Është publikuar fotoja e 32-vjeçarit shqiptar Roan Brahimi (Sidorel Prendi) i cili u ekzekutua mbrëmjen e djeshme në Athinë, në sy të vajzës dhe bashkëshortes së tij.
Deri më tani dyshohet se ngjarja ka ndodhur për larje hesapesh. Si pasojë e atentati mbeti e plagosur lehtë edhe bashkëshortja e tij. Autoritetet greke kanë nisur menjëherë hetimet mbi ngjarjen, ndërsa po këqyren kamerat në zonë për të përcaktuar rrugën e ndjekur nga autorët për tu larguar nga vendngjarja. Hetimet po zhvillohen me ritme të shpejta pasi ekziston frika se autorët do të tentojnë të largohen jashtë kufijve të Greqisë. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur dy gëzhoja dhe ka konstatuar se viktima kishte marrë dy plumba, një prej tyre në kokë.
Sulmi ka ndodhur pak pas orës 21:30 të mbrëmjes në kryqëzimin e rrugëve Messolongiou dhe Tsaldari, kur viktima ndodhej në makinë me familjen e tij, gruan dhe vajzën. Papritur një motoçikletë ka kaluar makinën dhe një person ka nxjerrë një armë dhe ka nisur të qëllojë. Brahimi humbi jetën menjëherë në vendngjarje. Ngjarja ka shkaktuar tronditje edhe te banorët e zonës dhe tek personat që ndodhenin në vendngjarje në momentin e atentatit.