Është ndarë nga jeta ish-ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Peter Zingraf. Lajmin e trishtë e ka bërë me dije Ambasada Gjermane në Tiranë, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Zingraf shërbeu si ambasador i Gjermanisë në Tiranë nga viti 2019 deri në vitin 2023. Ai ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë.
Mesazhi i Ambasadës gjermane:
Me pikëllim të thellë njoftojmë vdekjen e kolegut tonë të vyer Peter Zingraf.
Peter Zingraf, Ambasadori gjerman në Tiranë nga viti 2019 deri në vitin 2023, ka ndërruar jetë më 20 maj 2024 pas një sëmundjeje të shkurtër, por të rëndë.
Humbja e tij e papritur na ka tronditur të gjithëve. Peter Zingraf do të mbahet mend si një person miqësor, me humor dhe gjithmonë i afrueshëm dhe si një koleg dhe mik i madh.
Ftojmë të gjithë ata që e njohën dhe e vlerësuan të ndajnë ngushëllimet dhe kujtimet e tyre në hapësirën tonë virtuale përkujtimore.