Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, është shprehur i pakënaqur për atë që ka parë nga ekipi në fushën e lojës në ndeshjen e sotme, sidomos në minutat e parë të sfidës.
“Në 25 minutat e parë nuk kemi bërë asgjë mirë. Na na mungoi intensiteti, kjo është fjala e duhur. Nuk më pëlqeu aspak. Ne jemi skuadër që duhet të bëjmë 90 minuta luftë, nëse mungojnë 25 minuta… Por pas golit nisëm të luajmë dhe hymë në lojë. Jam i inatosur për golin e dytë dhe të tretë, skuadra duhet të jetë në lojë gjithmonë. Është një nivel i lartë që shkojmë të luajmë dhe duhet ta kuptojmë shpejt këtë.
Ne nuk kemi titullarë fiks, kombëtarja është e hapur. Lojtarët që nuk vrapojnë, nuk vijnë me ne. Ne jemi shpirt, zemër. Kjo është pse kemi bërë mirë, ne kemi një drejtim në të cilin duhet të shkojmë. E vërtetë që për shumë prej tyre është moment i vështirë, por lojtarët duhet të përfitojnë nga momenti. Kemi 23 lojtarë dhe nuk është e lehtë për të gjithë.
Kombëtarja është kështu, koha është e artë, është e vështirë. Nuk është e lehtë të vlerësosh një lojtar. Unë kam bërë futbollistin, nuk është e lehtë të gjykosh një lojtar për 45 minuta apo 90. Është pak kohë. Por nuk ka rrugë tjetër, ka dy ndeshje tani, ka një ndeshje me Suedinë e më pas duhet të bëjmë listën për Europianin.
Kili është një skuadër e një niveli të lartë, historia e saj është me lojtarë teknikë, agresivë. Isla, Vargas, Sançez, Diaz, Bravo, janë lojtarë të cilët bëjnë Botërorë. Shumë prej tyre kanë fituar dy Kupa Amerike. Është një nivel i lartë dhe lojtarët tanë e dinë që do të shkojmë të luajmë një nivel të lartë.
Duhet të shoh edhe një herë ndeshjen. E përsërit që nuk është e thjeshtë të gjykosh një lojtar për kaq minuta, as në stërvitje. Ne kemi një tjetër ndeshje shumë të vështirë, kur të kthehemi në Tiranë nga aty do të mendojmë vetëm për Europianin”, tha Silvinjo për “SuperSport” pas sfidës.