BallinaEkonomiBSH mban normën bazë të pandryshuar, Sejko: Rënia e shpejtë e inflacionit...

BSH mban normën bazë të pandryshuar, Sejko: Rënia e shpejtë e inflacionit po vjen nga jashtë dhe është kalimtare

spot_img
spot_img

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3.25%. Në fjalën e tij, Guvernatori Gent Sejko, tha se inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një rënie të ndjeshme dhe më të shpejtë se pritjet e Bankës së Shqipërisë gjatë tre muajve të parë të vitit. Sipas tij, trendi rënës i inflacionit në vend vijon të përcaktohet nga rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë, nga forcimi i kursit të këmbimit, si dhe nga normalizimi i qëndrimit të politikës monetare.

Megjithatë ai nënvizoi se rënia e shpejtë e inflacionit në tremujorin e parë duket se pasqyron një goditje tjetër të ofertës së huaj, këtë herë me ndikim rënës në çmimet e ushqimeve.

“Rritja e ofertës së artikujve ushqimorë ka sjellë një rënie të shpejtë të inflacionit të tyre në të gjithë vendet e rajonit. Megjithatë, efekti i kësaj goditjeje në Shqipëri ishte më i ndjeshëm, si pasojë e peshës së lartë që artikujt ushqimorë kanë në shportën e konsumit. Analizat tona sugjerojnë se çmimet e ushqimeve në vend do të vijojnë të jenë subjekt i kësaj goditjeje edhe për disa muaj, por efekti i saj pritet të mbetet gjithsesi kalimtar. Nga ana tjetër, presionet e brendshme inflacioniste, ndonëse në rënie, mbeten relativisht të larta. Këto presione ushqehen nga kërkesa solide për mallra e shërbime, kërkesë e cila pasqyrohet në rritje të shpejtë të punësimit, të pagave dhe të kostove të prodhimit të sektorit privat,” tha Sejko.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.4% gjatë vitit të shkuar, duke shënuar një përmirësim në 3.8% të ritmeve të rritjes në gjysmën e dytë të tij. Sipas Guvernatorit, të dhënat e disponuara sugjerojnë se rritja ekonomike ka qëndruar në nivele të përafërta edhe gjatë tremujorit të parë të vitit 2024. Rritja ekonomike e tremujorëve të fundit është diktuar nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve të sektorit privat, si dhe nga zgjerimi i eksportit të shërbimeve. Në veçanti, kontributi i turizmit në zgjerimin e aktivitetit ekonomik ka ardhur në rritje progresive gjatë vitit. Nga ana tjetër, eksporti i mallrave ka ardhur në rënie dhe politika fiskale ka pasur një natyrë konsoliduese, pavarësisht përqendrimit të shpenzimeve në tremujorin e fundit. Kjo strukturë kërkese është pasqyruar në rritjen e aktivitetit në sektorin e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai i bujqësisë kanë shënuar tkurrje.

Sipas Bankës së Shqipërisë, zgjerimi i kërkesës agregate vijon të ushqehet nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, nga përmirësimi i besimit të biznesit dhe familjeve, nga kushtet ende stimuluese monetare e financiare, si dhe nga rritja e kërkesës së huaj për shërbimet shqiptare. Këta faktorë pritet të mbështesin zgjerimin e kërkesës dhe rritjen ekonomike edhe gjatë periudhës në vazhdim.

“Zgjerimi i kërkesës për mallra e shërbime e mban ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit. Kjo ecuri është pasqyruar në rritjen e vazhdueshme të punësimit, në nivelet minimale historike të normës së papunësisë, si dhe në rritjen e shpejtë të pagave në sektorin privat. Zgjerimi i punësimit dhe pagave ka vijuar të mbështesë rritjen e konsumit në ekonomi, por – nga ana tjetër – ai mban të larta edhe presionet e brendshme mbi inflacionin. Po ashtu, ritmi i rritjes së kredisë bankare ka ardhur në përshpejtim gjatë tremujorit të parë, duke regjistruar një nivel mesatar prej 11.6%. Zgjerimi i saj ka mbuluar nevojat e bizneseve dhe të individëve, si për investime ashtu edhe për kapital qarkullues. Në veçanti, struktura e portofolit të kredisë vijon të shfaqë një zhvendosje progresive drejt lekut, e nxitur edhe nga normat më të ulëta të interesit të kredisë në lekë, dhe një përmirësim të cilësisë së portofolit, sikundër dëshmohet nga rënia e mëtejshme e treguesit të kredive me probleme. Ky trend pozitiv pritet të vijojë dhe në të ardhmen, i mbështetur si nga rritja e kërkesës për kredi bankare ashtu dhe nga kushtet ende akomoduese të ofertës,” tha Guvernatori.

Në parashikimet për të ardhmen, Banka e Shqipërisë vlerëson se në skenarin bazë, aktiviteti ekonomik do të vijojë të rritet, si në horizontin afatshkurtër dhe në atë afatmesëm, i mbështetur nga përmirësimi gradual i ambientit të huaj, bilancet solide të sektorit privat dhe kushtet akomoduese monetare.

“Inflacioni parashikohet të luhatet pranë niveleve aktuale në horizontin afatshkurtër dhe të kthehet gradualisht në objektiv brenda harkut kohor të një viti. Balanca e rreziqeve ndaj parashikimit të inflacionit është në kahun e poshtëm për horizontin afatshkurtër dhe neutrale për atë afatmesëm. Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se balanca e përgjithshme e presioneve inflacioniste po afrohet gradualisht drejt objektivit tonë të inflacionit. Megjithatë, presionet inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten ende relativisht të larta. Në këtë kontest, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të vijojnë të kushtëzohen nga informacioni i ri. Këto vendime do të jenë gjithnjë në përputhje me objektivin tonë të stabilitetit të çmimeve, si dhe konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit,” thuhet në deklaratën e Këshillit Mbikëqyrës.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular