BallinaKryesoreI ngarkuari me punë i SHBA: E ardhmja e Shqipërisë nuk është...

I ngarkuari me punë i SHBA: E ardhmja e Shqipërisë nuk është te njerëzit e përfshirë në korrupsion

spot_img
spot_img

I ngarkuari me punë i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, David Wisner tha se e ardhmja e Shqipërisë nuk qëndron te njerëzit e përfshirë në korrupsion.

Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, ai vlerëson punën e institucioneve të drejtësisë dhe nënvizon se është me rëndësi kyçe që të vijojë lufta kundër këtij fenomeni në nivelet e larta.

Wisner shpreh shqetësim për sulmet e fundit ndaj Prokurorisë së Posaçme. Diplomati amerikan komenton po ashtu zhvillimet politike dhe ngritjen e komisionit për dezinformimin, si dhe flet për bashkëpunimin me Shqipërinë në fushën e mbrotjes dhe nxitjen e lidhjeve të biznesit

Zoti Wisner, ju po mbushni 8 muaj në Shqipëri, dhe gjatë kësaj periudhe keni drejtuar ambasadën amerikane këtu. CIlat kanë qenë çështjet kryesore me të cilat ju është dashur të merreni?

David Wisner: Armand, shumë faleminderit për mundësinë që të jem këtu sot. Është nder të jem me ju dhe të flas me shikuesit tuaj. Në radhë të pare, edhe për nga rëndësia, roli i çdo ambasade amerikane është të ofrojë shërbime dhe mbrojtje për nënshtetasit amerikanë. Jam shumë krenar për punën që kemi bërë në atë drejtim tetë muajt e fundit.

Për sa i përket punës që po bëjmë me Shqipërinë dhe shqiptarët, gjërat ndahen në tri kategori: mbështetja jonë për demokracinë e Shqipërisë, dëshira jonë për të ndërtuar lidhje më të mëdha në fushën e mbrojtjes, si dhe nxitja e lidhjeve të biznesit. Në lidhje me demokracinë, ka qenë privilegj të punojmë krah për krah me shqiptarët, për të ndërtuar institucione të rëndësishme, qofshin këto institucione të qeverisjes apo institucione të pavarura të drejtësisë, të punojmë me shoqërinë civile. Ky ka qenë një fokus i vërtetë i punës dhe është diçka që Sekretari Blinken e theksoi vërtet dy muaj më parë gjatë vizitës së tij këtu, për të cilën jemi shumë krenarë.

Në fushën e mbrojtjes, Shqipëria, 15 vite si aleate në NATO, që punon krah për krah me amerikanët dhe aleatë të tjerë kudo në botë. Hapja e Bazës Ajrore të Kuçovës, dy muaj më parë, ishte një çast vërtet i veçantë që nënvizoi integrimin në rritje të Shqipërisë në bashkësinë euro-atlantike. Dhe vazhdojmë të punojmë, çdo ditë, përmes mekanizmave tona të mbrojtjes për të ndërtuar kapacitetet shqiptare për të kontribuar në NATO. Dhe, sigurisht, po punojmë bashkë me Shqipërinë teksa ajo synon të përmbushë angazhimet e saj të shpenzimeve për mbrojtjen si pjesë e premtimit në Samitin e Uellsit.

Pastaj sigurisht, për lidhjet e biznesit. Ka disa zhvillime vërtet emocionuese këtu. Për shembull, kemi rritje tri herë në pesë vitet e fundit të investimeve të huaja direkte në Shqipëri nga Shtetet e Bashkuara. Ka pasur një rritje 60% gjatë vitit të fundit në eksportet nga Shtetet e Bashkuara në Shqipëri. Ky është bashkëpunim real, i prekshëm që zhvillohet mes dy vendeve tona. Kemi disa projekte vërtet emocionuese në fushën e energjisë së rinovueshme, në fushën e hotelerisë për të cilat jemi të emocionuar dhe që po ashtu do të sillnin ndryshim të vërtetë në Shqipëri dhe për shqiptarët.

Zoti Wisner, drejtësia duket se mbetet një prioritet për diplomacinë amerikane në Tiranë. 8 vjet pas nisjes së reformës së këtij sistemi, vlerësimet janë nga më të ndryshmet e ka mes tyre dhe ide se do të ishte e nevojshme që të bëhet një analizë e asaj cfarë është bërë dhe çfarë nuk ka ecur sic duhet. A do të ishte gjëja e duhur?

David Wisner: Gjithmonë kemi thënë se reforma në drejtësi, ndërtimi i institucioneve të pavarura në këtë vend, nuk do të ishte asnjëherë e shpejtë, e lehtë, apo e përsosur. Dhe mendoj që kjo vazhdon të jetë e vërtetë sot. Por mendoj edhe që shqiptarët duhet të ndihen me të drejtë krenarë për faktin që institucionet e pavarura të drejtësisë sot kanë ndërmarrë veprime kundër politikanëve të lartë të dyshuar për korrupsion, kanë ndërmarrë veprime kundër figurave të krimit të organizuar. Ky lloj përparimi nuk është pak dhe është me rëndësi kyçe që të vazhdojë angazhimi i të gjithë shoqërisë shqiptare për t’i luftuar ato sepse këtë duan vërtet shqiptarët. Dhe ne jemi shumë krenarë që qëndrojmë në krah të shqiptarëve teksa ndërtojnë një të ardhme më të mirë.

Raporti i fundit i Freedom House ngre shqetësimin se “përpjekjet e shtuara të SPAK-ut për të hetuar korrupsionin dhe krimin e organizuar të nivelit të lartë, kanë nxitur sulme ndaj gjykatësve dhe prokurorëve të tij nga të gjitha partitë politike, të cilat vazhdojnë të mos distancohen nga zyrtarët e akuzuar mes radhëve të tyre”. Si e vlerësoni një konstatim të tillë? Këto ditë kemi parë, për shembull, sulme të ashpra publike ndaj Z. Dumani nga ish-Presidenti Ilir Meta.

David Wisner: Nëse kam parë një gjë në tetë muajt e kaluar, qoftë në veri të Shqipërisë, në jug të Shqipërisë, lindje, perëndim, ajo që vërtet i bashkon shqiptarët është se duan të shohin drejtësi. Duan të shohin nëpunës publikë që janë të përkushtuar ndaj asaj që duan shqiptarët dhe jo ndaj interesave private të veta. Kjo është boll e qartë për këdo, për shqiptarët e të gjitha krahëve, dhe mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme që të gjithë zyrtarët publikë të Shqipërisë ta mbajnë mirë parasysh këtë.

Është shqetësuese të shohësh ato lloj sulmesh që kemi parë. Nuk kanë vend këtu dhe, ç’është më e rëndësishme, shqiptarët nuk duan këtë. Shqiptarët duan që udhëheqësit e tyre publikë të punojnë për interesat e tyre për ta bërë të nesërmen më të mirë. Dhe mund t’ju them që pikërisht këtë synon të bëjë ambasada e SHBA dhe Qeveria e SHBA përkrah tyre.

Zoti Wisner, korrupsioni mbetet një problem madhor në Shqipëri. Një deklaratë e kreut të Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, nxori në pah një fakt shqetësues sipas tij, që vitin e kaluar, institucionet publike kishin bërë vetëm 12 referime për raste korrupsioni. Një problematikë të tillë e ngre dhe Prokuroria e Përgjithshme. A nuk ngre kjo pikëpyetje serioze për angazhimin e institucioneve kundër korrupsionit?

David Wisner: Kam menduar shumë se pse Z. Dumani e tha këtë, pse Prokurori i Përgjithshëm tha diçka të ngjashme. Është një sfidë e vërtetë. dhe mendoj se një shqetësim është që shumë njerëz nuk ndjejnë se mund të ngrihen dhe të ngrenë zërin për atë që duan kur shohin keqqeverisje apo korrupsion apo shkelje nga çdo krah, por mendoj se ajo që është vërtet e rëndësishme është që të vazhdojmë të këmbëngulim për t’i bërë gjërat në mënyrën e duhur, për t’i ndërtuar këto institucione, për t’u afruar me aspiratat e popullit shqiptar. Dhe ne jemi shumë të emocionuar të vazhdojmë në këtë rrugë.

Zoti Wisner, si asnjëherë me parë, një forcë politikë drejton vendin prej tre mandatesh, ka kontrollin e pjesës dërrmuese të bashkive të vendit. Nga ana tjetër prej dy vitesh kemi një opozitë të copëzuar. A është një situatë e tillë, e shëndetshme për një vend demokratik?

David Wisner: Si parim i përgjithshëm, debati i hapur, i gjallë, është i rëndësishëm për çdo demokraci. Në të njëjtën mënyrë, mendoj se është fantastike të shohim që opozita është kthyer në parlament dhe ka rimarrë funksionet në atë mënyrë që presin qytetarët shqiptarë. Do të thoja që mendoj se të gjithë presim me kënaqësi zgjedhjet vitin e ardhshëm. Është një mundësi vërtet e rëndësishme që politikanët shqiptarë të paraqesin idetë e tyre përpara qytetarëve shqiptarë, për ta shfrytëzuar mundësinë për të zhvilluar një debat të gjallë, dhe mendoj se do të jetë një çast i shkëlqyer për Shqipërinë.

Ju e përshëndetët dakortësinë mes shumicës dhe opozitës që riktheu normalitetin në jetën parlamentare. Megjithatë, në sallën e parlamentit kemi një rikonfigurim në krahun e opozitës, ku shumica dërrmuese e deputetëve demokratë, njohin si kryetar të tyre ish kryeministrin Sali Berisha. Para disa muajsh në një deklaratë të saj ambasada amerikane përsërti qëndrimin e saj lidhur me persona të shpallur non grata duke nxitur të gjithë aktorët që të shqyrtojnë me kujdes angazhimet e tyre me figura të tilla. Cili do të jetë raporti juaj me këta aktorë, ose më saktë me grupin parlamentar demokrat të rikompozuar?

David Wisner: Armand, qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar. Ne vazhdojmë të mos angazhohemi me personat e shpallur non-grata sipas sanksioneve tona për korrupsionin. Dhe do të vëreja se ato sanksione kanë përfshirë të gjithë spektrin politik, pavarësisht asaj çka u pëlqen disa njerëzve të thonë këtu. Pra, ajo çka ne po bëjmë këtu është që ne po punojmë me parti politike, me shoqërinë civile, me njerëz në të gjithë spektrin për t’u munduar ta bëjmë Shqipërinë një vend më të mirë, natyrisht. Por në të njëjtin aspekt, siç e thashë më parë, ajo që shqiptarët duan vërtet janë njerëz që punojnë për interesat e popullit shqiptar dhe jo për interesat e tyre personale. Dhe mendoj se e ardhmja e këtij vendi nuk qëndron tek njerëzit e përfshirë në korrupsion. Dhe partitë politike duhet të prezantojnë ide të rëndësishme, duhet të paraqesin alternativa reale qeverisëse. Dhe, natyrisht, duhet të prezantojnë kandidatë të cilët njerëzit duan t’i votojnë. Kam shumë besim kur dëgjoj shqiptarët të më thonë se duan të kthejnë faqe, dhe duan të kenë opsione reale që funksionojnë në interes të tyre.

Shumica socialiste miratoi komisionin për disinformimin për të luftuar ndikimin dashakeqës në proceset demokratike. Shumica tha se komisioni është rezultat edhe i memorandumit të mirëkuptimit që Sekretari Blinken nënshkroi gjatë vizitës së tij në muajin shkurt. A është e vërtetë kjo dhe cfarë iu thoni atyre që ngrenë shqetësime për kërcënime të mundshme ndaj lirisë së medias?

David Wisner: Ju përmendët udhëtimin e Sekretarit, i cili ishte një moment i rëndësishëm, jo vetëm për këtë ambasadë, por për marrëdhëniet Shqipëri-SHBA. Dhe gjatë atij udhëtimi, Sekretari dhe Ministri i Jashtëm Hasani nënshkruan një memorandum, të cilin nxis ndjekësit tuaj, nëse do të donit, mund të shkoni online dhe mund të gjeni detaje mbi marrëveshjen. Nëse vizitoni faqen e Qendrës për Angazhimin Global në Departamentin e Shtetit, mund të lexoni gjithçka rreth saj. Është një çështje jashtëzakonisht e rëndësishme. Dezinformimi dhe keqinformimi po shkaktojnë sfidë të vërtetë për Shtetet e Bashkuara, partnerët dhe aleatët tanë në NATO, dhe është diçka mbi të cilën duhet të punojmë së bashku. Mendoj se në të njëjtin kuptim, duhet të jemi shumë të qartë se çdo përpjekje për të trajtuar dezinformimin dhe keqinformimin, duhet të marrë parasysh dhe të respektojë normat e lirisë së fjalës, lirisë së medias, të cilat janë thelbësore për ata çka jemi si anëtarë të NATO-s, si partnerë në dy anët e Atlantikut, dhe kam shumë besim se kjo do të jetë mënyra se si ne do të ecim përpara në bashkëpunimin tonë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular