Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur se qeveria shqiptare është në duke negociuar një marrëveshje me Filipinet për të marrë krah pune në Shqipëri për të plotësuar nevojat e tregut të turizmit, por edhe bizneseve të tjera.
Rama u shpreh se kjo është një procedurë normale dhe se ka shumë vende të Europës që janë në pritje për të nënshkruar me Filipinet marrëveshje të tilla.
“Sot që flasim ne po bëjmë një negociatë me Filipinet, të të jap një shembull. Filipinet kanë shumë popull dhe shumë krahë pune dhe i përdorin. Po të shikosh radhën e vendeve që nga Austria, e vende të tjera plot. 38 vende europiane janë në radhë për të nënshkruar marrëveshje me Filipinet për krahun e punës. Kjo është një situatë e përgjithshme, por ne deri para disa vjetësh ishim një vend çfarë të them…”, tha Rama në Opinion.
Kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetari Blendi Fevziu për largimin e të rinjve nga vendi. Kjo krizë e largimit të të rinjve, Kryeministri premtoi se do të ndryshojë dhe është pjesë e projektit Shqipëria 2023. E sipas Ramës, frenimi i largimit të të rinjve do të jetë pjesa kur do të mbyllë misionin e tij.
“Këtë historinë që ikin të rinjtë se janë të pakënaqur, ikin për korrupsion, kjo është një tjetër mit. Një i ri i cili sot është në një periferi të Shqipërisë, ka të gjithë të drejtën e botës të thotë unë nuk dua të pres ndryshimin dhe të pres si babai im, jo do iki.
Këtu fillon gjëja. Sigurisht që Shqipëria nuk e ka sot forcën e brendshme që thotë pse të iki jam mirë këtu. Po ndryshon dhe kjo gjë. Kjo është pjesa më e vështirë dhe është pjesa që do t’i vendosë kapak të gjithë misionit tim dhe Shqipëria e 2030-s do të jetë një vend ku kjo tendencë do të jetë e ekuilibruar”, u shpreh Kryeministri Edi Rama.