BallinaEkonomiRestorantet e Sarandës dhe Vlorës shtrenjtojnë çmimet deri në 33%

Restorantet e Sarandës dhe Vlorës shtrenjtojnë çmimet deri në 33%

spot_img
spot_img

Mosgjetja e punonjësve, një nga sfidat kryesore me të cilën vijojnë të përballen bizneset edhe në fillim të sezonit të ri turistik, ka ndikuar te shtimi i kostove, që është reflektuar te çmimet e restoranteve.

Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, Enri Jahja, pohoi për “Monitor” se këtë sezon, çmimet në restorantet e jugut janë rritur mesatarisht 10 deri në 20%.

Nga strukturat akomoduese të hotelerisë në Durrës, çmimet e restoranteve kanë mbetur të pandryshuara. Rritja më e lartë e çmimeve nga 26 deri në 33%, sipas tij, është shënuar në restorantet e Sarandës dhe të Vlorës.

“Nëse vjet, çmimi minimal për person në restorantet e këtyre qyteteve varionte nga 2,000 deri në 2,200 lekë, këtë sezon ka arritur deri 3,000 lekë për person.

Ndërsa në Durrës, veçanërisht në zonën e Golemit është investuar nga strukturat akomoduese për zhvillimin e turizmit, sipas modelit të resorteve turke, ku për shkak të çmimeve më të ulëta sesa në jug, ky model turizmi po tërheq masivisht pushuesit familjarë.

Në këtë zonë nuk konstatohet ndryshim i çmimeve, krahasuar me vjet”.

Për kryetarin e Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, faktori kryesor që ka ndikuar te shtrenjtimi i çmimeve është mungesa e fuqisë punëtore.

Sipas tij, ende ky sektor vijon të vuajë mungesën prej 20,000 punonjësish. Ndërsa problematika me rekrutimet është e pranishme edhe në shtetet fqinje të rajonit, të cilët për të mbushur vakumin me staf, po joshin punonjës shqiptare me paga shumë herë më të larta sesa në Shqipëri.

“Në bregdetin e jugut, pagesat për shefat e kuzhinës variojnë nga 3,000-3,500. Në struktura të veçanta, pagesat arrijnë deri edhe 5,000 euro.

Ndërsa pagesat për kamerierë nisin nga 1,000 euro. Këto pagesa janë të papërballueshme prej këtyre strukturave, dhe kostoja e shtuar nga vështirësitë e gjetjes së stafeve është reflektuar me rritje të çmimeve.

Duhet theksuar se kriza e punonjësve është fenomen edhe në vendet e rajonit. Në nisje të sezonit turistik nga Greqia ka pasur shumë oferta për punësimin e shqiptarëve, kryesisht me profesion kamarier me paga që nisin nga 4,000 deri edhe 5,000 euro në muaj”, pohon Jahja.

Kryetari i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve paralajmëroi më herët se rritja e pagave pa meritokraci pritet të sjellë shtim të lartë kostosh për bizneset që do të shoqërohet me rritje të çmimeve.

Në nisje të sezonit të ri turistik pritet që çmimet në restorante të ndryshojnë edhe në disa zona të Durrësit. Disa pronarë të plazheve private dhe restoranteve paralajmërojnë shtrenjtim të çmimeve në restoranteve dhe të çadrave të plazhit 10 deri në15% krahasuar me vjet për shkak të pagave të larta që po kërkohen nga punonjësit.

Në mungesë të gjetjes së tyre edhe në Durrës po punësohen shefa kuzhine me paga deri 3,000 euro në muaj, si dhe staf shërbimi me pagesa 1,000 euro, të cilat kanë shtuar kostot e bizneseve.

Enri Jahja thotë se shumë pronare të bareve dhe restorante në gjendur në pamundësi financiare për të punësuar punonjës me eksperiencë, janë të detyruar të punësojnë staf për shërbim, si kamerierë apo ndihmës/kamerierë të rinj të pakualifikuar të moshës nga 17 deri 19 vjeç, apo punonjës të dalë në pension.

Për të plotësuar vakumin me burimet njerëzore nga baret dhe restorante në vend u punësuan punonjës të huaj, kryesisht aziatikë, por skema rezultoi e pasuksseshme, për shkak të largimeve.

Për vitin 2023 sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtarë e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) kryesuan me 1,094 me miratime punësimi nga 9,850 gjithsej të huaj të pajisur me leje pune që ishin në vend. /Monitor

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular