BallinaOP EDLufta biologjike që do shpëtojë gështenjat tona/Nga Abdulla Diku

Lufta biologjike që do shpëtojë gështenjat tona/Nga Abdulla Diku

spot_img
spot_img

Nga Abdulla Diku
Gështenja e butë (Castanea sativa) është ndër pemët më të rëndësishme ekonomike në Shqipëri, pasi me mijëra familje varen prej frutave të sajë. Por kjo pemë e bekuar dhe emblematike e jona është sulmuar masivisht këto 4-5 vitet e fundit nga një insekt i panjohur më parë – Grenxa aziatike e gështenjës e cila emrin shkencor e ka Dryocosmus kuriphilus. Masivet më të mëdha të gështenjës që ne kemi në vendin tonë janë tashmë nën “pushtetin” e këtij dëmtuesi të pamëshirshëm dhe shumë shkatërrues. Insekti krijon gunga të fryra në bisqet dhe gjethet e pemës së gështenjës, duke bërë të pamundur prodhimin e luleve dhe më vonë të frutave të gështenjës, pasi këto gunga pengojnë lëvizjen e lëndëve ushqyese drejt bisqeve të tillë. Gungat krijohen si vende ku grenxa vendos vezët e sajë e ku më vonë rriten larvat dhe në fund prej tyre del insekti (grenxa e rritur).

Sipas literaturës thuhet se rendimenti i gështenjave ulet deri në 80%. E teksa sheh gështenjat e Tropojës këtë pranverë, duket se ky reduktim i prodhimit do jetë edhe më shume se 80%. Përveç uljes drastike të prodhimit, vrimat e daljes së insekteve prej gungave të formuara, bëhen vatër për infektim nga kanceri i gështenjës (Cryphonectria parasitica) një sëmundje kërpudhore mjaft e përhapur kjo aktlualisht dhe po ashtu shumë e vështirë për tu menaxhuar si e tillë.

Lufta dhe menaxhimi i grenxës së gështenjës bëhet shumë e vështirë pasi insekti është i vendosur dhe i mbrojtur mjaft mirë në gungat e krijuara. Kësisjoj nuk ka asnjë mënyrë për të përdorur luftën kimike ndaj tij pasi asnjë substancë kimike nuk mundet të depërtojë në brendësi të gungave ku gjendet insekti (vezet, larvat apo insekti).

Edhe lufta mekanike (duke prerë bisqet me gungëzat e insektit) është po ashtu e pamundur pasi prerja masive e bisqeve kërkon një ushtri me qindra mijë a miliona punëtorë të cilët do të duhej të kacavirreshin nëpër pemë. Përveçse e pamundur, kjo mund të rezultonte fatale për vetë pemën pasi prerja e bisqeve do rrezikonte tharjen e sajë.

Në praktike njihet edhe një metodë shume efektive e përdorur për disa dëmtues të tjerë në pyje e bujqësi – kurthi me ferromone. Kjo metodë konsiston në ndërtimin e kurtheve për meshkujt. Kurthet me ferromone, duke imituar aromën e femrave bëjnë që meshkujt të kapen nga këto kurthe dhe asgjësohen më vonë. Në këtë mënyrë, vezët e femrave duke mos qenë të fertilizuara nuk çelin pasardhës.

Por Grenxa aziatike e gështenjës ka një avantazh të madh edhe këtu. Ajo i prodhon vezët përmes një proçesi që quhet partenogjenezë, pra pa qenë nevoja të fekondohen nga një mashkull. Partenogjeneza është një formë natyrale e riprodhimit aseksual në të cilën rritja dhe zhvillimi i një embrioni ndodh drejtpërdrejt nga një vezë, pa pasur nevojë për fekondim. Pra për të luftuar këtë dëmtuës të rrezikshëm, lufta kimike, mekanike dhe ajo me ferromone është thjesht e pamundur.

Cila është zgjidhja?

Ashtu si çdo krijesë e gjallë që në natyrë ka aleatët dhe armiqtë e sajë, edhe Grenxa aziatike e gështenjës ka një armik. Një tjetër insekt në dukje i ngjashëm me të e që emërtimin shkencor e ka Torymus sinensis. Torymus është një lloj insekti i cili paraziton dëmtuesin tonë (Grenxën). Në ekologjinë evolucionare, një parazitues është një organizëm që jeton në bashkëpunim të ngushtë me bujtësin e tij dhe në ‘kurriz’ të bujtësit, duke rezultuar përfundimisht me vdekjen e bujtësit. Parazitizmi është një nga gjashtë strategjitë kryesore evolucionare, i dalluar nga prognoza fatale për bujtësin, gjë që e bën strategjinë e parazituesit afër të të qenit grabitqar i mirëfilltë. Aty ky dëmtuësi i gështenjës ka krijuar gungëzat për shumimin e tij, insekti ynë i dobishëm (Torymus) shkon dhe vendos vezët e tij brenda gungëzavë të dëmtuesit. Nga vezët e Torymus dalin larva që ushqehen me larvat e dëmtuesit të gështenjës sonë (grenxës).

Kjo është e vetmja mënyrë për ta luftuar dëmtuesin e gështenjës, me anë të armikut të sajë, Torymus.Ashtu siç thotë edhe sovrani – armiku i armikut tim, është miku im…

Pra është një luftë e mirëfillte biologjike. Kjo është një luftë shumë efektive sa i përket kostos së sajë, më e qëndrueshme në kohë dhe mbi të gjitha pa asnjë efekt negativ në mjedis.

Puna dhe njohurite shkencore bazohen kryesisht në menaxhimin e armikut të dëmtuesit të gështenjës, dhe aleati ynë në këtë luftë – Torymus. Menaxhimi i Torymus bëhet duke i trajtuar ato në laborator (ku në dhoma të posaçme frigoriferike, me anë të temperaturës kontrollohet cikli biologjik i tyre) dhe më pas hidhen në natyrë, në mënyrë që të shkojnë e të parazitojnë gungëzat e dëmtuesit të gështenjës (grenxës).

Çelësi i suksesit është harmonizimini cikleve biologjike të dëmtuesit me atë të parazituesit, ndryshe gjithëçka shkon dëm dhe gështenjat tona do degradohen gjithnjë e më shumë.

Ndërsa lufta biologjike në terma të përgjithshme është frika më e madhe e njerëzimit (nëse përdoret për qëllime negative), në rastin e gështenjave është e vetmja shpresë për ti shëruar ato nga pushtimi i armikut të dukshëm, ardhur i paftuar nga Azia e largët.

Menaxhimi i dëmtuesit përmes luftës biologjike duke përdorur insektin-aleat tonin (Torymus) është një proçes shumë teknik, që kërkon njohuri të larta profesionale, staf të dedikuar dhe logjistikë në dispozicion.

Do të duhet kohë që dëmtuesi më i madh i Gështenjave me të cilin jemi përballur ndonjëherë të vihet nën kontroll, por ama lufta biologjike është e vetmja mënyrë për t’ja dalë mbanë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular