BallinaAktualitetArrestohen me urdhër të SPAK tre persona/Tentuan trafikonin nëpërmjet detit një sasi...

Arrestohen me urdhër të SPAK tre persona/Tentuan trafikonin nëpërmjet detit një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike

spot_img
spot_img

Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme janë vendosur në pranga 3 persona, të cilët ishin nën hetim, si persona të dyshuar  për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Këta shtetas tentuan të trafikonin një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike nëpërmjet detit.

Operacioni “Flakë në det” i ndërmarrë vitin e kaluar çoi në pranga dhe një Komisar të Kurbinit, Dritan Metaj, që dyshohej se shoqëronte të njohurin si baronin e drogës, Gëzim Çela, dhe anëtarë të tjerë të grupit të drogës.

Njoftimi:

Në vijim të veprimeve proceduriale, në lidhje me procedimin penal nr. 185, të vitit 2023, në kuadër të të cilit, është zhvilluar operacioni policor i datës 15.08.2023, i emërtuar “Flakë në det”, ku nëpërmjet detit është tentuar të trafikohet një sasi e konsiderueshme lëndësh narkotike, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e  Organizuar, me vendimin nr. 46, datë 29.04.2024, ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, për caktimin e masës së sigurimit për personat nën hetim  A. D., S. L. dhe K. B.,  si persona të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 283/a,  333/a dhe 334 të Kodit Penal.

Masat e sigurimit ndaj personave nën hetim A.D. S.L. dhe K.B., janë ekzekutuar nga Oficerët e Policisë Gjyqësore pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në datën 30.04.2024.

Gjatë ekzekutimit të vendimit për caktimin e masave të sigurimit, është ushtruar kontroll në disa banesa dhe subjekte tregëtare.

Emisioni “Në Shënjestër ka trajtuar operacionin policor “Flakë në Det”, ku zbulohet se si u dekonspirua grupi i narkotrafikantëve që tentuan të shkëmbejnë drogë në mes të detit Adriatik në gusht të këtij viti.

Dokumentari:

14 Gusht 2023

Deti në këtë ditë duket i qetë. Edhe pse është kulmi i sezonit dhe policia është e fokusuar maksimalisht te siguria e pushuesve, ky sinops i situatës në terren duket të jetë veçse një mendim i gënjeshtërt, për grupin e narkotrafikantëve që kanë zgjedhur pikërisht këtë periudhë të vitit për të kryer shkëmbimin e tyre të radhës të madh të drogës.

Arlind Ismailukaj, dikur një oficer policie, në dukje është një biznesmen që merret me dhënien me qira të makinave. Një biznes shumë i përhapur në Shqipëri, por që shpesh përdoret nga individë me rekorde kriminale për të kamufluar aktivitetin e tyre të vërtetë, atë të paligjshëm.

Edhe pse i larguar prej kohësh nga organizata e policisë, ai vazhdon të jetë një njohës i mirë i terrenit dhe i lidhjeve brenda strukturës së uniformave blu.
Megjithatë ky mëngjes, duket se është fundi i tij në rolin e dyfishtë të një ish-agjenti të policisë dhe njëkohësisht ndërlidhësi të grupit kriminal, por edhe finishi i maratonës së grupit të tij të bashkëpunëtorëve në trafikun e drogës.

Këta të fundit në harkun kohor të shumë viteve kishin mundur të ndërtonin një perandori të tyren të linjave detare të narkotrafikut. Ashtu si edhe këtë mëngjes mesgushti, kur Ismailukaj ishte nisur me një makinë të marrë me qira drejt Luginës së Patokut, pa e ditur se tashmë ishte në survejimin e atyre që dikur ishin kolegët e tij të Policisë së Shtetit.
Operacion i quajtur ‘Flaka në Det’ do të shpërbente grupin që ndërkohë po përgatitej të shkëmbente në det një sasi të madhe kanabisi në këmbim të një ngarkese me heroinë.

Në krye të këtij grupi të rëndësishëm të trafikimit të drogës do të ishte i njohuri si ‘Baroni’ shqiptar i drogës, Gëzim Çela, edhe ky dikur një ish-efektiv i RENEA-s, i cilësuar shpesh si ‘I pakapshmi’. Cilësim ky, i përfituar për akrobacitë e tij me policinë, duke mundur t’ia hedhë shpesh drejtësisë, edhe sot kur vazhdon të jetë në arrati të plotë.

Por çfarë ndodhi atë mëngjes të 14 gushtit 2023? Si u dekonspirua Gëzim Çela dhe grupi i tij bashkë me Ismailukaj, në operacionin miliona euro të shkëmbimit të drogës në det të hapur?

Sipas të dhënave të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’, gjithçka nis pas informacioneve të mbledhura nga strukturat e inteligjencës së policisë, se një grup kriminal i dedikuar në linjat e trafikun të lëndëve narkotike, prej kohësh po i investonin paratë e fituara nga ky aktivitet kriminal, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë në Shqipëri. Ky grup sipas të dhënave operative, drejtohej nga Gëzim Çela, i cili ndërsa vilën e tij luksoze e ka në zonën e Fushë-Kuqes në Kurbin, aktivitetin e tij duket se e drejton nga arratia. Aty nga ku kohë pas kohe jep direktivat e tij për ngarkesat me drogë dhe operacione në det që mund ti kryejnë vetëm organizata të sofistikuara kriminal.

Dosja Hetimore

Nga ana e policisë janë administruar të dhëna për faktin se një grup shtetasish shqiptarë në bashkëpunim me shtetas të huaj dyshohet se kryejnë aktivitet kriminal të trafikimit të lëndëve narkotike në rrugë detare dhe tokësore nga Turqia në Shqipëri. Si edhe nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së dhe më pas të ardhurat nga aktiviteti kriminal i investojnë në Shqipëri.

Nga informacionet janë siguruar të dhëna se më datë 14 gusht 2023 do të trafikohej një sasi e konsiderueshme cannabis sativa nga Patoku Kurbin me mjete lundruese nëpërmjet detit dhe kjo lëndë narkotike do të shkëmbehej me kokainë e cila do të trasportohej me mjet lundrues me ekuipazh shtetas ukrainas. Lënda narkotike do të trafikohej nga pjesëtarët e këtij grupi kriminal. Sipas policisë, gjithçka nis në orët e para të mëngjesit të datës 14 gusht.

Ky është momenti kur një nga grupet e vëzhgimit të pozicionuara në terren vëren lëvizjen nga bregdeti i Patokut të një gomoneje që niset me shpejtësi drejt detit.
Aty pikëtakimi do të ishte me një velierë me flamur jo shqiptar, të ankoruar në det të hapur, e cila drejtohej nga dy shtetas të huaj, me kombësi ukrainase. Me të konstatuar praninë e policisë shqiptare, vendosën djegien e mjetit lundrues, bashkë me të edhe të sasisë me lëndë narkotike, me qëllim fshirjen e gjurmëve të drogë në bord.

Dosja Hetimore

Në dalje nga Lugina e Patokut është konstatuar një mjet gomone duke lëvizur me shpejtësi në drejtim të një mjeti tjetër lundrues të tipit velierë, e identifikuar më pas si Veliera NIULA me flamur të huaj, që kishte kishte hyrë pa njoftuar në ujërat territoriale shqiptare në afërsi të Kepit të Rodonit. Policia u vu në ndjekje dhe në momentin kur dy shtetasit ukrainas kuptuan që ishin në ndjekje, ata i vendosën flakën velierës dhe zbritën nga aty me një mjet shpëtimi.

Ndërsa mjeti tjetër lundrues që drejtohej nga shtetasi shqiptar i nisur nga Laguna e Patokut u largua.
Shpejt u kuptua se në gomonen e drejtuar, nga shtetasi i identifikuar si Besnik Brokeri, pasagjer me statusin i privilegjuar, ishte edhe një tjetër personazh i rëndësishëm i botës së krimit në vend. Ky pasagjer, do të ishte Arben Dalipaj, nga Vlora. Me një CV të pasur, të mbushur me rekorde penale, sidomos në trafikimin e lëndëve narkotike, ai është njeriu që mban edhe pseudonimin ‘Kapelja’. Megjithatë ai mundi t’i shpëtojë paq, edhe sot në mënyrë të pashpjegueshme, prangave të policies, që ndërkohë kishte rrethuar detin.

Dosja Hetimore

Pas disa orësh ndjekje policia sekuestroi mjetin që drejtohej nga shtetasi, Besnik Brokeri.
Ku në këtë mjet lundrues rezulton të ketë qenë edhe shtetasi Arben Dalipaj, por që nuk u bë i mundur arrestimi i tij në flagrancë.
Ndërsa ‘Kapelja’ i shpëtoi darës së rrethimit të policisë në det, dhe në pranga ranë dy ukrainasit e Velierës dhe drejtuesi shqiptar i gomones, operacioni ‘Flakë në det’, këtë herë vazhdoi në tokë.
Policia kërkonte të zbulonte pjesën tjetër të bashkëpunëtorëve në këtë trafik, ku gjurmët e grackës këtë herë çuan autoritetet në restorantin e shtetasit Nerim Çela. Aty ishte nisur edhe gomonia e ngarkuar me kanabis sativa që do të takohej me velierën me kokainë në det.

Dosja Hetimore

Ndërkohë është ushtruar kontroll në ambjentet e restorant ‘Royal Blue’ ku ndodhej dhe vendstrehimi i mjeteve lundruese nga ku u nis mjeti tip gomone.
Sipas të dhënave ky mjet trasportonte lëndën narkotike që do të shkëmbehej me një tjetër lëndë narkotike e cila ishte në mjetin tip velierë, ku është arrestuar Nerim Cela që është prezantuar si pronar i lokalit. Ndërsa prisnin të gjashtin e grupit, ai nuk vonoi të shfaqej. Ndoshta sepse e kishte pasur të pamundur të informohej në kohë për atë që kishte ndodhur. Ky mysafir i shumëpritur do të ishte Arlind Ismailukaj, dikur ish-efektivi i policisë. Bashkë me të u arrestua si pasagjer në makinën e tij edhe shtetasi, Armando Mema.

Dosja Hetimore

Teksa po kryheshin kontrollet e këtyre ambienteve në orën 02.40 është oborrin e lokalit është konstatuar mjeti tip Audi me targë ABOO4AI kë dtejtues ishte Arlind Ismailukaj dhe pasagjer në vendin e parë Armando Mema, ku gjatë kontrollit në kroskotin e makinës u gjetën shuma të konsiderueshme parash. Sipas skemës së zbardhur nga policia të këtij bashkëpunimi në këtë trafik, lidhja e Arlind Ismailukaj dhe Agron Dalipaj nga Vlora, rezulton e konfirmuar në kohë. Nga informacionet në terren, Dalipaj ishte ai që kishte rolin e siguruesit të drogës, të cilën, më pas nëpërmjet makinave të marra me qira te Arlind Ismailukaj, e dërgonte te lokali i Nerim Çelës në luginën e Patokut, në Kurbin.

Dosja Hetimore

Nga hetimet rezulton se Ismailukaj ka një biznes që jep makina me qera. Ai komunikon me Arben Dalipaj, nga Vlora që njihet me nofkën ‘Kapelja’. Ky i fundit, pasi siguronte drogën bashkë me Armando Memën, me makinat e marra me qira e dërgonin lëndën narkotike te lokali në pronësi të familjes Çela.

Por cila është lidhja e ‘Baronit’ të drogës Gëzim Çela me ukrainasit e Velierës?

Çela që deri para vitit 1997, mësohet se ka qenë oficer i forcave speciale RENEA, por që pas dorëzimit të armës së policisë, mendohet se u përfshi, ende më mënyrë të paqartë, në aktivitetin ndërkombëtar të drogës. Kjo duket se ra edhe në sy të homologëve evropianë, që filluan të ndjenin peshën e tij të rëndësishme si eksponent i fuqishëm i drogës në tregun e tyre, por edhe në shfrytëzimin e prostitucionit. Kjo solli në maj të vitit 2003, dënimin e tij nga një gjykatë italiane me 11 vjet burg për akuzën e favorizimit të prostitucionit. Dënim që ai nuk e vuajti kurrë në Itali.

Pasi u arrestua në Shqipëri për qëllime ekstradimi, çuditërisht gjykata e liroi për arsye shëndetësore. Më vonë rezultoi se ai kishte pëdorur raporte të falsifikuara mjekësore për t’i shpëtuar drejtësisë. Për t’iu kthyer edhe njëherë episodit më të fundit të trafikimit të lëndës narkotike në det, ku i përfshirë del emri i Gëzim Çelës, çfarë thanë për hetuesit shqiptarë, dy ukrainasit e Velierës.

Si e justifikuan ata djegien e mjetit lundrues?

Dosja Hetimore

Gëzim Çela lidhej me ukrainasit dhe organizonte shkëmbimin e drogës në det. Atyre do u jepej hashash dhe prej tyre do të merrej kokainë.
Gjatë marrjes në pyetje, ukrainasi Kostiantyn Biellon ka deklaruar se e ka marrë Kyryli dhe ka patur detyrë të kujdeset për pjesët motorike të Velierës. Ai thotë se mjeti u dogj si pasojë e një shkëndije elektrike. Pak a shumë të njëjtin justifikim duket se dhanë për hetuesit edhe Arlind Ismailukaj dhe Armando Mema, të cilët mohuan se ata kishin lidhje me narkotrafikun në fjalë. Ata u justifikuan se prania e tyre në atë orë në lokal ishte thjesht fryt i rastësisë.

Dosja Hetimore

Armando Mema dhe Arlind Ismailukaj kanë deklaruar se shkuan për të ngrënë darkë në lokalin ‘Royal Blue’, dhe prezenca e tyre ka qenë e rastësishme aty. Ndërsa për paratë që iu gjetën në kroskot, Ismailukaj tha se i ka nga bizneset që ai zotëron.
Versioni i dhënë nga Ismailukaj dhe pasagjeri i tij në makinë, nuk u duk edhe fort i besueshëm nga hetuesit, të cilët edhe këtë herë ndoqën linjën e tyre të hetimit, duke hyrë në aparatët e tyre telefonikë.

Dosja Hetimore

Nga këqyrja e pjesshme e aparatit celular rezulton se Arlind Ismailukaj ka ndër të tjera thirrje të humbura në aplikacionin ‘Signal’ nga një numër maqedonas. Po kështu ka thirrje të humbur në aplikacionin ‘Signal’ nga një numër i regjistruar me emrin ‘Kapelja’ me të cilin ka shumë thirrje.

Ndërsa Gëzim Çela dhe Arben Dalipaj, mundën t’i shpëtonin prangave të policisë, dhe të tjerë plotësuan regjistrin e rekordeve kriminalë, duket se ky nuk ishte grupi i plotë i bashkëpunëtorëve.

Hetimet zbuluan një tjetër emër, këtë herë në krye të policies, që kishte shërbyer si bashkëpunëtor dhe informator i kreut të grupit, Gëzim Çela. Ky person është Dritan Metaj, shef i komisariatit të policisë në Laç. Ai u arrestua më datë 9 tetor, si i fundmi i këtij grupi kriminal, por ndoshta jo i vetmi në vazhdim në këtë histori.

Gjatë megaoperacionit ‘Flakë në det’, policia sekuestroi edhe 2 armë zjarri pistoleta, një shumë të madhe parash, në valuta të ndryshme, si edhe 25 celularë dhe sende të tjera.

Gjithashtu u gjet edhe një sasi prej 23 kg lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa, të gjetur në det, në afërsi të vendit ku u fundos veliera e djegur dhe një mjet lundrues gomone, bashkë me GPS.

Ndërkohë që shefi i komisariatit Laç, Dritan Metaj, ka pranuar nga ana e tij njohjen dhe takimet me Gëzim Çelën, ai është shprehur se ka bërë gabim që e ka takuar pasi e njihte më herët, dhe për këtë arsye nuk e shmangte dot.

“Gëzim Çela, banues në Fushë Kuqe; Arben Dalipaj, banues në Vlorë; Roland Guza, banues në Durrës; Dritan Metaj, me detyrë shef i Komisariatit të Policisë Laç.
Ditën e sotme, Policia e Shtetit ka ekzekutuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për shefin e Komisariatit të Policisë Laç, Dritan Metaj, ndërsa 3 shtetasit e tjerë janë shpallur në kërkim. Policia e Shtetit, në bashkëpunim me homologët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, po punon intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tyre, pasi nga informacionet dhe verifikimet e deritanishme rezulton se këta 3 shtetas janë jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë”, shprehej kreu i Policisë, Muhamet Rrumbullaku në një deklaratë zyrtare të autoriteteve lidhur me rastin.

Edhe pse policia mundi të arrijë me sukses të dëmtojë këtë operacion të narkotrafikut në det, ata që mbeten të paprekshëm janë sërish bosët e vërtetë të drogës.

Në këtë rast ata janë Gëzim Çela i njohur si ‘Baroni’ dhe Arben Dalipaj’, si ‘Kapelja’, që edhe këtë herë u la ‘Kapelen’ policisë, nëse metaforikisht do ta quanim kështu. Janë këta personazhet e botës së krimit, që pa ndihmën edhe të tradhtisë që vjen nga policia, nuk do të mundnin ti shpëtonin kaq thjesht rrethimeve.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular