NGA BESNIK DIZDARI
PJESA E PARË
Siç kam premtuar, nëpërmjet këtij shkrimi të posaçëm po risjell ndeshjen e parë në histori midis një kombëtareje të Italisë dhe të Shqipërisë. Ka ndodhur më 14 mars dhe 4 prill të vitit 1984. Këto janë dy ndeshjet që po i quaj të famshme për nga risia e zhvillimit të tyre, që u sendërtuan ngaqë Shqipëria e 21- vjeçarëve arriti të ishte një nga tetë më të mirat e kontinentit.
Kishte arritur këtu, duke eliminuar tri fuqi apo superfuqi të futbollit evropian, të cilat ishin Gjermania (RFGJ), Austria dhe Turqia. Edhe kohët e fundit e kam ritreguar me plot të reja këtë arritje të Shpresës së Ramazan Rragamit e Petraq Ikonomit. E kam ritreguar, si të thuash, nga dita e parë deri te ajo e fundit, ajo e Trierit e 19 nëntorit 1983, madje me të gjithë reportazhet e autorëve që e kishin përshkruar asokohe këtë ngjarje.
E kemi ngritur lart. Mirëpo, historia nuk mund të shkruhet e pjesshme. Dhe do ta “festojmë” këtë 40- vjetor me dy ndeshjet e 1/4-tave finale Shqipëri-Itali duke qenë se është përvjetor absolut i ndeshjes së parë midis dy shteteve në këtë rang. Për fat, ato ishin të dyja humbje, ndonëse ngushtë, vetëm 1-0.
Ky rikujtim, në të vërtetë, ka dhe synimin jo thjesht për të ringjallur një histori, por ka dhe synimin kritiko-analitik të një kohe e të një gazetarie datuar 1984. Kësisoji, ngaqë 14 marsi dhe 4 prilli 1984 janë dy datat e para që fiksojnë ndeshje shtetërore apo kombëtare midis Shqipërisë dhe Italisë. Është një 40-vjetor që po përkon pikërisht me turneun final të një Kampionati të Europës, që është ky edicion i vitit 2024 në Gjermani, ku do të përballen Kombëtaret e para Shqipëri-Itali.
Në atë 1984, Shqipërinë komuniste e cila ishte në një vazhdimësi vitesh “oruelliane”, këto dy ndeshje po e bënin të mbante frymën. E bashkë me te edhe regjimin. Euforia e kualifikimit të “Shpresës” në një farë mënyre nuk po ndalte. Ishte një lloj euforie që guxonte të kërkonte deri kualifikimin e mundshëm ndaj Italisë. Ndonëse një gjë është e vërtetë: gazeta “Sporti Popullor”, kryeredaktor i së cilës isha, e vetmja po ruante një qetësi jashtë çdo euforie. Gabimin ajo do ta bënte vetëm mbas zhvillimit të dy ndeshjeve me Italinë.
Sot më duhet të gjykoj se ndoshta euforia më e madhe qëndronte disi në prapaskenë te Partia. “Shpresa” 21-vjeçare e Shqipërisë i kishte dhuruar asaj një vëmendje ndërkombëtare falë një suksesi të madh futbollistik. Kualifikimi i Trierit kishte bërë madje që “Shpresa” shqiptare të renditej prej “World Soccer”-it britanik, midis 8 skuadrave më të mirave të Botës për vitin 1984.
Ndërkaq, çudia më e madhe do të ishte një tjetër: që në atë izolim të pashembullt të Shqipërisë, regjimi do të pranonte të vinin rreth 40 gazetarë italianë për ndeshjen e Tiranës, ardhja e të cilëve përbënte rastin e parë, krejt të veçantë, të cilit do t’i kthehemi më pas…
TIRANË, 14 MARS 1984: SHQIPËRI-ITALI 0-1
Dhe shkojmë te ndeshja e parë, ajo e Tiranës, e 14 marsit, paraqitja skeduese e së cilës është kjo:
14 mars 1984. Tiranë. Stadiumi Kombëtar “Qemal Stafa”.
“SHPRESA” E SHQIPËRISË – ”SHPRESA” E ITALISË 0-1
GOLAT: Monelli 90’.
SHQIPËRIA: Durimi (7), Zmijani (6), Targaj (6), Ocelli (6.5), Jera (6.5), Canaj (7), Vila (6), Josa (6), Topçiu (5), Demollari (7), Braho (6.5) (Kushta 78’).
TRAJNER: Ramazan Rragami
ITALIA: Rampula (6’), Galia (7), Bonetti (5.5), Icardi (7), Galli (7), Renica (5.5), Mauro (7.5), Batisttini (5), Mancini (6.5), Vignola (6), Monelli (6.5).
TRAJNER: Azeglio Viçini
GJYQTARË: Z.Kirschen, V.Hermann. H.Kulike (RDGJ).
SHIKUES: 20.000
Sot mendoj se ka qenë një ndeshje krejt normale, por shkrimi ynë në mënyrën më të papranueshme i vendosur në faqen e katërt (e fundit) të gazetës nuk e përshkruan. Ai është i gjithi problematik dhe kritik. Më duhet të pranoj sot, se nuk duhej vepruar ashtu. Nuk duhej edhe sepse ajo e Shqipërisë ishte një skuadër e shtetit të një futbolli që duhej konsideruar mesatar.
E përveç të tjerave, edhe ngaqë ajo vinte mbas një suksesi të madhe europian të vetëm para 4 muajve. Dhe t’i sulej me një kritikë asisoji? Duke harruar, përveç të tjerave, se humbja e minutës 90 vinte prej skuadrës së një shteti, Kombëtarja e parë e të cilit vetëm 20 muaj më parë ishte shpallur Kampione e Botës.
Është një shkrim në të cilin mungon krejtësisht kronika e ndeshjes. Shkrimi mban titullin “Synimet më të larta duan përgatitje edhe më të lartë”. Kuptohet, një titull prozaik, disi urdhërues. Dhe më e rëndësishmja: një shkrim që sundohet nga fraza kritike si këto:
“... Skuadra jonë në takimin e parë çerekfinale për kampionatin evropian nuk tregoi cilësitë e saj të njohura”.
“… Analiza e vetë ndeshjes jep një rrjedhë të tillë: pas 45 minutave të para vazhdimi dha një lojë në vijë zbritëse, aq sa pothuajse u shua fare… Problemi që del është i qartë: skuadra ishte e papërgatitur.”
“… Lojtarët e “Shpresës” sonë u treguan të lodhur, të ngadalshëm, pa ritëm, të meta këto që sollën një shtampë të tërë tekniko-taktike”.
“… Dhe përgjegjësia është po aq konkrete. Ajo rëndon mbi trajnerët e ekipit R.Rragami e P.Ikonomi, që kanë punuar me sa duket me qetësinë e sigurinë e sukseseve të mëparshme, apo edhe tek specialisti i FSHF-së, Miço Papadhopulli, që ka qenë i ngarkuar pranë ekipit… E deri te vetë sektori i futbollit”,
“…Loja e dobët e Shpresës sonë nuk është rezultat vetëm i një dite, i 14 marsit. Hallkat e dobësive që nisën me euforinë e dëmshme vazhdojnë me paraqitjen jo të mirë në kampionat”.
Sot pas 40 vjetëve, duke qenë se kam qenë një nga autorët e këtij shkrimi të firmosur jo me emra, por me siglën “Korresp. i “Sportit Popullor”, mbetem doemos i shtangur. Deri atë ditë kishim shkruar deri në hollësi, madje dhe me analiza e kronikë, me stil e përshkrime emocionuese, jo vetëm unë me shkrimin përfundimtar nga Trieri i Gjermanisë, por edhe autorët e tjerë në shkrimet e tyre për ndeshjet, siç mund t’i keni lexuar kohët e fundit këtu, në “Panorama Sport”. Kësisoji, ky shkrim ishte një kthesë e çuditshme, madje i botuar vetëm në faqen e katërt, përveç të tjerave pa asnjë foto! E pra, ndeshja ishte sa e një rëndësie historike, po aq edhe e një rëndësie të jashtëzakonshme për vetë politikën e gjeopolitikën e Shqipërisë komuniste.
Dhe vazhdojmë me ndeshjen e kthimit, atë të 4 prillit 1984 në Breshia të Italisë.
BRESHIA, 4 PRILL 1984: ITALI–SHQIPËRI 1-0
Gjithçka do të përsëritet edhe në këtë ndeshje të kthimit në Breshia. Fiton përsëri Italia po 1- 0. Dhe “Sporti Popullor” që kopjon vetveten. Shkrim po në të njëjtin vend të faqes së katërt, po në tri kollona, po në atë gjatësi, po në atë stil kritik të pamëshirë, si të kishte humbur Shqipëria – Kampione e Botës. Vetëm titulli i shkrimit është tjetër në rreptësinë lakonike të tij: “Ndjenja e përgjegjësisë”!
Vendosim në fillim edhe këtu pamjen skeduese të ndeshjes:
4 prill 1984. Breshia. Stadiumi “Mario Rigamonti”.
“SHPRESA” E ITALISË–”SHPRESA” E SHQIPERISË 1-0
GOLAT: Vignola 33’.
ITALIA: Rampula, Galia, Bonetti (Caricola 85’), Icardi,Pin, Renica, Mauro, Batisttini, Mancini (Galderisi 46’), Vignola, Monelli.
Trajner: Azeglio Viçini
SHQIPËRIA: Durimi, Liti, Hodja, Jera, Ocelli, Canaj, Demollari (Briza 70’), Josa, H.Ballgjini, Vila, Topçiu.
Trajner: Ramazan Rragami
GJYQTAR: S.Alandren
Shkëpusim nga shkrimi:
“… Shpresa u largua nga çerekfinalet e kampionatit evropian pa treguar cilësitë e saj të njohura, pa arritur të paraqesë futbollin e saj të shpejtë, sulmues, energjik, të fortë”.
“… Ekipi pati një përmirësim në lojën në mbrojtje ku spikati dyshja Hodja-Jera, në nivelin e së cilës qëndroi edhe Josa. Por vetëm kaq. Shumë pak”.
“… Një skuadër, pasi ka zhvilluar një sërë ndeshjesh të shkëlqyera, përmes së cilave ka eliminuar skuadra ndër më të njohurat që shkojnë deri te nënkampionia e Europës, detyrimisht kuptohet që i ka forcat, mundësitë, energjitë, aftësitë për të luftuar për më tej”.
“… Golin e Vignola-s, të cilin ashtu si dhe të ndeshjes së parë shënuar në minutën e 90-të nga Monelli, kurrkush nuk u përpoq ta ndalte, u shënua në minutën e 33-të”.
“… Është e qartë, pa asnjë shkak e arsye, skuadra kësaj radhe pak besonte në forcat e saj”.
“… Për çudi u pa se lojtarët u pajtuan që në takimin e parë për “fatin” e ecurisë së këtyre dy ndeshjeve, pa luftuar me ngulm për të shkuar më tej”.
“…Gjithmonë është folur për disa veçori të futbollit shqiptar, si për temperamentin e veçantë, shpejtësinë, shpirtin sulmues, qëndrueshmërinë, guximin sportiv. E pra, pikërisht kjo Shpresë i ka paraqitur këto cilësi të vyera në ndeshjet e saj të grupit… Nuk duhej që të gjitha këto të zbeheshin kaq shpejt e të kalohej në një lojë të një qetësie olimpike. Ku lojtarët tepër “të butë” sikur ruheshin se mos prishnin “rreshtin”.
Sot, për një çast, të lind pyetja: mos na kishte orientuar partia që këtë ton kritik të ideve, sigurisht të rregullta për forcimin e sportit socialist të futbollit, ta parashtronim kësisoji në këtë shkrim? Kurrsesi! Asnjë orientim nuk i ka ardhur redaksisë për të shkruar kështu. Mbase ndoshta ne e kuptonim pakënaqësinë e Partisë për këto dy humbje dhe “të bindur” shkruanim kështu. E vështirë ta thuash sot edhe diçka të tillë. Aq më tepër që Partia (“mësimet” e saj) në shkrimin e parë nuk përmendet aspak, ndërsa në të dytin vetëm një herë.
Si në një parantezë e gjitha kjo të duket diçka e lehtë për ta tejkaluar, por vetëm ata gazetarë të cilët kanë punuar si të tillë në atë sistem, mund të na kuptojnë. Tjetër është besimi i yni, se prej gjithë kësaj diçka ju vlen të kuptojnë edhe brezit të ri të gazetarëve të sotëm. Shkrues të tjerë të vetëkënaqura po trima të mbasluftës që kemi dëshirë të na kuptojnë…
GJYKIMI DHE RRJEDHA E HERËS SE PARË “ITALI-SHQIPËRI”…
Vetëm 6 muaj më vonë Kombëtarja e Shqipërisë, bazë e së cilës do të ishte kjo “Shpresë”, do të trondiste pak a shumë Europën e futbollit me dy ngjarje fort të mëdha: Poloni-Shqipëri 2-2, e mbi të gjitha, Shqipëri-Belgjikë 2-0! Ishin për Kupën e Botës 1986. Do të kthehemi në kohën e duhur edhe te ky 40-vjetor tjetër, që është ky i këtyre dy ndeshjeve.
Por këtu vetëm po shënoj se ajo Kombëtare e bujshme kundër polakëve dhe belgëve, thuajse përbëhej prej kësaj “Shprese” të humbur dy herë me atë të Italisë në atë pranverë ’84. E vjeshta 1984 nuk do të vononte. Ajo do të sillte po me bujë Shqipërinë e parë të trajnerëve të paharrueshëm Shyqyri Rreli dhe Medin Zhega. Pjesë protagoniste e saj do të ishin Targaj, Hodja, H.Ballgjini, Demollari, Josa, Zmijani, Ocelli, Vila, pikërisht të kësaj “Shprese” humbëse të 14 marsit e të 4 prillit të po atij viti!
Atëherë, si nuk parashikuam diçka më përtej dhe çka patëm që iu sulëm asisoji “Shpresës” së Ramazan Ragamit, e cila vetëm mbas gjashtë muajve, pra, u shndërrua në këtë Kombëtare të pashlyeshme për gjithë historinë e futbollit shqiptar?
Dhe për çudi, nuk donim t’ia dinim se kjo “Shpresë”, në fund të fundit, po themelonte e para atë që na mungonte në marrëdhënie me fqinjin tejet të afërt, Italinë. Atë Itali që kishte ndërhyrë aq fort edhe në themelimin e futbollit shqiptar. Me instruktorë e trajnerë, me studentë të shkolluar atje, me organizim kampionatesh deri në vitet luftës, me klube të ardhur në Shqipëri, e plot të tjera…
Duhej t’ia dinim për nder nga ana historike. Po për fat ishim të nënshtruar pa guxuar t’i dilnim sado pak përballë një opinioni të politikës të një partie, e cila nëpërmjet suksesit sportiv, donte t’i tregonte Europës se Shqipëria Socialiste po zhvillohej.
Siç e shihni skedën e ndeshjes së Tiranës, pas çdo emri të lojtarëve, në kllapa janë vënë nota të vlerësimit për secilin. E ka bërë këtë shtypi italian, jo ne. Nëse bëjmë një mbledhje të vlerave të notave, del se Shqipëria ka kuotën 69.5, po aq, pra, 69.5, e ka edhe Italia. Është një barazim, çka tregon se loja e shqiptarëve nuk bie më poshtë. Dhe ky nuk është ishte vlerësimi ynë, por i revistës “Guerin Sportivo”. Sigurisht nuk jemi aq naivë sa të absolutizojmë këtë vlerësim “matematik”, subjektiv megjithatë.
Ajo që vlerësojmë sot pas 40 vjetëve, është kjo tjetra: që “Shpresa” e Shqipërisë për këto dy humbje minimale, në shkrimet tona assesi nuk duhej trajtuar ashtu siç kishim vepruar ne, me në krye autorin kryesor të këtij shkrimi të sotëm si drejtues i gazetës.Shkojmë tek shtypi italian. Është shkrimi i njërit prej të dërguarve për ndeshjen e Tiranës, i cili ishte gazetari i mirënjohur – ende sot në aktivitet të plotë – Marco Montanari. Shkrimi është botuar në revistën e famshme “Guerin Sportivo” – më e përbotshmja në jetëgjatësinë e themelimit të saj, qysh në vitin 1912 e deri më sot. Ndaj së cilës mbas pak vitesh kam pasur kënaqësinë të bashkëpunoj.
Këtu është shkrimi i saj i përkthyer fjalë për fjalë.
TIRANA E ËMBËL
Nga MARCO MONTANARI
* Falë një goli të Monellit në të 90’, të kaltërtit kanë shpalosur serinë hipotetike të kalimit në gjysmëfinalet e Kampionatit kontinental
TIRANË. Të tmerrshmit Monelli të Azeglio Vicinit e kapërcyen pengesën e Shqipërisë pa shumë telashe, duke hedhur themelet për një kualifikim “historik” në gjysmëfinalet e Kampionatit Europian nën 21 vjeç, që do të zyrtarizohet më 4 prill në Breshia kur të kaltërtit do të fiksojnë mposhtjen e të kuqve të Rragamit. Na u pat dukur si një shëtitje ndeshja e Tiranës, por përkundrazi, kundërshtarët tanë u treguan në lartësinë e detyrës (në rastin më të keq ata mbesin gjithnjë në një nga tetë vendet më të mira evropiane), duke ia vështirësuar jetën Batistinit dhe shokëve të tij. Nëse ndonjë lojtar italian bashkëpunoi aktivisht për ta bërë ndeshjen më të pasigurtë, duke bërë shumë gabime, kjo është një çështje tjetër.
TË KALTRTIT – Djemtë e Vicinit u rritën me kujdes, duke krijuar shumë raste për të shënuar, çka nuk u realizuan vetëm nga fati i keq dhe besimi i tepruar. Më i miri në fushë ishte Massimo Mauro, një rikthim me këmbën e tij magjike që ka të metën e vetme që nuk kërkon kurrë një goditje në portë. Këtë vit Mauro është rikthyer në nivelet e Catanzaros dhe gjithashtu në Udinese po tregohet si një kampion, natyrisht nëse Bearzot i beson. Masimo është sigurisht gati për hovin e madh. Në mbrojtje, sampdoriani Galia dhe lojtari i Milanit, Galli, u paraqitën shumë mirë, pa harruar se ky i fundit ishte debutues me të kaltrtit. Galia ishte një luan, teksa mbylli vrimat e disa shokëve për mosvëmendje, duke dhënë në disa raste edhe kontributin e tij të zakonshëm në fazën e sulmit.
Nga ana tjetër, Galli eliminoi qendërsulmuesin Topçiu, i cili ishte paramenduar si një “rrezik publik”. Në mesfushë nuk ka qëndruar më poshtë dinamizmi i Andrea Icardit, një tjetër milanisti, i cili meriton një 7 të mirë në kartën e raportit. Dy “puntat”, Mancini dhe Monelli, krijuan shumë mundësi, duke realizuar vetëm një gol në kompleksin e provës së tyre, çka duhet konsideruar mëse e mjaftueshme. Midis të tjerëve, Batistini dukej se nuk ishte shumë në top. Vignola ishte më pak agresiv se zakonisht, por duhet thënë se iu desh të punonte shumë në mbulim. Rampula nuk kishte shumë për të bërë dhe më në fund Boneti dhe Galia kanë çaluar pak vetëm në fillim, por gjithsesi arritën ta përfundonin lojën me rritje.
SHQIPTARËT – Në prag të ndeshjes, në klanin blu ka pasur shumë shqetësim. Raportet nga gjermanët dhe austriakët për Shqipërinë, në fakt, ishin alarmante: shpejtësi e madhe, ndonjëherë konkurrencë e tejskajshme, një publik shumë “i nxehtë”. Në praktikë, megjithatë, u pa pak nga e gjithë kjo. Shqiptarët dukeshin të tensionuar, gati të mpakur, ndërsa publiku u soll shumë korrekt dhe në 90 minuta nuk pati asnjë ndërhyrje të keqe. Mes individëve vlen të veçohet paraqitja e Sulejman Demollarit, një mesfushor 19-vjeçar nga Dinamo e Tiranës i cili luan, si të thuash, në majë të gishtave dhe i cili kur shkon drejt portës bëhet shumë i rrezikshëm.
I shkëlqyer ishte edhe mesfushori Canaj, një motor i pashtershëm që bëri disa herë kërdinë në mbrojtjen e të kaltërve. Edhe portieri Durimi (Mersini) nuk ishte pa merita dhe ishte i pafajshëm për golin e fitores që shënoi Monelli në mbarim të kohës së ndeshjes.
KTHIMI – Ndeshja e kthimit do të luhet në Breshia më 4 prill. Në letër duhet të jetë pak më shumë se një formalitet, qoftë edhe për epërsinë golit të shënuar jashtë shtëpisë. Vicini dëshiron të konfirmojë skuadrën fitimtare në Tiranë, qoftë dhe me dyzimin për dyshen Ferri-Boneti apo me përfshirjen në fushën e lojës të një Galderisi. Kjo nëse ndërkohë ose Monelli, ose Mançini do të goditeshin prej ndonjë shakaje boshe (edhe sepse “Nanu” i këtij ekipi “U21” ka qenë gjithmonë titullar dhe në Shqipëri nuk ka luajtur vetëm për arsye taktike”).
Në fund të fundit, në ndeshjen e katërt Kombëtarja e Azeglio Vicinit do të mund të arrijë më në fund objektivin e gjysmëfinales, i cili megjithatë, ende mbetet një ëndërr. Një sukses ky që do të mund të mbërrinte në këtë sezon, teksa ka parë rënien e ekipit kombëtar Kampion i Botës dhe ekipit përfaqësues Olimpik. Çka do të na shërbente për të shpëtuar të paktën pjesërisht atë nder që futbolli ynë fitoi me meritë në Kupën e Botës 1982.
Siç shihet shkrimi i Marco Montanari-t “deklasifikon” shkrimin tonë të rreptë, teksa nuk e ul skuadrën shqiptare. Madje përkundrazi, ai tregon më me vërtetësi nga ne, sa meritat e saj, po ashtu dhe të metat. Shkrimi i gazetarit italian të “Guerin Sportivo”-s është një shkrim përurues i ndeshjes së parë kombëtare Shqipëri-Itali.
Pa harruar ato të gazetave të tjera, që nga “Corriere della Sera”, “La Gazzetta dello Sport” e deri te “L’Arena” e Veronës”, redaksitë e të cilave autori i këtushëm ka patur fatin t’i vizitojë, duke ritakuar edhe disa prej të dërguarve të posaçëm në ndeshjen e Tiranës të 14 marsit 1982.
Do të kemi edhe një pjesë të dytë që i kushtohet këtij 40-vjetori që sa do të hyjmë brenda përmbajtjes së ndeshjeve, po aq do të dalim jashtë tyre për të mbërritur te “politika” apo “gjeopolitika” e saj dhe deri te kapriçot e takimeve tona me rreth 40 gazetarët italianë.
Ashtu si këto ndeshje të herës së parë, mbërrinin edhe ata po për herë të parë në tokën shqiptare. Çka në historinë e Shqipërisë së pas luftës ishte e paprecedent. Na i kishte sjellë suksesi i madh i Kombëtares së Shqipërisë së 21-vjeçarëve, 1983-1984, e cila nuk mund të harrohet kurrë… PANORAMASPORT.AL