Anis Mehmeti vazhdon të lërë shenjë në futbollin anglez, ku është kthyer në një nga elementët më të mirë të skuadrës së Bristol Siti në kategorinë e dytë angleze. Mesfushori ofensiv shqiptar, i cili u la jashtë listës së fundmi nga Silvinjo, ka shënuar sot golin e tretë të këtij edicioni, duke ndihmuar skuadrën të mposhte Leisterin, ekipin që kryesonte kampionatin.
Mehmeti, si zakonisht titullar, zhvilloi një ndeshje të mirë dhe në minutën e 74-t, pasi gjeti hapësirën para zonës, lëshoi në gjuajtje të pakapshme për portierin Hermansen, duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij.
Ky gol do të ishte ai që do të vendoste fatin e ndeshjes dhe do t’i jepte Bristolit fitoren 1-0 që ka shumë vlerë sidomos për moralin, pasi skuadra pozicionohet në mesin e klasifikimit, me pak shanse për të shkuar në play-off.