BallinaAktualitetNgjarja tragjike/ A ishte Erdgys Arrazi i përfshirë në ekzekutimin e Endri...

Ngjarja tragjike/ A ishte Erdgys Arrazi i përfshirë në ekzekutimin e Endri Mustafës

spot_img
spot_img

Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala në News 24, ka trajtuar mbrëmjen e së mërkurës ngjarjen tragjike në Shkodër, ku një nënë u mbyt në ujërat e lumit Buna së bashkë me 3 fëmijët e saj. Emisioni ka sjellë rrëfime të familjes së nënës së 39-vjeçares, Alma Arrazi, por edhe për të shkuarën e bashkëshortit të saj Erdgys Arrazit.

Vetë motra e Alma Arrazit në një dalje televizive për një nga mediat në Tiranë, ka treguar detaje rrëqethëse mbi muajt e fundit të jetës së saj bashkëshortore, ku thotë se Alma dhe fëmijët kishin arritur deri aty sa nuk kishin bukë për të ngrënë në shtëpi. Kjo pasi Erdgysi, paratë që kishte i shpenzonte me të dashurën disa vite më të re.

“Shpirti im e di se sa jam munduar për t’ia mbushur mendjen hajde rri me motrën tënde. Nuk arrinte t’i jepte dot ushqim fëmijës së vet. Eri, konsumonte dreka dhe darka me të dashurën e vet, nuk i dilte buxheti të blinte ushqim për fëmijët. Kohët e fundit i ka munguar çdo gjë, edhe buka i ka munguar motrës dhe fëmijëve të motrës time”, – rrëfen motra e Almës.

Por sa të vërteta janë këto akuza apo pretendime mbi keqtrajtimin që kunati i saj i bënte motrës, kjo mbetet pjesë e një hetimi të thelluar. Tashmë Erdgys Arrazi është lënë në masën e arrestit me burg nga Gjykata e Shkodrës në akuzën për ‘Shkaktim të vetëvrasjes’ që në rastin më maksimal vlerësohet në një dënim prej 7 vitesh heqje lirie. Emisioni bëri më pas një profil të Erdgys Arrazit dhe të shkuarës së tij. 

Emri i Ergdys Arrazit për herë të parë, u bë i njohur për opinionin publik në vitin 2021. Në atë kohë, vëllai i tij Edison Arrazi, u ndalua nga Policia e Shkodrës, si i lidhur me vrasjen në këtë qytet të Endri Mustafës. Viktima ishte një fajdexhi i njohur, i cili u gjet i vrarë në zonën e Livadheve më datë 17 Maj 2021, vetëm pak metra larg banesës së tij, i ekzekutuar me një plumb në kokë, dhe dy të tjerë në trup.

32-vjeçari, babai i tre fëmijëve, fillimisht ishte raportuar i zhdukur në polici nga bashkëshortja e tij. Ku familja Mustafa, ndryshe nga hetimet e prokurorisë, që zbuluan si urdhërues të vrasjes Ibrahim Licin, dhe si ekzekutues Ergys Maljan, hodhi akuza të forta ndaj vëllezërve Arrazi dhe midis tyre edhe Ergdysit, të cilët sipas tyre ishin vrasësit e vërtetë të njeriut të tyre, të paguar nga Astmer Bilali, një tjetër i fortë në Shkodër. Këtij versioni, nëna e viktimës, në këtë rast Endri Mustafës, i qëndroi edhe në vazhdim, ku tha se bashkë me Ergys Maljan, në ekzekutim kishin marrë pjesë edhe vëllezërit Edison dhe Erdgys Arrazi.

“Ajo që mund të them është se autorët e vrasjes së djalit tim, Endri Mustafa, përveç Ergys Maljas, i cili e ka nxjerrë në pritë, janë edhe Edison Arrazi i njohur si ‘Coli’ dhe vëllai i tij Erdgys Arrazi, të cilët ekzekutimin e kanë kryer me urdhër të shtetasit Astmer Bilali. Kjo pasi Ergys Malja ka patur shumë hyrje-dalje tek familja Bilali, e cila jeton shumë pranë tyre”, – ka dëshmuar Fahrije Alija.

Nëna e Endri Mustafës tha më tej se djali i saj kishte shumë shoqëri me vëllezërit Edison dhe Erdgys Arrazi, të cilët ishin edhe njohje e Astmer Bilalit, që njihet si një person i rrezikshëm në Kiras. Por nëna e Endri Mustafës, nuk dha ndonjë mendim të qenësishëm pse ajo mendonte që vrasësi i të birit ishte Astmer Bilali, dhe jo Ibrahim Lici, siç tregoi për hetuesit, Ergys Malja.

“Endri ka punuar që 18 vjeç dhe është munduar gjithmonë të bëjë mirë për familjen dhe shoqërinë. Së fundmi, ai merrej me fajde dhe u jepte para borxh njerëzve dhe kështu siguronte të ardhura. Ai ka patur shumë shokë dhe njohje, si vëllezërit Edison dhe Ergdys Arrazi. Në dijeninë time, ai nuk ka patur konflikt me njeri. Me Ergys Maljan, nuk ka patur ndonjë afrimitet, pasi ai ka qenë sa gjysma e moshës së tij”, – thotë ajo.

Grupi hetues, pyeti si person që mund të kishte dijeni për ngjarjen edhe shtetasin Edison Arrazi, i cili akuzohej direkt nga nëna e Endri Mustafës, si vrasës i të birit. Por ai mohoi që të kishte lidhje me ngjarjen, duke nxjerrë alibi faktin që atë mbrëmje kishte qenë në banesën e tij.

“Shtetasi Edison Arrazi, që akuzohet nga shtetasja Fahrije Alija, se ka qenë ai që shoqëruar djalin e saj Endri Mustafa ditën e ngjarjes për në zonën e Livadheve, si dhe ka marrë pjesë në vrasjen e tij, për llogari të shtetasit Astmer Bilali, i ka mohuar këto akuza. Ai sqaron se nuk e njeh shtetasin Ergys Malja, si dhe natën e ngjarjes, pas orës 22:00, ai ka qenë në shtëpinë e tij.

Dhe se me Endri Mustafën ka patur njohje rreth 6 muaj përpara ngjarjes, kur Endri ka blerë një tokë në zonën e Bypass-it, pranë një sipërfaqeje së tij të tokës. Duke qenë se në tokën e tij ka patur të hedhura inerte, në biseda e sipër, Endri i ka kërkuar t’i hidhte inerte edhe në tokën e tij, për ta ngritur në nivelin e rrugës. Pra, njohja dhe lidhja e tij me Endrin, ka qenë kryesisht kur ai shkonte tek toka”, – thuhet në dosjen hetimore.

Të njëjtin qëndrim me vëllain e tij, mbajti edhe Erdgys Arrazi, i cili jashtë Gjykatës së Shkodrës, tha se vëllai i tij Edisoni, natën kur Endri Mustafa mendohet se është ekzekutuar ka qenë në banesë. Ndërsa droga që thuhet se iu gjet atij në banesë, sipas Ergdysit në fakt u gjet magazinë që është larg banesës së tyre.

“Vëllai im nuk ka lidhje me atë vrasje, as me drogën që policia thotë se ka gjetur. Atë natë ai ka qenë në banesë dhe nuk ka lëvizur që aty”, – thotë Erdgys Arrazi. Vetëm disa kohë pasi u ndalua nga policia Edison Arrazi u cilësua nga drejtësia i pastër në lidhje me vrasjen e Endri Mustafës. Por ai vuajti dënimin në Burgun e Fushë-Krujës, për sasinë e drogës së gjetur në banesës gjatë kontrollit.

Ndërkohë që grupi hetues krijoi besimin e arsyeshëm se organizator dhe vrasës i Endri Mustafës, ishte Ibrahim Lici, i cili thuhet se pati si bashkëpunëtor në këtë vrasje, Ergys Maljan, kjo e konfirmuar sipas grupit hetues edhe nga provat biologjike të gjetura në vendngjarje. /Marrë me shkurtime nga BalkanWeb

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular