Masakra e Nakaradës në Kosovë, Kurti: Prokuroria Speciale të bëjë drejtësi

0
407

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar masakrën e Nakaradës, ku 16 burra e djem u morën nga ushtria serbe. Pas shtatë vitesh ata u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit.

“16 burrat dhe djemtë e familjes Mirena, policia dhe paraushtarakët e Serbisë i ndanë nga familjarët e tyre. Për herë të fundit u panë më 21 prill 1999, me duart e lidhura pas shpine, gjersa nën kërcenime e dhunë, ecnin drejt kamionit i cili po priste matanë shinave të trenit”, shkruan Kurti.

Ai shtoi se familjet jetuan në ankthin e pritjes, pa ditur për fatin e tyre për shtatë vite.

“Në vitin 2006, u gjetën në varrezën masive në Batajnicë të Beogradit (nga e cila u zhvarrosën gjithsej 744 shqiptarë të Kosovës)”.

Hetimet për masakrën në Nakaradë i kishte filluar UNMIK-u në vitin 2000.

“Në vitin 2008, dosja i ishte dorëzuar EULEX-it, ndërsa në 2018 çështja u dërgua në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Ende nuk janë dënuar autorët e as urdhërdhënësit e kësaj masakre”, shprehet Kurti.

Kreu i qeverisë në Prishtinë ka bërë thirrje edhe njëherë se shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, sistemi i drejtësisë, të veprojë shpejt e me ngulm, për të sjellë drejtësi për të gjitha krimet që ka kryer Serbia në Kosovë.