Numri i viktimave nga sulmi terrorist në Moskë ka shkuar në 133, ndërsa në mesin e të vdekurve raportohet se janë të paktën 3 fëmijë.
Në një postim në aplikacionin Telegram, Komiteti informon se shërbimet e urgjencës që po pastrojnë rrënojat në vendin ku po zhvillohej koncerti kanë gjetur më shumë trupa të vdekur, duke shtuar se kërkimet po vazhdojnë.
Qindra të tjerë raportohen se kanë mbetur të plagosur pasi persona të armatosur qëlluan me armë në një koncert rock-u në Crocus City Hall në një periferi të Moskës, thotë inteligjenca ruse.
Në një deklaratë të mëparshme nga Komiteti Hetimor, u tha se personat e armatosur përdorën “lëng të ndezshëm” për t’i vënë zjarrin sallës së koncerteve ndërsa njerëzit ishin ende brenda.
Aktualisht po kryhen ekzaminime balistike, gjenetike dhe gjurmë gishtash. Në një deklaratë të veçantë, departamenti rus i shëndetësisë tha se të paktën katër fëmijë ishin në spital.
Ndërsa media shtetërore deklaroi se në mesin e të vdekurve kishte tre fëmijë. Ndërkohë raportohet se pas sulmit terrorist, që është marrë përsipër nga ISIS, janë arrestuar 11 persona mes të cilëve edhe 4 autorët që shkaktuan masakrën.
Presidenti Vladimir Putin ende nuk i është drejtuar drejtpërdrejt popullit rus për sulmin e së premtes (22 mars).
Megjithatë, agjencia shtetërore ruse e lajmeve Tass raportoi se zëvendëskryeministrja Tatyana Golikova ka deklaruar se lideri rus u ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve në sulm.
“Presidenti u uroi të gjithëve një shërim të shpejtë dhe përcolli mirënjohjen e tij për mjekët”, citohet të ketë thënë Golikova pas takimit me të.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se paralajmëroi autoritetet ruse në fillim të muajit mars për një sulm në Moskë.
“Në fillim të këtij muaji, qeveria amerikane kishte informacione për një sulm të planifikuar terrorist në Moskë – që mund të synonte tubime të mëdha, për të përfshirë koncerte”, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare Adrienne Watson.
Uashingtoni “e ndau këtë informacion me autoritetet ruse”, shtoi ajo.
Por Kremlini i hodhi poshtë këto paralajmërime duke i konsideruar si “propagandë”, edhe pasi SHBA-ja bëri publike shqetësimet e saj për amerikanët që qëndrojnë në Rusi, raporton BBC.