Nga Agron Duka
Të dashur kolegë, pjesëmarrës në këtë Asamble.
Faleminderit të gjithëve, ju që jeni në këtë sallë dhe të gjithë bashkëpunëtorëve, anëtarëve dhe drejtuesve të tjerë të Partisë Agrare Ambientaliste. Me lejoni të shpreh kenaqësinë që e shikoj Partinë Agrare më kompakte, më aktive dhe më të rritur. Kemi thërritur këtë asamble, për të rinovuar strukturat drejtuese të partisë, ndërsa jemi në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, por edhe për të projektuar objektivat tona për zgjedhjet e vitit 2025.
Të dashur kolegë!
Ne po i drejtohemi zgjedhjeve të përgjithshme, pas një fushate të mirë dhe produktive për zgjedhjet vendore të vitit 2023. Partia Agrare Ambientaliste, siç ju e dini, garoi e vetme për këshillat bashkiakë, dhe mbështeti kandidatët e opozitës për kryetarët. Pavarsisht rezultateve të përgjithshme në këto zgjedhje, Partia Agrare pati një rezultat surprizues, duke patur parasysh edhe kushtet në të cilat u zhvilluan këto zgjedhje. Ne arritëm të sigurojmë 52 vende në këshillat bashkiakë në tërë vendin, duke marrë në total më shumë se 44 mijë vota. Unë dua të falenderoj për këtë çdo anëtar të partisë agrare ambientaliste, dua të falenderoj personalisht çdo kandidat që ishte në listën e këshillave për punën që bëri, dhe veçanërisht ata që ia dolën që të përfaqësojnë sot në këshillat bashkiakë partinë agrare ambientaliste. Ky ishte një tregues se, nëse punojmë fort, nëse tregohemi të drejtë dhe të sinqertë me qytetarët, nëse ne shkojmë tek qytetarët, jo për tu treguar atyre se çfarë hallesh kanë, por për të folur për alternativat e zgjidhjeve, ata na mbështesin. Faleminderit të gjithëve edhe njëherë dhe le të na shërbejnë këto rezultatet si një shtysë për të punuar më shumë dhe për të shpresuar më shumë për zjedhjet e vitit 2025.
Ne kemi përfunduar një proces riorganizimi dhe ringritjeje të degëve në shumicën e qyteteve të vendit, ndërsa strukturat e reja të partisë që do të dalin nga kjo asamble sot, do ti japin më shumë energji punës tonë. Ndaj doja që nga kjo tribunë t’ju nxisja të gjithëve që të vazhdojmë të punojmë fort, me çdo qytetar. Ne jemi ballëlartë para qytetarëve, pasi në zgjedhjet vendore u kemi ofruar atyre njerëz të ndershëm dhe të përkushtuar dhe ata dëshmuan se dinë të zgjedhin.
Të nderuar kolegë!
Shqipëria është duke kaluar një situatë të paprecedentë politike, dhe jo vetëm. Niveli i korrupsionit ka ardhur duke u thelluar dhe skandalet e denoncuara nga opozita apo shoqëria civile, që kanë vënënë lëvizje Prokurorinë e Posacme, dëshmojnë arrogancën që prodhohet kur bëhen bashkë pushteti, biznesi e pandershëm dhe krimi. Korrupsioni ka qenë i pranishëm në çdo qeverisje në këto tri dekada postkomunizëm. Por përmasat që ka marrë aktualisht, e bëjnë atë problemin më të madh dhe rrezikun më të madh për ekonominë, demkoracinë dhe sigurinë kombëtare. Nuk bëhet më fjalë për rryshfete që që u paguhen zyrtarëve të korruptuar nga sipërmarrës që fitojnë pa të drejtë punë me fondet publike. Zyrtarët e nivelit të lartë, janë shndërruar vetë në biznesmenë dhe ata janë bërë sot edhe pjesëmarrës në tendera, edhe prokurues. Ata janë vetë edhe anëtarë komisioni, edhe fitues të garës, edhe supervizorë. Korruptimi ka arritur nivelin më të lartë jo vetëm nga përmasat, por mbi të gjitha nga hierarkia institucionale. Sepse këtu është korruptuar edhe ligjvënësi, është korruptuar parlamenti, institucioni që qëndron në majën e piramidës së pushteteve. Ky institucion, është shndërruar në një noter i bindur i çdo projekti që gatuan qeveria për interesa të individëve të caktuar. Ligji i investimeve strategjike, është një nga dëshmitë më të forta të këtij korruptimi. Nuk ka flagramcë më të madhe se sa kur qeveria i dhuron anëtarëve të saj apo spërmarrësve të oborrit të saj, territorie në bregdet apo zona turistike malore, për të bërë biznes me ndihmën e buxhetit të shtetit. Dhe kjo bëhet me mburojë ligjore, për të sigruar përfundimisht, që askush të mos ketë mundësi ta revokojë.
Kjo ka shkatëruar konkurencën e lirë, ka shkatërruar ekonominë e treguat, ka shkatëruar garën dhe e ka bërë ekonominë një monopol në duart e një grushti njerëzish që kontrollojnë politikën dhe biznesin, shpesh në partneritet edhe me krimin. Mund tu them me përgjegjësinë më të madhe se parlament më të papërgjegjshëm dhe më të korruptuar nuk ka patur ky vend që nga koha e krijimit të tij në vitin 1921. Një mazhorancë që voton në mënyrë të verbërt çdo projektligj që I vjen, edhe kur ata vetë janë të bindur se ai është në dëm të interesave të vendit dhe shoqërisë. Dhe një mazhorancë që në ansjë rast të vetëm nu ka marrë në konsideratë një projektligj të propozuar nga opozita.
Duket se gjithëçka në qeveri tani i është kushtuar garës se kush të zhvasë më shumë dhe të gjithë janë futur në një aleancë të fortë për të mbrojtur njëri-tjetrin. Paralelisht me këtë, është shtuar presioni ndaj opozitës dhe është rritur kontrolli mbi median. Në kushtet kur nuk kanë asnjë motiv për të dalë para popullit për tu kërkuar votën, shpresa ka mbetur tek manipulimi i publikut. Besoj i keni para sesi çdo mëngjes, ministrta, deputetë, drejtorë e nëpunës të tjerë të administratës, shpërndajnë në rrjetet sociale, me një disiplinë ushtarake, fotgrafi e video me lëndina, male, kodra e lumenj, për të treguar se shqipëria po përparon.
Përballë kësaj mazhorance që kërkon mandatin e katërt, qëndron një opozitë që nuk lë shumë vend për tu krenuar. Duhet të jemi të sinqertë dhe të drejtë për të parë atë që jemi në të vërtetë. Opozita humbi rreth 3 vjet duke luftuar mes vetes, duke u përcarë e ndarë në disa grupe, ku rivaliteti dhe agresiviteti politik brenda Partisë Demokratike ia kaloi atij me mazhorancën qeverisëse, duke marrë madje trajtën e një armiqsie të vertetë edhe personale. Kjo situatë i dha mazhorancës dhe qeverisë më shumë hapësirë që të zgjerojë pushtetin e saj, duke marrë nën kontroll thuajse të gjithë pushtetin vendor, i dha hapësirë të rrisë dozën e abuzimit, në kushtet e mungesës së kontrollit parlamentar, dhe i rriti arrogancën në raport më pushtete e tjera dhe opinionin publik në tërësi.
Në raport më situatën që po kalonte Partia Demokratike, partia më e madhe e kampit opozitar, Partia Agrare Ambientaliste ka qëndruar asnjanëse, por aspak e kënaqur ndërsa vendi shënonte regres në lirinë ekonomike, në lirinë e medis, në liritë politike dhe standardet demokratike. Por, ne jemi besimplotë se kursi i ri që ka marrë opozita, do të prodhojë një realitet të ri politik.
Unë jam i kënaqur që partia Agrare është pjesë e nismës për krijimin e federatës opozitare, si një lëvizje politike që synon të bashkojë të gjithë faktorët opozitarë, për të përqëndruar energjitë, aksionin dhe votën opozitare në një pikë të vetme. Madje mua personalisht më eshte besuar drejtimi dhe koordinimi I kësaj federate dhe këtë e konsideroj si një besim tek serioziteti edhe i forcës politike që përfaqësoj.
Do të ndalem shkurtimisht në një vshtrim në disa sektorë që lidhen edhe me profilin e partisë tonë, por që janë edhe jetike për ekonomisë.
Bujqësia shqiptare është thuasje në agoni. Në vitin 2023, për herë të parë sektori shkoi në zbritje, duke u krahasuar me vitin e katastrofës, 1997. Shkak ishte shkatërrimi i mekanizmave mbështetës dhe mbrojtjes të fermerëve përballë konkurencës së vendeve fqinje. Korrupsioni ishte dhe njëherë armiku i madh i shtrerës më të diskriminuar të shoqërisë dhe asaj që jep një kontribut të konsiderueshëm në ekonominë kombëtare. Fondet e dhena nga BE-ja për mbështetjen e fermerëve, përfunduan për të ndërtuar vila dhe pishina për njerëz të pasur, që s’kanë asnjë lidhje me bujqësinë. Kjo flagrancë ishte më e pa mendueshmeja që mund të ndodhte. Dhe Bashkimi Europian i ndërpreu financimet.
Sot fermerët janë në rrugë. Ca duke derdhur qumështin, ca duhe hedhur luleshtrydhet, ca duke hedhur domatet, e ca mollët nëpër kanale. Një katrahurë që ka shumë arsye, por një përgjegjës, qeverinë që duhet të shërbejë si rregullator. Në vend që të planifikojë skema të studiuara dhe të efektshme, qeveria është sulur me sektorin më të efektshëm të saj, propagandën, duke ekspozuar si arritje të madhe çdo kanal që pastrohet, çdo serë e çdo copë tokë të punuar, dhe që mban vulën e djersës dhe mundit të fshatarëve.
Ndërsa në qytete ngrejnë krye edhe kullapa leje, në fshatra, banorët përfundojnë nëpër burgje edhe kur ndërrojnë tjegullat e çatisë, apo riparojnë gardhet dhe kasollet e bagëtive. Për të gjitha këto arsye, fshatrat vazhdojnë të brakisen. Tokat lihen djerrë dhe blegtoria të pakësohet.
Mjedisi vazhdon të jetë ende një sektor në udhëkryq. Pas dëshimit të skemës së inceneratorëve, situata e menaxhimit të mbetjeve është përkeqësuar. Elbasani dhe Fieri, janë shndërruar në vatra të nxehta ndotjeje dhe bomba të vërteta ekologjike. Qeveria për momentin thjeshtë kujdeset që të mbajë larg vëmendjen e opinionit publik, pro këto bomba shpejt do të plasin dhe pasojat do të jenë të rënda. Në vend të gjetjes së zgjidhjeve përfundimtare, si gjithmonë, propaganda e qeverisë bën makiazh me aksione nxënësish që pastrojnë letra nëpër qytet. Vendi nuk ka nevojë vetëm të pastrohet, por të bëhet menaxhimi i integruar i mbetjeve që grumbullohen, ashtu siç parashikohet në ligj dhe në startegji. Përrenjtë dhe lumenjtë vazhdojnë të shërbëjne ende si venddepozitime mbetjesh.
Qytetet shqiptare janë të mbytur nga betoni dhe babëzia e ndërtimeve. Raporti më i fundit i Bankës Botërore ishte alarmant, ndërsa rendiste qytetet më të mëdha shqiptare, me në krye Tiranën, si qytete me regresin më të madh në Ballkan, në raport me hapësirat publike dhe gjelbërimin. Dendësi ndërtimesh, për pasojë dendësi banorësh. Trafik i rënduar dhe ajër i ndotur. Mungesë mjedisesh publike, mungesë ajrimi. 4-7 gradë është më e lartë temperature në qytet sesa në rrethina, thotë raporti I Bankës Botërore. Ndryshimet e klimës do të përkeqësjnë këtë tregues. Ku po shkohet?
E mendoni dot një popull që nuk ka një lulishte ku të kalojë pak kohë? Një popull që nuk ka jetë kulturore e asrtisitke, fëmijë pa parqe e pa mjedisie argëtimi. Një popull që edhe për të ulur në lëndina e për tu larë në det, duhet patjetër të paguajë ata që e kanë zaptur dhe rrethuar me gardhe mjedisin publik që u përket të gjithëve.
Është e vërtetë që ka një tendencë në rritje të numrit të turistëve. Ky është padyshim një lajm shumë I mirë për ekonominë tonë. Por ne duhet të heqim dorë nga numerimi i njerëzve, duhet që të fillojmë të numërojmë paratë për të parë efektshmërinë e këtij sektori.
Të dashur miq!
Këtu pas ne kemi një slogan, që thotë: Shqipëria thërret.
Nuk është një slogan elektoral, por është një klithmë e vërtetë e këtij vendi sot. Përmes politikave të taksimit, këtu u shkatërua ende pa u krijuar, shtresa e mesme e shoqërisë. Nërkohë vendi përballet me një largim daramatik dhe të pandalshëm të njerëzve. Popullsia është në rënie dhe prej tre vitesh lindshëria është më e vogël se numri i vdekjeve. Përjashtuar 2-3 qytete të mëdha, pjesa tjetër e vendit është në braktisje të vazhdueshme. Të gjithë kërkojnë krah pune, nga kafenetë, fabrikat e fasonëve dhe deri tek fermerët në serra. Sot shqipëria vërtet thërret për ta shpëtuar. Nuk duhet shëtuar nga ndonjë armik I jashtëm, por nga vetë shqiptarët, ata që na fakt do të duhej ta qeverisnin këtë vend.
Sot me të drejtë ne pyesim:
Përse në Shqipëri ilaçet janë 3 herë më të shtrenjta se në Greqi?
Përse shqiptarët janë populli që paguajnë më shumë para nga xhepi për shërbimin shëndetësor, se çdo popull tjetër në Europë?
Përse qumështi që blejnë përpunuesit është më lirë në Kosovë, Serbi e Bosnje sesa në fermat blegtorale të që ndodhen vetëm pak kilometra nga fabrikat e qumështit?
Përse shqiparët janë populli i vetëm në Europë që shpenzon më shumë se gjysmën e pagës mujore për tu ushqyer?
Përse shqiptarët, në pjesën më të madhe të vijës bregdetare, duhet të paguajnë para për tu larë në det?
Përse shqiptarët, edhe pse janë të tretët në Europë për rezerva ujore për frymë popullsie, vuajnë edhe për ujë për të pirë edhe për ujë për tokat e tyre?
Ka vetëm një përgjigje: Keqqeverisje dhe korrupsion!
Koncensione ekonomike krejtësisht të panevojshme kanë devijuar qindra miliona Euro në xhepat e pushtetarëve dhe njerëzve të afërt me ta. Gjithkush prej nesh mund të bëjë një listë tashmë se çfarë mund të ndërtohej me ato para të vjedhura, duke filluar nga qendrat shëndetësore e spitalet, tek furnizimi i spitaleve me ilaçe dhe paisje për ekzaminime e analiza, tek rrugët rurale për tia lehtësuar fshatarit të dërgojë prodhimet ne treg, tek ujësjellësat, kanalet ujitëse apo ndërtimi i mjediseve publike për fëmijë e të moshuar nëpër qytete, ku të kalojnë kohë e të argëtohen.
Të nderuar kolegë!
Të konstatosh problemet është gjëja më e thjeshtë, por gjithsesi është fillimi i punës për të shkuar tek zgjidhja. Dhe ne do të shkojmë tek zgjidhja përmes një platforme. Një platofrme elektorale, me të cilën ne do të kushtëzojmë edhe aleancat politike. Ne do të bashkëpunojmë me partnerët tanë politikë, përmes një programi që do të sigurojë një paketë të qartë masash ligjore që synojnë çmontimin kësaj makinerie që mbështet korrupsionin. Konkretisht, ne propozojmë:
-Anullimin e ligjit të invesitmeve startegjike dhe hetim të plotë për përmbushjen e kritereve të atyre që janë miratuar ndërkohë.
-Ndalimin e pjesëmarrjes së kompanive ofroshre në tendera me fondet publike.
-Hapjen e një procesi për të verifikuar ligjshmërinë dhe zbatimitn e kontratave të të gjitha marrëveshjeve bazuar në parimin e PPP-ve.
-Rishikimin e skemës së mbështetjes për fermerët me qëllim forcimin e prodhimit vendas në raport me konkurencën e fortë të vendeve fqinje.
-Rishikimin e skemës së menaxhimit të mbetjeve urbane dhe vendosjen e saj në shinat që parashikon strategjia kombëtare dhe direktivat e BE-së në kuadër të negociateve.
-Rishikimin e taksave për profesionet e lira dhe skemën e taksimit të pagës së punonjëse.
Por, që të arrihet tek adresimi dhe zgjidhja e këtyre problemeve, ka një problem që është edhe më i madh. Në fakt është barriera më e fortë për demokracinë dhe lirinë e votës në këtë vend. Eshtë Ligji Zgjedhor.
Nuk ka nevojë për zhumë argumenta. Ky ligj, kështu siç është, favorizon në tavolinë atë që ka pushtetin, sepse i tillë është gatuar nga një forcë e vetme politike. Nëse nuk ndryshon kodi zgjedhor, do të jetë shumë e vështirë që të shkohet në një proces zgjedhor të drejtë, të barabartë dhe të besueshëm.
Ne jemi tërësisht të zhgënjyer që komisioni i posacëshm për reformën zgjedhore, që për tre vjet nuk arriti ti ndryshojë ligjit asnjë presje, dhe nuk mundi të implementojë as vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Dhe këtu janë përgjegjës të dyja palët që e bashkëdrejtuan këtë komision. Megjithatë, e rëndësishme është që procesi ka rifilluar, edhe pse në një tjetër format.
Ne si forcë politike jami plotësisht të qartë në kërkesat tona:
Ne kërkojmë rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, që u hoqën në mënyrë absurde.
Ne kërkojmë lista të hapura zgjedhore
Ne kërkojmë mundësimin e votës së qytetarëve që jetojnë e punojnë jashtë vendit.
Ne kërkojmë ndryshimin e zonave zgjedhore.
Si dhe implementimin e sygjerimeve të OSBE/ODIHR-t
Një mazhorancë e gërryer nga korrupsioni dhe keqqeverisja, do të tentojë të mbajë pushtetin vetëm përmes makinacioneve ligjore, ndaj ndryshimet në ligjin zgjedhor janë një domosdoshmëri.
Te nderuar miq!
Opozitarë nuk jemi vetëm ne që jemi në këtë sallë, apo anëtarët e partive të tjera aleate. Opozitar është çdo qytetar që nuk është i kënaqur me qeverinë, çdo qytetar që revoltohet sipas mënyrës së tij kur mëson se si paratë e taksave të tij shpërdrohen dhe abuzohen nga ata që ai I ka besuar ta qeverisin. Opozitar është fermeri që derdh qumeshtin dhe qytetari që e detyrojnë të shkojë tek spitali privat pasi në shpitalin publik e kanë prishur paisjen e ekzaminimit. Por jo të gjithë ata që janë kundër qeverisë janë automatikisht votues të opozitës. Nëse ne mendojmë kështu, gabojmë rëndë. Ne duhet të dimë të bëjmë për vete çdo qytetar që nuk është i kënaqur nga puna e qeverisë, jo duke i mashtruar, por duke i bindur të na besojnë. Ne nuk duhet të premtojmë se do të vjedhim më pak, apo do të vjedhim ndryshe. As se thjeshtë do të ndërrojmë ministrat dhe drejtorët e partisë socialiste me ca ministra e drejtorë tanët.
Ne duhet të prodhojmë një alternativë të besueshme qeverisëse.
Opozita sot nuk duhet të mjaftohet vetëm me denoncimin e korrupsionit. Ne, të gjithë sëbashku, duhet të prodhojmë një alternative politike që ti frymëzojë ata qytetarë që kanë humbur çdo lloj besimi tek politika dhe që ditën e zgjedhjeve qëndrojnë në kafene. Ne duhet të prodhojmë frymëzim për rininë, që në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar na braktisi në mënyrë të frikshme. Vetëm 13 % e atyre që votonin për herë të parë e ushtroi këtë të drejtë. Kjo është një këmbanë alarmi veçanërisht për opozitën.
Në duhet të prezantojmë një ofertë të re, në njerëz, në ide dhe në program.
Ne nuk mund dhe nuk duhet të vijmë në pushtet sepse socialistët janë të korruptuar. Ne nuk mund dhe nuk duhet të vijmë në pushtet sepse na ka ardhur radha, pasi ata u lodhën apo sepse boll vodhën.
Jo!
Ne duhet të vijmë në pushtet, duke premtuar dhe bindur qytetarët se, së pari, do të shkatërrojmë mekanizmat ligjore dhe administrativë, përmes të cilave ata që kanë pushtet përvetësojnë pasuritë publike dhe abuzojnë me taksat e qytetarëve. Dhe së dyti, do të ngrejmër mekanizma që sigurojnë lirinë ekonomike dhe lirinë politike.
Të dashur miq e kolegë!
Ju e dini, se Partia Agrare Ambientaliste, është një parti e qendrës. Ne kemi qëndruar gjithmonë larg agresivitetit politik. Jemi përpjekur të jemi gjithmonë pranë njerëzve dhe të adresojmë nisma ligjore që mbështesin njerëzit e punës. Sot, më shumë se kurrë, kësaj situate, ne duhet ti përgjigjemi pikërisht me njerëz të ndershëm dhe njerëz të punës. Ne nuk mundemi dhe nuk do ta bëjmë kurrë që tu kërkojmë votën qytetarëve në këmbim të parave. Ne do tu kërkojmë ayre të na besojnë në ndershmërinë dhe në përkushtimin tonë, që e kemi dëshmuar gjithmonë.
Suksese Partisë Agrare Ambientaliste
Suksese të gjithë juve në këtë sallë dhe çdo anëtari të saj.