BallinaTe tjera“Ta marrim pushtetin me forcë dhe me armë “- Si reagoi Mid’hat...

“Ta marrim pushtetin me forcë dhe me armë “- Si reagoi Mid’hat Frashëri pas urdhrit të Enverit më 9 shtator ’43

spot_img
spot_img

URAN BUTKA/ 1.Hapi i parë i reagimit të M.Frashërit kundër pushtimit italian ishte themelimi i Ballit Kombëtar. Takimi i parë u bë ilegalisht nga Mid’hat Frashëri me disa nacionalistë më 8 prill 1939 në Tiranë, si një alternativë kundër pushtimit italian.

Më 1 qershor 1939, u zgjodh komiteti organizator i Ballit Kombëtar, pra u themelua organizata dhe u hartua platforma politike “Nacionalizma Shqiptare”, Shqipëri 1939 (Balli Kombëtar) me tetë pika, ku jepen parimet kryesore të kësaj organizate nacionaliste. Në shtator të vitit 1942 doli programi i plotë i Ballit Kombëtar me emrin “Dekalogu”, i cili ishte edhe një zhvillim i “Nacionalizmës Shqiptare të 1939- s”, për një luftë kundër nazifashizmit, por edhe një risi, sidomos për politikat sociale dhe ekonomike të programit, që e afronin tepër me socialdemokracinë perëndimore. (Dokumentet e AQSH dhe botimi “Balli Kombëtar”, dega e BK Londër, Prishtinë 2019).

2. Mid’hat Frashëri, e dënoi pushtimin italian, dënoi edhe ata që bashkëpunuan me fashistët: “E dini fort mirë se Shqipëria pësoi katastrofën e 7 prillit jo vetëm prej fuqisë ushtarake të huaj, por edhe nga tradhtia e disa shqiptarëve, të cilët me liri dhe koshiencë të plotë përgatitën komplotin kundër atdheut dhe vepruan si pararojë e fuqive okupuese, e më vonë, kundër fuqivet nacionaliste të gjithë kombit mbarë, q`ishin hedhur në luftë për rifitimin e lirisë dhe të vetëqeverimit…”-( Letër e M.F, dhjetor 1948, vëllimi IX).

3. Në një letërkëmbim me kryeministrin Shefqet Vërlaci, i cili e fton Mid’hatin në ditën e 28 nëntorit 1937, lexojmë. “Zoti kryetar, Ju ngjatjetonj për telegrafin dhe jam fort mirënjohës për nderin që më bëni. Mjerisht unë kam një shëndet të dobët, që nuk më permeton të marr pjesë në ceremonira. Veç kësaj edhe Z. juaj e kupëtoni se në përfaqësi të tilla është mirë të zgjidhet një njeri që të mos jetë dyqanxhi”. Një sarkazëm për kryeministrin fashist Shefqet Vërlaci dhe qeverinë e tij.

4. Refuzoi ftesën e kryeministrit M.Kruja në një kuvend studimtarësh, me pretekstin se ishte i lodhur në punën si librar. (vëllimi IX i veprës se M.F)

5. Mid’hati u bë misionar i bashkëpunimit të të gjithë faktorëve politike e luftarake në luftë të përbashkët kundër pushtuesve. Kuvendi i Mukjes ishte një dëshmi e misionit të tij dhe e antifashistëve të majte si dr. Dishnica, M.Gjinishi etj., për arritjen e Marrëveshjes se Mukjes, për një luftë të përbashkët e për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike, në krah të Aleatëve Antifashistë. Ai e shtroi çështjen e Kosovës në mbledhjen e Mukjes si një zgjidhje plebishitare nga populli shqiptar pas luftës, mbi bazën e parimit universal të vetëvendosjes së kombeve. (Butka, Mukja shans i bashkimit).

6. Pas prishjes se njëanshme të Marrëveshjes së Mukjes nga Partia Komuniste e nxitur edhe nga emisarët jugosllavë, ai bëri çdo përpjekje për ndaljen e luftës vëllavrasëse. “Me luftën civile komunistët filluan terrorin më të keq në historinë e Shqipërisë”, shkruante MF. Kur E. Hoxha urdhëronte më 9 shtator 1943 nga Konferenca II e Labinotit, e cila shpalli zyrtarisht luftën e armatosur kundër Ballit Kombëtar, i cili para pak ditësh ishte partner dhe bashkëpunues me PKSH, si dhe më 1 tetor 1943 me urdhëresat nga Vithkuqi drejtuar komiteteve rajonale të PK “Me forcë dhe me armë ta marrim në dorë pushtetin. Ballin duhet ta likuidojmë pa mëshirë nga çdo anë qoftë”, ndërkohë Mid’hat Frashëri bënte apel për të ndalur luftën civile dhe për t’u bashkuar si vëllezër në luftën kundër pushtuesve: “Sot është koha për një front të çeliktë kundër armikut okupator dhe kundër horrave që e pasojnë. Ky front i përbashkët është gatuar me gjakun e heronjve tanë: Qemal Stafa e dha kushtrimin dhe i fali atdheut gjënë më të shtrenjtë që kish jetën. Jashar Cakrani e dëgjoi edhe ai atë kushtrim, duke rënë martir për atdhenë… Le të luftojmë të bashkuar rreth fjalëve që na lanë të parët tanë: “Ja vdekje, ja liri! Jemi vëllezër, s’na ndajnë dot”! (Vëllimi IX vepra e M.Frashërit).

7. Midhat Frashëri nuk e identifikonte asnjërin nga faktorët e luftës me Shqipërinë, po ashtu edhe as Nacionalçlirimtaren, Ballin Kombëtar, Legalitetin etj., nuk i identifikonte me Luftën Antifashiste të popullit shqiptar. Ai theksonte se Nacionalçlirimtarja si një parti, ishte pjesë e luftës antifashiste dhe jo siç trumbetohej nga politika dhe historiografia komuniste për qëllime politike dhe pushteti, si e vetmja luftë antifashiste në Shqipëri, duke mohuar e përbaltur luftën e faktorëve të tjerë antifashistë. Ai nuk e ndali dot Luftën civile, as aleatët britanikë. Mid hati e konsideronte terrorizmin komunist në Shqipëri, si pjesë e terrorizmit ndërkombëtar. Kështu, Lufta Nacionalçlirimtare ishte tjetërsuar nga një luftë patriotike për çlirim, në një lëvizje terroriste, e pohojnë me gojën e tyre udhëheqësit komunistë E.Hoxha, Koçi Xoxe, S.Maleshova, Gogo Nushi, Tuk Jakova, mandej në luftë civile e përgjakshme për pushtet, – e dokumentojnë katërçipërisht dokumentet e arkivave, por edhe gjithë oficerët britanikë në raportimet e tyre.

E thotë vetë E.Hoxha. “Na thoshte Miladini që dikë ta vrisnim, ne e vrisnim pa e menduar. Enveri vete ka urdhëruar pushkatimin pa gjyq te qindra nacionalisteve, por edhe lëvizjes NÇ, si M,Gjinishi, LL.Fundo etj., kur ata luftonin kundër gjermanëve. Dekorojini me një plumb kokës, urdhëronte ai. E.Hoxha ishte një kriminel, një sadist, por historianë te sotëm enveristë thonë se ai ishte i mirë gatë luftës, ndërkohë që krimet më të rënda i ka bërë gjatë luftës (U.Butka, Lufta civile në Shqipëri 1945-1943). A ka vrarë apo ka urdhëruar vrasjen e ndonjë personi Midhat Frasheri? Jo. Më 7 tetor 1943 M.F. e pezulloi përkohësisht luftën e Ballit Kombëtar kundër gjermanëve, i vënë mes dy zjarreve, zjarrit nazist dhe atij komunist…. Ky dokument, veç të tjerash, dëshmon se deri në atë moment (7.10.1943), kur është lëshuar ky urdhër pezullimi, ka vazhduar lufta e nacionalistëve kundër gjermanëve. Fjalët “të pezullohet” dhe “tash për tash” dëshmonin se ndërprerja ishte e përkohshme, ishte një taktikë, theksonte M.Frashëri.

Kjo provohet një muaj më pas, më 9 nëntor1943, në takimin me gjeneralin britanik Dejvis me M.Frashërin, i cili deklaroi se do ta rifillonte luftën kundër gjermaneve, nëse aleatët do ta detyronin E. Hoxhën ta ndalte mësymjen ndaj Ballit Kombëtar, madje nënshkroi edhe një deklaratë për rifillimin e luftimeve qe e transmetoi edhe BBC. Dihet tërbimi dhe kundërshtimi i E.Hoxhës, ( E.Hoxha, “Rreziku angloamerikan” dhe Dejvis “Aventurë Ilire”).

Gjithsesi Mid’Hati, më pas i rifilloi luftimet kundër gjermanëve bashkë me britanikët Maklin, D.Smajl etj., në Priskë, Borizanë dhe në rrugën Krujë-Shkodër. Pra, ishte një pezullim i përkohshëm. Ku qëndron tradhtia këtu?

8. Në Kongresin I të Ballit Kombëtar 31 dhjetor 1943, Mid’Hati u kritikua si pacifist, se partizanët i quante si “bijtë tanë” etj., ai dha dorëheqjen që të mundësohej një drejtim i ri, por me votim të fshehtë e zgjodhën përsëri kryetar. U tha “Me Mid’Hatin nuk bëhet, por edhe pa Mid’Hatin nuk bëhet”.

9.Një akuzë absurde dhe tendencioze politikisht për Mid’Hat Frashërin ishte kur ai dërgoi në Greqi korrik 1944 nacionalistin Dh.Falo, socialdemokrat dhe antifashist për një marrëveshje me të djathtën greke (ishte propozimi i saj qysh ne prill 1944) për një koalicion greko-shqiptar për të ndalur pas Luftës II, rrezikun pansllavist që rrezikonte gjithë Ballkanin, siç ndodhi. Në projekt-përgjigjen e tij, M.Frashëri shtoi edhe Turqinë si pjesë të marrëveshjes, gjithashtu theksoi që të njiheshin kufijtë 1913 nga Greqia, që ajo të mbështeste rivendikimet shqiptare në Konferencën e Paqes për Kosovën dhe Dibrën, që ushtria greke të kishte komandën, po ashtu respektimi i të drejtave të minoriteteve etj.. Projekti i MF nuk u pranua nga Greqia dhe Dh. Falo u vra nga atentatorët komuniste kur po kthehej në Shqipëri. Ndërkohë, PKSH dhe E.Hoxha bënë marrëveshje me EAM in grek shtator 1943, një takim mes Frontit Nacional-Çlirimtar dhe Elasit më dhjetor 1944 dhe pjesëmarrjen në paktin e shtabit ballkanik të ushtrive të Jugosllavisë, Greqisë dhe Shqipërisë, si edhe oficerë të EAM-it si Aleksis Janaris, Angelos Doupis, Alias Dhimitriu etj., u atashuan pranë Frontit NÇ. Këto marrëveshje të Nacionalçlirimtare dhe E.Hoxhës as që zihen në gojë, por është trumbetuar dhe trumbetohet mendjelehtësisht edhe sot “tradhtia” e M.Frashërit me Greqinë. U vërtetua shqetësimi i MF si vizionar për rrezikun pansllavist. Në fakt, Greqinë e shpëtoi nga sllavo-komunizmi ndërhyrja britanike, ndërsa Evropa Lindore u përfshi nën protektoratin rusomadh, ndërsa Shqipëria dyfish, edhe nën tutelën jugosllave.

10. M Frashëri u drejtohet ndërkombëtarëve në promemoriet e tij “Të gjitha propozimet e bëra nga autoritetet gjermane ndaj udhëheqjes se organizatës sonë për të arritur në një marrëveshje me ta ishin refuzuar prerë nga ne. Në të kundërtën ishin komunistët, të cilët ishin më të prirur për të bashkëpunuar me gjermanët, siç ndodhi në Berat, Kuçovë dhe Lushnjë”. (M.Frashëri, manifesti i BK 1944). Ai theksonte se “Partia Komuniste Shqiptare u vu në shërbim të jugosllavëve. Dhe me porosi të tyre udhëhoqi luftën vëllavrasëse në Shqipëri, që përfundoi vendosjen e regjimit diktatorial, që zgjati për gjysmë shekulli. Kjo ishte rezultantja e Luftës Nacionalçlirimtare. Po ashtu E.Hoxha me kërkesë të Titos dërgoi në Jugosllavi dy brigada dhe dy divizione të Ushtrisë NÇ për të luftuar armikun dhe reaksionin, por i përdori për të shtypur rezistencën e shqiptarëve të Kosovës ndaj pushtimit serb dhe ripushtimin e aneksimin e Kosovës tek Serbia”. (M.Frashëri, Memorandum Konferencës së Paqes 1946). Në këtë memorandum Mid’Hati shënon edhe gjithë luftimet e Ballit Kombëtar kundër italianëve dhe gjermanëve.

12. Mid’Hat Frashëri dënon bashkëpunimin e Ushtrisë Nacionalçlirimtare me mbeturinat e ushtrisë fashiste italiane të dorëzuar te komunistët, që i përdorën në luftën kundër nacionalistëve dhe popullatës shqiptare që i mbështeste. Gati në çdo batalion apo e brigadë partizane gjendeshin reparte të ish-ushtrisë fashiste italiane, që godisnin me artileri forcat nacionaliste në gjithë vendin, mandej mësynin forcat NÇ mbi kundërshtarët politikë. A nuk ishte ky një bashkëpunim i komunistëve me ata që pak më parë kishin luftuar nën flamurin fashist? – thoshte MF.

13. Akuzat ndaj Mid’Hat Frashërit si armik e tradhtar, tipike për komunistët stalinistë, ishin politike, ideologjike dhe propagandistike, ndërkohë që ai nuk është dënuar nga asnjë gjykatë e ngritur mbi parimet e së drejtës.

14. Pastërtia e Figurës se MF konfirmohet edhe nga aleatët perëndimore kur ai themeloi Komitetin ‘Shqipëria e Lirë’ më 1949 në emigracion për një Shqipëri të lirë e demokratike dhe u zgjodh nga anglo-amerikanët si kryetar, edhe kur ai përjashtoi nga ky komitet figurat nacionaliste (Të Bllokut Indipendent, qoftë edhe të Ballit Kombëtar, mbi të cilët peshonin njolla dhe faje kundër atdheut”, një intransigjencë e paparë, që nuk e kishte bërë asnjë nga udhëheqësit demokratë të vendeve të Lindjes apo të Perëndimit. Kjo është fare shkurt veprimtaria e MF përgjatë luftës. Ai theksonte me përulje ndaj popullit shqiptar “Ne e humbëm luftën, por jo shpesën. Kemi bërë edhe gabime, por historia do të na gjykojë”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular