Shpall kandidaturën për Rektor të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës/Ja mesazhi i Shkëlqim Fortuzit për kolegët pedagogë, studentët dhe anëtarët e stafit administrativ

0
310

Nga Shkelqim Fotruzi
Të nderuar kolegë pedagogë, studentë dhe anëtarë të stafit administrativ,
Me përulësinë dhe privilegjin e jashtëzakonshëm Ju bëj me dije se kam shpallur kandidaturën për Rektor të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës.

Pas një përvoje të gjatë akademike dhe profesionale, duke shërbyer në detyrën e Dekanit të Fakultetit të Biznesit, duke kontribuar si lektor dhe nismëtar i shumë projekteve në të mirë e shërbim të studentëve dhe institucionit tonë, i nxitur dhe i mbështetur nga shumë prej Jush, kam përgjegjësinë e plotë ta çoj më përpara emrin e nderuar, nivelin, kapacitetin dhe vizionin e UAMD-së.

Në ndekje të misionit tim jetësor për të drejtuar duke shërbyer, me vizionin tim të qartë për ta transformuar universitetin në një institucion model në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, unë jam, besimplotë se së bashku NE do sjellim risi dhe zhvillim në çdo dimension të institucionit tonë duke e përgatitur UAMD-në për sfidat dhe mundësitë që ofron e ardhmja.

Këtë besim e kam të palëkundur sepse njoh aftësitë, profesionalizmin dhe përkushtimin e gjithësecilit prej Jush. Dhe me një pasuri kaq të çmuar njerëzore dhe akademike si Ju, duke punuar së bashku, përmes një raporti jo hierarkik por partneriteti, ne do arrijmë sukses të jashtëzakonshëm.

Duke punuar e rrugëtuar së bashku, qendra e vëmendjes sonë do të jenë studentët, duke siguruar që ata të kenë qasje në arsimim më cilësor, shërbime mbështetëse dhe mjedise moderne, që i përgatisin ata jo vetëm për tregun e punës, por edhe si qytetarë aktivë e të përgjegjshëm.

Bashkarisht, ne do të investojmë në zhvillimin profesional të stafit tonë akademik, duke i ofruar gjithësecilit mundësitë dhe burimet e nevojshme për të qenë në krye të fushave studimore përkatëse. Gjithësecili prej Jush është vlerë, dhe unë Ju siguroj që do përdor dhe forcoj të gjitha mekanizmat administrativ dhe akademik që profesionalizmi Juaj t’i kapërcejë muret e godinës por të përçohet ndërkombëtarisht. Sepse suksesi Juaj është krenari për UAMD-në.

Përkushtimi ynë ndaj stafit administrativ është po aq i rëndësishëm; ata janë shtylla që garantojnë mbarëvajtjen e proceseve tona të përditshme dhe do të sigurojmë që të kenë një mjedis pune që promovon efikasitetin dhe inovacionin.

Do të zgjerojmë dhe forcojmë lidhjet tona ndërkombëtare, duke shtuar marrëveshjet dhe partneritetet me institucione të tjera të arsimit të lartë për të rritur shkëmbimet akademike dhe studentore.

Nxitja e kërkimit shkencor dhe inovacionit do të jetë një prioritet kryesor, me një rritje të ndjeshme të investimeve në fonde dhe infrastrukturë për të mbështetur studimet dhe hulumtimet që kanë impakt të drejtpërdrejtë në shoqëri.

Do të zgjerojmë partneritetet me sektorin publik dhe privat, duke përdorur këto marrëdhënie për të mbështetur zhvillimin akademik dhe kërkimin shkencor, si dhe për t’i ofruar studentëve më shumë mundësi praktike dhe punësimi.

UAMD do të shërbejë si një qendër për progres dhe zhvillim duke kontribuar në përparimin e shoqërisë dhe ekonomisë lokale dhe asaj kombëtare.

Unë kam një platformë të qartë dhe të detajuar për shërbimin tim si Rektor i UAMD për vitet 2024-2028 e cila është një qasje e integruar dhe e qendrueshme për zhvillimin e universitetit, dhe do zbatohet me rigorozitet përmes angazhimit tonë të përbashkët, gjithëpërfshirës e të plotë për të sjellë ndryshim, cilësi dhe risi.

Në filozofinë dhe praktikën time profesionale unë drejtoj dhe menaxhoj duke shërbyer dhe bashkëpunuar, ndaj jam i bindur se idetë dhe perspektivat Tuaja do të jenë themeltare në zbatimin e këtij vizioni që NE do bashkëndajmë për ndryshimet pozitive dhe arritjet që na presin përpara.

Dëshiroj t’Ju ftoj të gjithëve, studentë, staf akademik dhe administrativ, të angazhohemi e të punojmë së bashku për të ndërtuar një të ardhme më të mirë e më frytdhënëse për UAMD-në, dhe për të kontribuar në zhvillimin e vendit dhe shoqërisë sonë.

Unë Ju siguroj që çdo fjalë e platformës sime që do parashtroj gjatë kësaj periudhe zgjedhore nuk do mbetet aspak thjesht një synim e një aspiratë por do konkretizohet në arritje të prekshme.

Ashtu siç e kam dëshmuar gjatë të gjithë karrierës sime të gjatë profesionale dhe akademike

UNË E MBAJ FJALËN.

Ju falënderoj për mbështetjen Tuaj dhe për mundësinë që do më jepni për të udhëhequr ndryshimin dhe suksesin në institucionin tonë.

Me konsideratë,

Prof. Dr. Shkëlqim Fortuzi

(Ju lutem klikoni këtu për Platformën time të detajuar për 2024-2028 si Rektor i UAMD: https://drive.google.com/…/1aeCX9vLHozTPTcYvnP6…/view… )