BallinaTe tjeraMisteri i vdekjes në Shkodër/ Dëshmia e rrallë e gruas së gjeneralit...

Misteri i vdekjes në Shkodër/ Dëshmia e rrallë e gruas së gjeneralit çam: Çfarë më tha Hilmiu në spital, pak minuta para se të ndërronte jetë dhe përgjigjia që më dha Enver Hoxha në zyrën e tij

spot_img
spot_img

Nga Rasim Bebo

Bukurie Seiti, bashkëshortja e ish-gjeneralit çam, Hilmi Seti, tashmë është afër të 80-ve. Për herë të parë ajo tregon publikisht ato pak sekrete për të shoqin, para dhe ditën që ai , kur ishte në detyrën e kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, më 26 prill 1960. Kishte vetëm pak kohë i graduar gjeneral, dhe për 9 vite punë në Shkodër, shkroi emrin e tij në memorien e veriorëve. Ankthi, bisedat e pakta me të shoqin, takimi me Enver Hoxhën, grupi armiqësor i çamëve, takimi i Hilmi Seitit me ministrin e Brendshëm, gjeneral-leitnant Kadri Hazbiun, vetëm pak orë para se të vdiste, etj., janë gjithçka që mban mend bashkëshortja e tij, që për 44 vjet jetoi me kujtimin dhe enigmën e vdekjes së burrit, i njohur ndryshe si; gjenerali i çamëve, Hilmi Seiti. Pëshpërima nëpër korridoret e Ministrisë së Brendshme, ku ajo punoi për vite me radhë.

Znj. Bukurie, është shkruar pak për vdekjen e burrit tuaj. Për vite me radhë, ju vetëm keni heshtur. Pse?

– Isha vetëm 27 vjeç, kur im shoq, Hilmi Seiti, më la. Atëherë vajzën e madhe, Verën, e kisha 7 vjeç. Të dytën, Violetën, dy vjeç e gjysmë, kurse djalin, Agimin, 17 muajsh. Humba njeriun e jetës time, dashurinë time, gjithçka kisha. Nuk kuptova asgjë! Më duhej të rrisja fëmijët. Sot jam e moshuar, jetoj me kujtimin e Hilmiut.

-Pse ai vdiq Hilmiu?

-Informacionet në rrugë të ndryshme më kanë tunduar gjithmonë. Nuk besoj se ai vdiq siç thanë në atë kohë, nga; “hemorragjia cerebrale”.

– Edhe në shtyp është aluduar vite me parë, që ju personalisht, keni dyshime për vdekjen e burrit tuaj?

– Është hera e parë që unë flas për një gazetë. Nuk duhet të abuzohet, me ato ç’ka them, por mendoj se Hilmiu nuk kishte asnjë lloj sëmundje. Nuk vuante as nga zemra dhe asgjë tjetër. Për vite me radhë më vinin njerëz dhe më flisnin për çfarë dinin. Kam lexuar dhe unë në gazeta që është helmuar, apo… edhe unë dyshoj. Dua të di të vërtetën për atë njeri, i cili nuk ishte vetëm bashkëshorti im dhe njeriu më i dashur edhe sot e kësaj dite për mua, por ishte shumë i mirë, me mijëra njerëz, që hynë e dolën në shtëpinë time. Unë dhe fëmijët e mi, kemi tentuar vazhdimisht në gjetjen e një dokumenti. Do të doja të bindesha, për të mos mbetur borxh ndaj atij njeriu, që në ato vite dha gjithçka mundte, për këdo që njihte dhe nuk njihte. Vetëm se asnjëherë, nuk mund ta harroj bisedën e fundit me të. Pas pak vdiq…!

– Çfarë ju tha ai para se të vdiste?

– E kujtoj atë ditë çdo minutë të jetës time. Ishte data 25 prill 1960. Jetonim në Shkodër, pasi Hilmiu ishte kryetar i Degës. Kishte një vit e gjysmë që ishte graduar gjeneral. Në mëngjes, unë i thashë Hilmiut se do nisesha për në Tiranë, sepse babai im, ishte i vjetër në moshë dhe duhej ta takoja. Kur isha në Tiranë, më marrin në telefon dhe më thonë se Hilmiu ishte shtruar në spital. Kthehem shpejt në Shkodër. Rrugës nuk e di pse riprodhoja një bisedë që kisha bërë me të, para disa ditësh.

Kur mbërrita në Shkodër, më dërgojnë në spital dhe gjej Hilmiun në minutat e fundit të jetës. Nxirrte vetëm shkumë nga goja! “Më dhanë aspirinë”,- më tha në vesh, aq sa unë nuk mundja të kuptoja, se ç’po më tregonte, “njerëz me armë”, pastaj vdiq. Një mjek, që ishte kujdesur për burrin tim, tashmë ai ka vdekur, më tha se; “Vdekja e Hilmiut nuk është e zakonshme”! Pa folur për atë që dëgjoja nga shokët e tij, apo nga njerëz që nuk i njihja.

– Ju thatë më parë, se ju kujtohej diçka nga bisedat jo të zakonshme me burrin tuaj. Ç’ishte ajo bisedë dhe sa kohë më parë u bë ajo?

– Duhet t’ju shpjegoj, së pari, se për çdo gjë që flas, kam përgjegjësi. Unë gjatë atyre viteve që kam jetuar me Hilmiun, kam pasur një rol të përcaktuar. Nuk mund të ndërhyja asnjëherë në punët e tij dhe isha vetëdukuar, që të mos e pyesja asnjëherë për atë ç’ka ai kishte, sukseset apo dështimet, aq më pak për problemet, që për mentalitetin e kohës, ishin të padiskutueshme. Por, mbaj mend një natë, kur ai u kthye nga puna, u ul në divan i lodhur. Vuri duart pas kokës dhe më tha: “Si do kalojmë, jam në situatë të vështirë…”?! Nuk e kuptova se ç’po thoshte, por përnjëherë i thashë: “Çfarëdo që të jetë ne kemi fëmijët, do plakemi dhe do vdesim bashkë”.

– Këto copëza bisedash, ju kanë bërë të dyshoni për vdekjen e tij?

Po! Mbase edhe shumë të tjera, por ajo ç’ka më kishte thënë në spital, nuk më shqitej nga mendja. Kështu, pas tre muajsh, shkova dhe takova Enver Hoxhën. Më priti përzemërsisht.
– “Pse vdiq Hilmiu?”- – i thashë. Ai ngriti supet: “Me hemorragji, thonë mjekët” – më tha. Asnjë fjalë më tepër!
Kurse Kadri Hazbiu, ka ardhur vazhdimisht më pas në shtëpi, së bashku me të shoqen. Vinin të gjithë njerëzit e Partisë, për vite me radhë.

Më kanë thënë se Kadri Hazbiu ishte njeriu që u takua për të fundit herë me Hilmiun. Thuhet se është diskutuar për “Grupin çam”. Duket se i kishe kërkuar Hilmiut bashkëpunim për këtë çështje në atë kohë, kur thuhej se; “një grup çam armiqësor” duhej të asgjësohej. Pas tre muajsh, u arrestua Teme Sejko. Midis të tjerash u tha; “Grupi çam do të lidhej më Flotën e VI-të amerikane”. Pati 32 të arrestuar, 17 prej tyre të akuzuar si “agjentë grekë”.

– Kanë kaluar 44 vite nga ajo kohë, deri më sot. Ç’mendoni se ka ndodhur atë ditë me Hilmiun?

– Mendoj se e helmuan, por nuk kam asnjë dokument. Nuk kam se ku të kërkoj!

– Si e njihnit ju bashkëshortin tuaj?

– Një njeri i së drejtës dhe vetëm i asaj. Një burrë që sakrifikonte edhe veten në çdo rast, në emër të së vërtetës apo të së drejtës. Kur në zyrat e Degës Brendshme sillnin njerëz që donin të kalonin kufirin, ai i pyeste; pse? Dikush i tregonte hallin e shtëpisë, mungesën e punës, etj. Ai i dërgonte në Zyrat e Punës dhe kërkonte ndihmë për ta, jo t’i varroste nëpër burgje apo t’i ekzekutonte. Një zyrtar që mbante dyert e Degës hapur, për t’u zgjidhur hallet njerëzve, një njeri që…kur i kërkuan të firmoste ndoshta ndonjë dokument të fundit, kundër çamëve, apo ashtu siç u quajt në atë kohë, “Grupi armiqësor i Teme Sejkos”, tha se nuk ka asgjë të vërtetë.

Dëshmitë e ish-ushtarakëve të lartë, që e njohën nga afër Hilmi Seitin

Kur Halim Xhelo ishte në burg, në një rreth të ngushtë kishte thënë: “U bë mbledhja nën drejtimin e Hysni Kapos në Ministrinë e Brendshme, me Kadri Hazbiun, Hilmi Seitin dhe mua. U fol se duhet të krijojmë një ‘grup armiqësor’ për t’i thënë botës se ne nuk u përulemi as revizionistëve modernë e, as imperializmit amerikan. Dhe mendojmë ta quajmë ‘Grupi armiqësor i Teme Sejkos’. Në këtë moment, Hilmi Seiti kundërshton, del nga mbledhja dhe shkon në Komitetin Qendror të PPSh-së, ku takon Enver Hoxhën!

Enver Hoxha e pyeti: – ‘Hilmi, pse të shikoj të mërzitur’?!

– ‘Shoku Hysni’ mendon t’i ngarkojë Çamërisë martire, një grup armiqësor’, – ia ktheu ai.

– ‘Ah! Hysniu, i bën këto me kokën e tija, pa më pyetur mua?

Dëgjo, Hilmi, ke besim tek Partia dhe tek mua’ ?

– ‘Po, shoku Enver’!

– ‘Shko në punë dhe puno ashtu si ke punuar”. Ja kështu është shprehur dikur Halim Xhelo.

Në volumin e 19-të të veprave të Enver Hoxhës, thuhet se: “Për mua është enigmë grupi armiqësor i Teme Sejkos”. Albert Kotini shkruan: “Me vdekjen e tij (Hilmiut) shprehën ngushëllime me tërë vlerësimet e sinqerta, midis të tjerëve edhe Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Zoi Themeli, Sul Baholli, Teki Koloneci, Qazim Kondi, Halim Xhelo, Xhule Çiraku, Dilaver Poçi, Rexhep Kolli, etj. Kush nga këta e helmoi? Me çfarë urdhri special të Enver Hoxhës, u realizua?! Me urdhrin me linjë partie, apo të nëntokës së Sigurimit?! Përse Shkodra e nderoi dhe e qau Hilmi Seitin, me respektin e madhështinë, që ia ka bërë vetëm Fishtës”?!

Skënder Vinçani, ish-shef i Policisë për Qarkun e Shkodrës nga viti 1953 deri në vitin 1961, kur ishte Kryetar i Degës së Punëve të Brendshme, zoti Hilmi Seiti, ky bashkëpunëtor i tij, më tregon: “Kam pasur nderin të punoj 7 vjet me Hilmiun. E njihja si njeri të drejtë, të ndershëm dhe detyrën e kryente me pastërtinë morale më të madhe. Nuk burgoste dhe internonte njeri pa fakte dhe faj. Punonjësit e gjithë Degës së Brendshme dhe populli i Shkodrës, e admironin për cilësitë e tij njerëzore. Vdekja e tij për mua, është 100 për qind e dyshimtë, alibi e një helmimi të bërë ndaj tij.

Hilmiu deri ditën që u helmua, ishte njeri me trup atleti, me shëndet shumë të mirë. Atë ditë ishim duke shëtitur të tre, unë, Mit’hati, (që ishte zëvendësi për Sigurimin), dhe vetë Hilmiu, në rrugët e Shkodrës. Kur vajti ora 20.00, Hilmiu më tha se kishte mbledhjen e Byrosë së Partisë të Rrethit, (se Hilmiu ishte anëtar i Byrosë së Partisë), na tha se, duhej të shkonte. Ne të dy, unë dhe Mit’hat Zaçe shkuam në shtëpi, ndërsa Hilmiu në mbledhjen e byrosë së partisë. Më vonë morëm vesh se në mbledhjen e Byrosë së Partisë, Hilmiut i kishin ardhur të vjella, kishte marrë leje për të nxjerrë të vjellat në banjo, dhe ndërpreu mbledhjen.

Presin sa presin dhe kur u vonua, e gjejnë të shtrirë pa ndjenja në banjo, dhe nuk komunikonte më. E marrin urgjent dhe e shtrojnë në spitalin e Shkodrës. Shkuam unë dhe Mit’hat Zaçe, në spital. E gjetëm në gjendje që përpëlitej me shkumë nga goja, deri në mëngjes, kur dhe vdiq. U njoftua Ministria e Punëve të Brendshme. Erdhi Kadri Hazbiu dhe disa anëtarë të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së. Sollën me vete tre ekipe mjekësh nga Tirana dhe pse kishte plot Shkodra. Ata e panë të vdekur. I bënë autopsi në kokë.

Një nga kirurgët ishte sovjetik dhe në konkluzionin e ekipit mjekësor të Tiranës, konkluduan se; vdiq nga një ‘hemorragji cerebrale’, etj., argumentime ‘shkencore’, por mua nuk m`u besua! Po të flisja atëherë, edhe si vëlla i Nexhipit që isha, do ta pësoja si Mit’hat Zaçe, që pësoi edhe ai një vdekje të dyshimtë më vonë. Pse nuk e besova…?! Si bie hemorragjia cerebrale kështu, kur ai një orë më përpara ishte në gjendje të shkëlqyer dhe nuk ankohej nga asnjë sëmundje?”

Rrahman Perllaku, “Heroi i Popullit”, tregonte: “Hilmiun e njihja shumë mirë. Ishte shumë njeri i qeshur, i aftë, inteligjent dhe e donte shumë Shkodrën, sa dhe vetë shkodranët. Kam luftuar bashkë me të, si në Brigadën e III-të Sulmuese, dhe në Divizionin e V-të Sulmues, dhe më pas zv/komisar i Brigadës së V-të sulmuese. Ka qenë tepër komunikueshëm, me një burrëri dhe zgjuarsi, që e lartësonin dhe kishte një sjellje të përsosur në shoqëri. Ne, kuadrot e asaj kohe, e vlerësonim Hilmiun, si një nga oficerët më të kulturuar, dhe më të aftit. Në luftë ishte nga të parët në betejë, nuk dinte ç’ishte frika. Në organet, në Degën e Brendshme të Shkodrës, siç dihet nga lart, ky rreth kishte veçori. Hilmiu manifestoi veçori të tilla.

Mjaft komunikues e dashamirës me njerëzit. Si punonjës i Ministrisë së Punëve të Brendshme, u ka dalë ballë për ballë gjërave me drejtësi dhe vërtetësi. Informacionet që vinin, në veçanti ato që kuptonte ose më mirë që i zbulonte si tendencioze, Hilmiu i bënte ballafaqimin. Kur e kuptonte keqdashjen e punonjësit të Punëve të Brendshme, i thoshte: Ik! Mos u ndjej se do të vesh atje ku nuk ta pret’! Kështu ia priste rrugën marrjes në qafë të njerëzve, edhe për një llaf të pavetëdijshëm. Me këtë pikë po tregoj një ngjarje të vërtetë, që deri më sot nuk ia kam shprehur njeriu. Hilmiut i janë dorëzuar në besë disa të arratisur nga Shkodra në Mal të Zi, që e kishin bërë rrugën e tyre, pa u kapur. Mbasi i merrte në besë, gjithmonë i lironte duke mbajtur fjalët e premtuara.

Në një rast konkret tjetër, ishin katër të arratisur që hynin e dilnin në Mal të Zi, sa herë të donin, asnjëherë nuk i kapnin dot. E vetmja rrugë për Ministrinë e Punëve të Brendshme, ishte fjala e Hilmiut, me të arratisurit, dhe këtë ia kërkuan ta bënte Hilmiu, që t’i takojë, të bisedojë, dhe t’i sigurojë se nuk do të prekeshin, po të dorëzoheshin vetë. Hilmiu e mori përsipër.Të katër të arratisurit u dorëzuan në besë të Hilmiut, se e kishin provuar fjalën dhe burrërinë e tij, edhe të tjerë para tyre. Ata u dorëzuan tek Hilmiu, ai i liroi dhe i la të lirë të shkonin në shtëpi. Mbas dy – tre muajve, Hilmiut i dhanë urdhër nga MPB-ja, që t’i arrestonte të katër të arratisurit. Mori urdhër nga Kadri Hazbiu apo Mihallaq Ziqishti, nuk më kujtohet mirë. Hilmiu mjaft i revoltuar, erdhi menjëherë tek zyra e Mehmet Shehut dhe u fut i nevrikosur.

Mehmet Shehu i tha me shaka:

– Hë, ç’ke kështu, çam i dreqit? – Ai në fakt e respektonte shumë Hilmiun. – Pse ke ardhur?

– Erdha t’ju dorëzoj kapelën e spaletat, – i tha Hilmiu.

– Pse ç’ka ndodhur?

– Atyre që u ka dhënë besën, Hilmi Seiti, nuk i arreston! Merri! (Spaletat i kishte në dorë). – Këtë nuk e bëj kurrë, sa të jem gjallë, – tha dhe, në fakt, sa qe gjallë Hilmiu, ata nuk u arrestuan. Asnjë në Shkodër nuk u arrestua para vdekjes së tij, për gjëra që nuk faktoheshin nga Hilmiu. Pas Hilmiut erdhi Feçor Shehu, prandaj kur vdiq Hilmiu, unë si Rrahman, vajta menjëherë me Teme Sejkon, për të organizuar varrimin e tij. Nuk kam parë varrim me përmasa të atilla në Shkodër, pas asaj të Gjergj Fishtës. Qanin gratë në ballkon, ka qarë e gjithë Shkodra. Unë më Temen, shkuam në orën 23.00 të asaj dite. Vdekja e Hilmiut, për mua ka mbetur enigmatike”.

Muhamer Spahiu, veteran mjaft i respektuar dhe i persekutuar, veç të tjerash që i thamë lart, shton se; “Hilmi Seiti, ishte pararoja e zhdukjes së Teme Sejkos dhe çamëve të tjerë, në vitet ’60-’61. Ka qenë një skenar i vërtetë Hoxha- Hazbiu, që ne e kemi vuajtur në vite”.

CEREMONIA E VARRIMIT

Hipokrizi nga ata që e vranë! Respekt dhe dhembje nga ata që e deshën: populli i mrekullueshëm i Shkodrës. Hipokritët dhe vrasësit, ballë për ballë varrit të Hilmi Seitit, “jagot” dhe “brutët” e shoqërisë shqiptare, që nga zv/kryetari i Këshillit të Ministrave, anëtarë të Byrosë Politike e të Komitetit Qendror, si; Kadri Hazbiu, Mihallaq Ziçishti, Sul Baholli, etj., që i bënë nekrologjinë më datën 28 prill 1960. Nga këto rreshta, shkëputet Kadri Hazbiu dhe merr fjalën para varrit të Hilmiut: “Vendosmëria juaj, inteligjenca, patriotizmi i flaktë, dashuria e pakufishme ndaj popullit, partisë dhe Bashkimit Sovjetik, të gjitha cilësitë tuaja të mira, ne do t’i takojmë përditë në gjurmët e punës tënde, dhe brezat e ardhshëm do të edukohen me to, për t’ i shërbyer me besnikëri popullit dhe Atdheut”.

Po kështu, pranë varrit të Hilmiut, kortezhi i përmotshëm dëgjoi fjalën e shokut Sul Baholli, sekretar i parë Komitetit Partisë të rrethit të Shkodrës. “Populli i Shkodrës, me dhjetëra e mijëra njerëz kishin ardhur të përcillnin trupin e Hilmi Seitit. Ata vinin të përcillnin birin e tyre, i cili për vite me radhë i kishte mbrojtur nga persekutimi i padrejtë i gjuetisë së biografive, luftës së klasave, që bëheshin viktima. Pra, ishte barrikadë, dhe ata po e ndienin këtë burrëri e ndershmëri, që po u varrosej pikërisht për këtë barrikadë”

Enver Hoxha dhe Kadri Hazbiu që e kishin Shkodrën si “reserve” për të mbushur burgjet politike, nga “reaksionarët” dhe antikomunistët, eliminuan Hilmi Seitin dhe i hapën rrugën ekzekutorit Feçor Shehu. Plani i arrestimeve me ardhjen e Feçor Shehut, u realizua me burgime, spiunime dhe internime në tërë Shkodrën. Besa, burrëria, ndershmëria e çamit Hilmi Seiti, pushtoi një zemër të tillë si Shkodra. Respekti dhe nderi i Çamërisë, Hilmi Seiti, ishte në gjirin e Shkodrës, sepse ai ishte edhe biri i saj.

BIOGRAFIA E HILMI SEITIT

Hilmi Seiti lindi më 15 nëntor 1922, në fshatin Spatar të Çamërisë. Ai rrjedh nga një familje fshatare patriote dhe qe përkrahës i lëvizjes çlirimtare shqiptare dhe asaj greke. Në moshë të vogël, mbetet jetim dhe dërgohet me bursë në konviktin “Çamëria”, në Sarandë, pastaj vazhdoi shkollën e mesme në Gjirokastër dhe Shkodër. Dallohet për rezultate të larta, si dhe dashamirësi me shokët. Nga viti 1938, ishte anëtar i Grupit Komunist të Shkodrës dhe me formimin e Partisë Komuniste, u bë anëtar i saj. Lufta e gjen në shkollë të mesme dhe për aktivitet antifashist arrestohet dhe internohet në Bari të Italisë.

Në vitin 1942, kthehet në Shqipëri dhe në vitin 1943, hyn në radhët e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, duke kryer detyrat e zv/komisarit të Brigadës së V-të dhe të III-të Sulmuese. Mori pjesë në çlirimin e Kosovës. Pas mbarimit të Luftës, më 1946 punon në Komisionin e Planit të Shtetit, si kryetar dege. Në vitin 1949, emërohet dhe shërben në organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me gradën major. Në vitin 1953, emërohet kryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Qarkut të Shkodrës. Në vitin 1959, Hilmiu u gradua “Gjeneral-major”.

Për merita të shquara në luftë dhe në punë, Hilmiu dekorohet me pesë medalje dhe gjashtë urdhra, si: “Urdhri i Flamurit. “Urdhri i Skënderbeut” i klasit të III-të, “Urdhri i Trimërisë”, “Urdhri i Shërbimit Ushtarak”, “Urdhri Ylli i Kuq”, si edhe shumë medalje, etj. Në 26 prill 1960, në moshën 38-vjeçare, Hilmiu vdes në Shkodër, në mënyrë të papritur, gjatë një mbledhjeje pune, i helmuar, si e kemi përshkruar më lart. Populli i Shkodrës dhe gjithë veriu, e përcollën Hilmiun me një ceremoni madhështore dhe respekt të madh, për në banesën e fundit. Memorie.al

(Materialet: Gazeta “Çamëria”, shkrimi me titull, “Vdekja mister e gjeneralit të çamëve”. Maj 2004, f. 11. Albert Kotini, “Çamëria denoncon”, botimi 2002″, faqe 51-53. Shënime të kohës).

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular