e të rinjve.
Hartimi i këtij projektligji, fill mbas protestave masive të studentëve, krijon dyshime të arsyeshme se ndërsa në dukje jep qeveria po kërkon të japë përshtypjen se i ka të rinjtë në vëmendje, në të vërtetë ajo po synon të kontrollojë të gjitha strukturat e përfaqësimit të tyre, për të parandaluar ndoshta revolta të ngjashme me ato të dhjetorit./EXIT.AL