BallinaKultureRomani i fundit i Gabriel García Márquez, djali shpjegon arsyet e vendimit...

Romani i fundit i Gabriel García Márquez, djali shpjegon arsyet e vendimit kundër dëshirës së tij

spot_img
spot_img

Gabriel Garcia Marquez ndërroi jetë një dekadë më parë, por një roman i shkurtër i autorit që popullarizoi zhanrin e “realizmit magjik” të Amerikës Latine, është botuar së fundmi kundër dëshirës së tij.

I titulluar “Deri në Gusht”, kjo vepër artistike u botua në spanjisht më 6 Mars, që është edhe ditëlindja e shkrimitarit të njohur. Në një intervistë për gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters djali i tij shpjegon se shkrimtarit iu desh shumë kohë për ta realizuar atë.

“Ai e punoi për një kohë të gjatë. Unë do të thosha më gjatë se sa do të duhej, veçanërisht për një libër të shkurtër, por mendoj se kjo ishte një shenjë se në fakt ai po humbiste pak nga pak aftësitë e tij dhe kujtesën”, shprehet ai.

Djemtë  e tij shkruajnë në parathënie të librit se babai i tyre, i njohur me dashuri si “Gabo”, kishte qenë në “një garë midis perfeksionizmit të tij artistik dhe aftësive të tij mendore që po zhdukeshin”.

Gjithçka që ata dinin, shkruajnë ata, ishte gjykimi përfundimtar i Gabos: “Ky libër nuk funksionon. Duhej të shkatërrohej.”

Duke justifikuar vendimin e tyre për të botuar, djali i García Márquez, Gonzalo  thotë se babai i tij nuk ishte në gjendje të gjykonte punën e tij pasi ai mund të shihte vetëm të metat, por jo gjërat interesante që ishin aty.

“Unë mendoj se ajo që ndodhi ishte kjo se ai e rishikonte tekstin disa herë. Dhe pas këtij procesi të gjatë ai gjithmonë shprehej në fund si, ‘Oh, ky libër nuk bën. Ne duhet ta shkatërrojmë atë. Nuk ka kuptim’. Por ai më pas do t’i kthehej sërish. Dhe mendoj se herët e fundit që ai iu rikthye, teoria jonë është se ai as nuk mund ta kuptonte atë. E dini, babai im arriti në pikën ku ai nuk mund të lexonte as një faqe të shkruar. Por ai nuk e shkatërroi atë.”

Pavarësisht se i ati nuk dëshironte që libri të botohej familja e tij vlerëson se një libër i tillë lexuesit i duhet për disa arsye.

“Ishte një periudhë e vështirë vendimmarrjeje, por në fund, menduam se ia vlente të lexohej. E dini, është një  vlerësim i mirë për punën e tij, edhe nëse nuk është një nga librat e tij të mrekullueshëm. Sigurisht, standardi që ai vendosi ishte i lartë. Unë mendoj se nuk do të ketë asnjë libër  siç ishin veprat si “Dashuria në kohën e kolerës” ose “100 vjet vetmi””.

Djali i tij pranon se libri nuk është rishikuar nga autori i ndjerë.

“Nuk ishte rishikuar. Por ishte e përfunduar në kuptimin që ishte treguar e gjithë historia dhe kishte një fund.”

Megjithatë, familja e tij konsideron se libri ende mbart prozën e bukur të njohur të autorit dhe njohuritë e tij të thella për natyrën njerëzore.

“E dini çfarë? Çfarëdo papërsosmërie që mund të ketë libri, kjo vepër ende ka ato fuqi përshkruese dhe fuqinë e gjuhës dhe tingullin e zërit të tij dhe interesin dhe kuptimin e tij të natyrës njerëzore”.

I pyetur nëse ka tradhtuar besimin e nobelistit të njohur duke zgjedhur të botojë veprën pavarësisht dëshirës së tij ai përgjigjet kështu.

“A po e tradhtonim ne? Po, ne e tradhtuam. Por, ne kemi tradhtuar, një person që kishte humbur aftësitë e tij dhe kishte humbur aftësinë për të gjykuar librin.”

Megjithatë, ai nuk pendohet për vendimin e marrë.

“Ne ndihemi më mirë nga fakti që babai ynë gjithmonë thoshte, kur të vdes, bëni çfarë të dëshironi. Kështu që kjo na lehtëson pak.”

Gabriel Garcia Marques u përgjigjet edhe kritikëve që thonë se ai e botoi librin vetëm për shkak të të ardhurave që do të fitonte.

“Pashë një artikull dje që thoshte se ne thjesht po përpiqeshim të pasuroheshim. Po ju them, ka mënyra shumë, shumë më të lehta dhe më pak të diskutueshme. Duhet ta dini tashmë se, ne marrim oferta çdo muaj për të gjithë librat dhe tregimet e tij që ato të bëhen filma, seriale, opera, muzikalë etj.  Unë dhe vëllai im mund të shkruanim lehtësisht një libër kujtimesh për babain tonë. Pra, ka mënyra shumë më të lehta dhe më pak të diskutueshme për të fituar para nga kjo trashëgimi.”

Ndër të tjera djali i shkrimtarit rrëfen se veprat e tij i kanë rezistuar kohës.

“Librat e tij ende lexohen nga lexues të rinj të cilët i pëlqejnë këto vepra. Ai jetoi mjaftueshëm gjatë për ta dëshmuar këtë dhe ishte shumë i lumtur që interesi për librat kishte kapërcyer brezat. Njerëzit i dashuruan librat e tij dhe më pas  fëmijët e tyre, dhe sigurisht edhe  nipërit e mbesat”.

Ky rast ka ngritur pikëpyetjen nëse veprat e çmuara të shkrimtarëve të njohur duhet të publikohen, qoftë edhe kundër dëshirës së tyre. Ashtu si García Márquez, një sërë shkrimtarësh të mëdhenj kanë urdhëruar që disa nga veprat e tyre të shkatërrohen para vdekjes.

Megjithatë, kur të afërmit e tyre nuk iu bindën, ndonjëherë kjo ishte në dobi të botës.

Para se autori Franz Kafka të ndërronte jetë  nga tuberkulozi në vitin 1924, ai i tha mikut Max Brod që t’i digjte të gjitha veprat e tij. Duke mos marrë parasysh dëshirat e mikut të tij, Brod më vonë botoi koleksionin e tij të veprave, duke përfshirë “Gjyqi”, “Kështjella” dhe “Amerika”.

“Gjyqi” njihet gjerësisht si një klasik, që përshkruan luftën e individit kundër shtetit të fuqishëm. Vladimir Nabokov, shkrimtari i “Lolitës”, i kërkoi gruas së tij që të shkatërronte romanin e tij të fundit, nëse ai nuk jetonte për ta përfunduar atë.

Në vitin 2009, tridhjetë vjet pas vdekjes së shkrimtari, djali i tij publikoi veprën e papërfunduar. Poeti romak Virgjili kërkoi që të digjeshin letrat në të cilat ai shkroi eposin e tij “Eneida”, sepse kishte frikë se nuk do të ishte në gjendje ta përfundonte veprën para vdekjes së tij.

Këto episode dëshmojnë, se ndoshta dëshirat e shkrimtarëve të mëdhenj nuk duhen respektuar gjithmonë. Megjithatë, këto raste ngrenë një pyetje më të gjerë që shkon përtej të mëdhenjve letrarë. Sa shpesh ne të vdekshmit vendosim të shpërfillim dëshirat e të dashurve tanë në shtratin e vdekjes?

Klan News

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular