Drejtorët e bashkisë së Tiranës, disa prej të cilëve janë arrestuar, pas akuzave nga SPAK, nuk kanë investuar vetëm në Tiranë, por edhe në zona turistike. Në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në MCN TV, gazetarja Ola Xama, tha se drejtorët e bashkisë së Tiranës, Elvin Tivari dhe Redi Molla, janë aksionerë te hoteli “La Brisa” në Dhërmi.
“Hoteli në Dhërmi “La Brissa”nisi ndërtimin në fundin e vitit 2021 dhe përfundoi në qershor të vitit 2022. Është ndërtuar pa u pajisur me lejen e ndërtimit dhe pa u regjistruar si biznes në Qendrën Kombëtare të Binzesit.
Kompania La Brissa zotërohet në 60% të aksioneve nga Fatos Malaj (Vëllai i kryebashkiakut të Matit) dhe 40% nga Elvin Tivari, ortak në biznes me Redi Mollën dhe drejtor departamenti në UKT dhe Tirana DC në kohën që Redi Molla ishte administrator.
Hoteli në Dhërmi është ndërtuar nga kompania ABG në pronësi të Durim Mustafaj dhe për punimet brendshme LUEM Trade& Konstruksion dhe nga Arlis Ndërtim, kompani në pronësi të Armand Lilos, e favorizuar nga Bashkia Tiranë për të mos paguar tarifën e depozitimit të dherave në landfillin e Sharrës.
Dyshohet se pronar de facto në këtë hotel është Redi Molla dhe Fatos dhe Agron Malaj. Sipas disa lëvizjeve financiare, kompania ABG e Durim Mustafaj (i cili ka qënë në kohën e Redi Mollës drejtor të ujësjellësi i Tiranës) nuk ka marrë pagesën për punimet e kryera në vlerën 630 mijë euro për hotelin dhe për t’i kthyer këto para i është dhënë një tender nga Bashkia Mat me vlerë 3 milionë euro.
Rezulton se kompania “Global Security” në emër të Fatos Malaj, (vëllait të kryebashkiakut të Matit) ka marrë 15 tendera nga Bashkia Tiranë dhe institucione në varësi të saj me vlerë totale 35 milionë euro, ku në 13 procedura ka qënë e përzgjedhur nga Ujësjellësi i Tiranës në kohën që ka qenë i drejtuar nga Redi Molla.
Kompania “Global Security” po ashtu rezulton të ketë lidhur marrëveshje me kompaninë Integrated Energy Bv SPV (koncesionarin e inceneratorit të Tiranës) për të kryer shërbimin e sigurisë fizike të landfillit dhe paguhet 32 mijë euro në muaj.
Redi Molla bashkë me Elvin Tivarin kanë shtrirë aktivitetin e tyre dhe në restorante, ku kanë hapur një restorant luksoz në zonën e ish-bllokut, “Di Gaia” dhe “4 stinët” dhe janë bashkinvestitorë në Hotelin në Durrës. Planet janë që të ndërtojnë një tjetër hotel në Dhërmi ngjitur me emrin “La Brisa 2”.
Në industrinë e ndërtimit janë investuar edhe para të tjera. Përmes firmës 5D Konstruksion në mars 2021 kanë nisur ndërtimin e një pallati 9 kate në rrugën “Joklin Persi” në Yzberisht. Në 14 prill 2022 kanë nisur ndërtimin në rrugën “Kahreman Ylli” në Kinostudio për një pallat 8 kate dhe në 14 qershor 2023 ka nisur ndërtimin për një godinë 9 kate në afërsi të lagjes 5 Maji.”-tha Xama.