BallinaEkonomiProjekteve që u vishet petku i ‘turizmit me 5 yje’ mund të...

Projekteve që u vishet petku i ‘turizmit me 5 yje’ mund të kafshojnë parqet, analiza: Çfarë mund të ndodhë me zonat e (pa)mbrojtura

spot_img
spot_img

Ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura, që nga qeveria u argumentuan se sjellin mbrojtje më strikte për këto zona, në fakt, nëse i sheh nen pas neni, konstaton se rrisin fleksibilitetin për të ndërhyrë në to. Por çfarë sjell konkretisht ky ndryshim për zonat e (pa)mbrojtura?

“Zonë e mbrojtur” është një hapësirë tokësore, ujore, detare e bregdetare, e përcaktuar qartë gjeografikisht, e njohur, me kufij të qartë fizikë dhe e menaxhuar nëpërmjet mjeteve ligjore apo mjeteve të tjera të efektshme, për të arritur ruajtjen/mbrojtjen afatgjatë të natyrës, e lidhur me shërbimet e ekosistemit dhe të vlerave kulturore”. Ky është termi që sqaron atë se çfarë quhet zonë e mbrojtur në ligjin e posaçëm për to.

Së fundmi, ligji pësoi disa ndryshime që pas dekretimit nga Presidenti i Republikës dhe publikimit në QBZ, pritet të hyjë në fuqi në fillim të muajit prill. Ndryshimet, që nga qeveria u argumentuan se sjellin mbrojtje më strikte për këto zona, në fakt, nëse i sheh nen pas neni, konstaton se rrisin fleksibilitetin për të ndërhyrë në këto zona. Por çfarë sjell konkretisht ky ndryshim për zonat e (pa)mbrojtura?

Projekteve që u vishet petku i turizmit me 5 yje mund të kafshojnë parqet

Ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura shtojnë disa koncepte të reja, që ndezin dritën e gjelbër për projektet e turizmit. Problemi në këtë rast nuk është zhvillimi i këtyre projekteve, por mënyra evazive sesi mund të vlerësohet se këto projekte përmbushin kushtet. Konkretisht në ligj shtohet koncepti “turizëm i ekselencë”.

“Në kuptim të këtij ligji është lloji i turizmit, i cili ofron akomodim në struktura me standardet më të larta arkitektonike e mjedisore, si dhe shërbime turistike ekskluzive të nivelit më të lartë”, thuhet në shpjegimin e termit. Pikëpyetja në këtë rast është çfarë cilësohet strukturë me standarde më të larta arkitektonike dhe mjedisore. Cilët janë treguesit që do të vendosin këtë standard dhe cilat janë shërbimet ekskluzive.

Së dyti, sërish te konceptet, kemi zgjerimin nga veprimtari tradicionale dhe ekoturistike në “ekonomike dhe turistike, duke përputhur objektivin e mbrojtjes, efektivitetit dhe përshtatshmërisë, me veçoritë që paraqet zona e mbrojtur ose nënzona”.

Së treti shtohen dy koncepte të reja, zonë natyrore e pashqetësuar dhe pak e shqetësuar që sërish kjo e fundit nxit veprimtaritë njerëzore dhe projekte.

Momenti më i mirë i turizmit në vend duket se po i shërben qeverisë që, nën petkun e këtij të fundit, të zgjerojë zhvillimin e projekteve në zona të mbrojtura. Konkretisht këtë, ligji e qartëson te neni 16, ku në pikën 2, pjesa hyrëse sanksionon se lejohen ndërtimet e strukturave me 5 yje. Kjo pikë më herët nënvizonte se në “Parkun kombëtar” zbatohet shkalla e mbrojtjes mjedisore të zonës që ka si objektiv të mbajë territorin në gjendje natyrore, ku të ruhen komunitetet biotike, të resurseve gjenetike dhe llojeve për të siguruar stabilitetin ekologjik dhe diversitetin.

Me ndryshimet e fundit thuhet “Në ‘Parkun kombëtar’, me përjashtim të infrastrukturës dhe veprimtarive të mikpritjes, me standardet më të larta arkitektonike dhe mjedisore për mbështetjen e turizmit të ekselencës (me 5 yje) dhe infrastrukturës mbështetëse për to, sipas parashikimeve të nenit 33 të këtij ligji, zbatohet shkalla e mbrojtjes mjedisore të zonës që ka si objektiv të mbajë territorin në gjendje natyrore, ku të ruhen komunitetet biotike, të resurseve gjenetike dhe llojeve për të siguruar stabilitetin ekologjik dhe diversitetin.

Zgjerohet lista e parimeve, por a i shërben kjo mbrojtjes?

Menaxhimi i zonave të mbrojtura, sipas ligjit të vjetër, bëhej në bazë të katër parimeve të lidhura me zhvillimin e qëndrueshëm, integrimit, “ndotësi paguan” dhe parandalimit dhe marrjes së masave paraprake.

Kësaj liste tashmë i janë shtuar edhe tre parime të reja, që në logjikë supozohet se duhet të garantojnë mbrojtje më të madhe, por shtjellimi i tyre në fakt lë hapësira për të kundërtën.

Parimi i pestë është ai i përshtatshmërisë. Kategoria e një zone të mbrojtur duhet të ndryshohet nëse nga vlerësimi i saj në një kohë të dhënë rezulton se karakteristikat dhe objektivat për të cilat zona e mbrojtur është shpallur nuk përputhen me ato të kategorisë së caktuar.

Së gjashti, parimi i kategorizimit sipas objektivave që sipas këtij ligji duhet të kryhet në përputhje me objektivat kryesorë të shpalljes të secilës kategori të zonave të mbrojtura.

Së fundmi, parimi i fleksibilitetit të menaxhimit. Zonat e mbrojtura menaxhohen sipas çdo forme menaxhimi/administrimi, në përputhje me parashikimet e këtij ligji.

Një tjetër element që ndryshon me ligjin e ri është në nenet 9 dhe 10, ku specifikisht kërkohet që të shihen mundësitë e zhvillimit të aktiviteteve ekonomike.

Veprimtaritë në zonat e mbrojtura, “në dorë të qeverisë”

Veprimtaritë që mund të ushtrohen në zonat e mbrojtura të përcaktuara në nenin 33 të ligjit duket se kanë ndryshuar totalisht në formulim, në raport me atë që ishin në ligjin e vjetër.

Ajo që bie në sy në listën e re të veprimtarive është fakti se tashmë, qeveria ka në dorë që, në bazë të vendimeve të saj të shpalljes së zonës së mbrojtur të vendosë dhe zhvillimin që mund të marrë ajo. Por cilat janë këto veprimtari?

Së pari, veprimtaritë e përcaktuara në VKM-në e shpalljes së zonës së mbrojtur dhe të zbatuara sipas kritereve të miratuara me rregullore të posaçme të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Së dyti, veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të ekselencës, 5 yje ose më shumë, në fushën e turizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse ose në funksion të tyre pavarësisht nëse kjo përcaktohet në VKM-në e shpalljes së zonës së mbrojtur.

Së treti, veprimtaritë e zhvilluara në struktura akomoduese të agroturizmit dhe çdo veprimtari/infrastrukturë tjetër mbështetëse ose në funksion të tyre, pavarësisht nëse kjo përcaktohet në vendimin e shpalljes së zonës së mbrojtur.

Së katërti, veprimtaritë me qëllim të monitorimit të gjendjes mjedisore, të ekosistemit, të habitateve dhe të llojeve floristike e faunistike.

Së pesti, çdo veprimtari që lidhet me ndërhyrjet e nevojshme ose urgjente për përmirësimin e biodiversitetit, rigjenerimit ose shëndetësimit, ose çdo veprimtari tjetër për këtë qëllim.
Së gjashti, veprimtaritë ushtarake, të cilat mund të ushtrohen pasi të jenë pajisur me leje mjedisore. Një tjetër element që duket se sërish është në dorën e qeverisë është ndryshimi i elementëve tekniko-formalë, një nen i ri ky sa u takon vendimeve për shpalljen e zonave të mbrojtura.

Konkretisht pas nenit 36, shtohet neni 36/1, i cili nënvizon se miratimi i ndryshimit të elementeve tekniko-formale të vendimit të shpalljes së zonës së mbrojtur si emërtimi, institucioni menaxhues, zonimi dhe nënzonimi, si dhe tipologjia e veprimtarive të lejuara dhe të ndaluara për zonën e mbrojtur ose secilën nënzonë të saj bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrit përgjegjës për zonat e mbrojtura, ku argumentohet nevoja e ndryshimit konkret që do të përmirësojë rrjetin dhe mbrojtjen e zonës, pas marrjes së vendimit të KKT-së në rastin e ndryshimit të zonimit dhe nënzonimit. Në rastet e parashikimeve të pikave 2, 3 dhe 4 të nenit 33, miratimi i rregullave dhe kritereve teknike të zhvillimit nga ana e KKT-së konsiderohet akt i ndryshimit.”

Më shumë administratë për zonat e mbrojtura

Ligji me ndryshimet e reja sjell një tjetër hallkë institucionale për zonat e mbrojtura. Deri më tani ishte vetëm Agjencia Kombëtare për Zonat e Mbrojtura, ndërkohë që pas nenit 39, shtohet neni 39/1 që shton Zyrën e Administrimit të Parqeve Kombëtare.

Ky i fundit është institucion tekniko-administrativ në varësi të ministrisë përgjegjëse për zonat e mbrojtura, i organizuar në nivel qendror dhe rajonal, që ushtron veprimtari brenda territorit gjeografik të zonës së mbrojtur “Park kombëtar”, territori i veprimtarisë së të cilës përcaktohet në vendimin e Këshillit të Ministrave për krijimin e saj. ZAPK-të, brenda territorit të veprimtarisë së tyre, ushtrojnë kompetenca administrimi, si dhe miratojnë në koordinim me AKZM-në propozimet për plane menaxhimi në përputhje me parashikimet e këtij ligji.

Planet e menaxhimit, projektet restauruese dhe konservuese, projektet kërkimore-shkencore të ZAPK-ve shqyrtohen, koordinohen me AKZM-në dhe miratohen nga ministri përgjegjës për zonat e mbrojtura, në përputhje me natyrën, masën dhe nevojat e zonës së mbrojtur./Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular