Pse iu përgjigja ftesës që të jem në protestën e organizuar në Londër për votën e Diasporës

0
370

Nga Av.Naim Hasani
Londër 24/05/2024

Të nderuar miq!
Nesër në orën 16:30 para ambasadës shqiptare në Londër do të mbahet një protestë sensibilizuese ndaj klasës politike shqiptare për t’i dhënë të drejtën shqiptarëve në Diasporë të votojnë.
Unë si qytetar i Republikës së Shqipërisë do të jem nesër përpara përfaqësisë sonë diplomatike në një protestë demokratike, si një e drejtë e secilit prej bashkatdhetarëve tanë për të kërkuar të ketë të drejtë të votojë në zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025.
Të nderuar miq! Jam ftuar në këtë protestë për të marrë pjesë dhe me kënaqësi konfirmoj prezencën time, për të ngritur zërin ndaj padrejtësisë, pamundësisë dhe mohimit që klasa politike shqiptare na ka bërë këto 34 vite për të mos patur të drejtën të vendosim edhe NE kush do të qeverisë vendin tonë.
Vëllezër e motra! Ky është minimumi i detyrimit që klasa politike na ka përkundër mbrojtjes së të drejtave tona në Diasporë.
Dua të theksoj faktin se, kanë kaluar shumë vite që kjo e drejtë nuk na është dhënë. Sot kur klasa politike e tranzicionit ende aktive dhe që luan fort në tapetin politik për të mbajtur peng vendin e nuk po bën asgjë, ose është inaktive për të na dhënë të drejtën e votës (arsyet dihen), kur madje ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë që kjo të ndodh dhe është një detyrim për politikën shqiptare, e sërish nuk ka ende asnjë kompromis për vendimmarrje.
Nesër do të jem në protestë si shqiptar për të kërkuar të drejtën time. Pse jo, do të jem dhe si përfaqësues i opozitës, i PD sepse është fakt që kjo forcë politike që prej vitit 2016 ka kërkuar që qytetarëve shqiptarë në Diasporë t’u mundësohej e drejta e votës.
PD dhe kryetari Basha kanë qenë dhe janë të vendosur që vota e bashkatdhetarëve tanë, që jetojnë në emigracion, të ketë peshë të plotë në vendimmarrje të rëndësishme politike!
Të protestojmë që të votojmë edhe për të reaguar ndaj keqqeverisjes së Rilindjes nga viti 2013, por dhe mungesës së shpresës që ata bashkatdhetarë tanët patën që ikën dhe erdhën me gomone përmes kanalit të Lamanshit, kur panë që segmente të opozitës duan të ruajnë tarafet e tyre 34-vjeçare në politikë dhe jo të jenë alternativë qeverisëse e besueshme.
Vëllezër dhe motra! Vetëm Ne do të mund të bëjmë ndryshimin e shumëpritur në Shqipëri nëse do të na mundësohet e drejta të votojmë dhe vendosim.
Nesër duhet të jemi të gjithë aty duke ngritur zërin ndaj një padrejtësie që na është bërë për gati 3 dekada e gjysëm. Askush nuk ka pse kompleksohet.
Të protestosh dhe kërkosh të votosh në vitin 2025 është veçse një e drejtë e jona dhe asgjë tjetër.

Kush realisht e kërkon këtë të drejtë duhet që të jetë pjesë e kësaj proteste, kush tjetër kërkon që të shfrytëzojë një të drejtë proteste për të bërë pazar siç dhe ndodhi me flakadanët e një segmenti të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë ka të drejtë të shqetësohet dhe të mos marr pjesë, por jo të na akuzojë Ne pse protestojmë për të kërkuar një të drejtë tonën mohuar në mënyrë të turpshme përgjatë gjithë tranzicionit prej rënies së diktaturës.

#duatevotoj2025