BallinaKultureLibri “Qyteti i kalldrëmeve” radhit Tetovën në periudhën ilirike

Libri “Qyteti i kalldrëmeve” radhit Tetovën në periudhën ilirike

spot_img
spot_img

Nga MERXHAN JAKUPI

Publicisti i njohur nga Tetova, Ismail Arsllani, këtyre ditëve vjen me librin e tij të radhës “Qyteti i kalldrëmeve” që ka ngjallë interesim të madh te lexuesit në Tetovë, por edhe më gjerë. Libri sjell materiale interesante për të kaluarën e lashtë të këtij qyteti, për trashëgiminë kulturore-historike, për gjenealogjinë e fiseve dhe etimologjinë e emërtimeve në këtë vendbanim.

Redaktori i këtij libri, dr. Behixhudin Shehapi, në vështrimin e tij thotë se me këtë libër kuptojmë historinë e këtij qyteti, me tërë dimensionet që ka një periudhë përplot ngjarje e kthesa të mëdha shoqërore, politike, kulturore, ekonomike etj. Është ky një libër referencial, me plot të dhëna e dëshmi të mbledhura nga kronikat dhe dokumentet e shumta të kohës. Ky dimension i veprës së tij nuk duhet të anashkalohet, por aq më tepër të studiohet e të analizohet me vëmendje të veçantë, për arsye se plotëson zbrazëtirën e madhe që ekziston për një periudhë të caktuar historike. Gjithsesi, lexuesi me këtë libër pasurohet me njohuri shumë interesante, arrin të mësojë shumë ngjarje nga periudha të ndryshme, arrin t’i zbulojë mjaft riminishenca të cilat e çojnë atë nëpër disa rrugë e rrugica të vjetra, që fatkeqësisht nuk janë më, nënvizon dr. Shehapi, duke shtuar se libri nuk pretendon të jetë një lloj monografie shkencore, prapëseprapë, karakteri i gjerë letrar e historik ia jep atij edhe dimensionin e metodologjisë shkencore. Por këtë gjë autori e realizon në mënyrë fine e shumë të kujdesshme, duke i gërshetuar brenda një tërësie ridimensionuese.

NJË EMBLEMË UNIKE PËR TETOVËN

Një ndërthurje e tillë e shumë traditave dhe kulturave në Tetovë, për nga pikëpamja civilizuese është e jashtëzakonshme, por edhe shumë sfiduese për sa i përket deshifrimit shkencor të përbërjes së tij. Trashëgimia shekullore shpirtërore është gërshetuar në çdo pjesë të jetës në Tetovë, ku bashkëjetojnë kultura të shumta. Prandaj, kur përmendet Tetova, është njësoj si të flasësh për historinë, traditën dhe kulturën.

Recensenti i këtij libri të titulluar “Qyteti i kalldrëmeve”, dr. Husein Rizai thotë se autori i mirënjohur, Ismail Arsllani, na sjell një tablo të gjerë të dhënash për të kaluarën historike-kulturore e arsimore të qyteti të Tetovës dhe të zhvillimit ndër shekuj, që i ka munguar tepër shumë fondit bibliotekar, sidomos në rikonstruktimin e identitetit të këtij vendbanimi të lashtë, me shumë vlera, në këtë pjesë të Ballkanit përherë të trazuar. Libri, i sistemuar mirë me kapituj, dëshmon për autoktoninë e vlerave civilizuese që nga kohët më të hershme. Kjo i ka mundësuar autorit, në punën e tij kërkimore, që të vijë deri te një mori informatash që kanë premisën e primatit, duke rinovuar edhe dokumentet e ruajtura si relikte të kohës, por edhe duke ripërtërirë dhe përzgjedhur, me shije të stërholluar, disa të dhëna ekskluzive të disa udhëpërshkruesve relevantë, siç kanë qenë Evlia Çelebia, Ami Bue e të tjerë, si dhe të autorëve të tjerë, për të transponuar në këtë libër, si vlera universale. Autori duke përqendruar tërë fuqinë e tij profesionale e krijuese, ka sjellë një vepër brilante për qytetin e Tetovës, si një emblemë unike e autentike të qytetërimit në këtë pjesë të rëndësishme gjeografike. Libri do të mbetet si një vlerë e pakontestueshme për brezat e tashëm dhe të ardhshëm, në kompletimin e diturive të tyre intelektuale, ndërsa studiuesve të rinj, si një mbështetje për referenca në punimet e tyre shkencore.

PËRSHKRIME NARRATIVE TË PLEQNARËVE

Vetë autori Ismail Arsllani thotë se libri ka vlera të trashëgimisë kulturore-historike për Tetovën, një vendbanim i lashtë civilizues prej disa mijë vjeçësh, për çka dëshmojnë artefaktet e gjetura në disa lokalitete të rrafshit të Pollogut dhe vjen si një shpërthim të dhënash që i ka gjurmuar dhe gjetur në libra të vjetër, si dhe është mbështetur në një narrativ rrëfimesh të pleqnarëve për do kohë të perënduara, por dhe dokumente të ruajtura dëshmuese për jetën, sidomos në shekullin XIX.

Tekstet imponohen me një strukturë të re përmbajtjesore që karakterizohen me një mori debutimesh historike që kanë ndodhur në fillet e saj, si, bie fjala: biblioteka e parë, libraria e parë, barnatorja e parë, spitali i parë, shkolla e parë, çezma e parë, ujësjellësi i parë, kalldrëmi i parë, pastaj nga koha më e re: treni i parë, autobusi i parë, kinemaja e parë, makina e parë, biçikleta e parë e shumë të tjera që kanë ndodhur për herë të parë në këtë qytet. Libri përmbledh shkrime që kapin një hark të gjerë kohor dhe bëjnë që ngjarjet e së kaluarës t’i afrohen lexuesit të interesuar për zgjerimin e diturive për qytetin në të cilin kanë lindur dhe jetojnë, por jo vetëm kaq.

Nga kjo, konstaton autori, del se tetovarët vërtet mund të krenohen me qytetin e tyre, ndër të rrallët në këto hapësira, që ka pasur zhvillime dramatike historike, personalitete të shquara, atdhetarë dhe dijetarë të shumtë, sidomos prej dy shekujsh e këndej, duke shtegtuar në qendrat e mëdha universitare, të cilët, pastaj, kanë ndikuar në rrjedhat historike gjithëkombëtare.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular