BallinaIntervistaElda Skënderi, mjekja që i kupton fëmijët pa folur

Elda Skënderi, mjekja që i kupton fëmijët pa folur

spot_img
spot_img

Bisedoi: Denisa Canameti

Përveçse shumë vite të dedikuara shkollës, të qenit pediatër kërkon gjithashtu durim dhe dashuri për fëmijët. Pediatrit sigurojnë kujdes nga lindja deri në moshën e rritur, dhe specializohen në diagnostikimin dhe trajtimin e një sërë sëmundjesh apo çrregullimesh, që ndodhin në mënyrë të veçantë tek foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët.

Elda Skënderi është pediatre e përgjithshme në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Ka përmbyllur lumturisht 10 vjeçarin e saj të parë si “doktoreshë e fëmijëve”, dhe beson se do të ruajë të njëjtin entuziazëm edhe për vitet në vazhdim. Në një intervistë për lexuesit e gazetës “Shëndet plus”, për pacientët e saj të vegjël dhe për prindërit e tyre, doktoreshë Elda na rrëfen pak nga jeta e saj profesionale- mjekësore, akademike dhe profesionale.

Kush është doktoreshë Elda Skënderi?

Kam rreth 15 vite që punoj si pediatre. Pasi mbarova universitetin, punova 1 vit si mjeke e përgjithshme. Kuptova që më pëlqen shumë puna me fëmijët. Më bëri shumë mirë ai vit i punës, pasi njoha më shumë veten time. Pashë se ku ndihesha më mirë të punoja dhe më pëlqeu shumë puna me fëmijët. Kështu që, zgjodha pediatrinë dhe nuk jam penduar aspak për këtë, ndihem shumë mirë.

Zgjedhja për të qenë mjeke, ishte juaja apo vini nga një familje mjekësh?

Jo! Prindërit e mi kanë qenë të dy ekonomistë. Ata kishin një dëshirë shumë të madhe për mjekësinë. Ne të dy fëmijët, dhe unë dhe im vëlla u bëmë mjekë.

Nëse nuk do të kishit pasur atë vitin e punës që ju çoi drejt pediatrisë, çfarë specialiteti do kishit dashur të zgjidhnit?

Më ka pëlqyer shumë kirurgjia. Nuk është një zgjedhje shumë e përshtatshme për femrat. Por ishte një pasion i rinisë. Më dukeshin kirurgët si heronj, dhe në fakt janë të tillë. Por në jetë duhet të vendosësh një ekuilibër. Jeta nuk është vetëm puna. Në momentin që rritesh dhe krijon familje, është e vështirë që t’i përkushtohesh aq shumë profesionit tënd. Dhe kirurgjia për hir të së vërtetës do shumë përkushtim. Jo se profesionet e tjera nuk duan.

Sot, jeni penduar që keni zgjedhur pediatrinë?

Aspak! Ndihem shumë mirë si pediatre dhe nuk mund ta shoh veten time në një pozicion tjetër veç pediatres.

Cila është marrëdhënia juaj me fëmijët?

Marrëdhënia me fëmijët është shumë e mirë. Mund të them që e kam më të mirë marrëdhënien me fëmijët sesa me të rriturit.

Pacientët e vegjël, nuk i artikulojnë dot shqetësimet që kanë, si arrini ju të komunikoni me ta?

Fëmijët, ashtu sikurse të rriturit, duan dikë që ta kuptojë shqetësimin e tyre dhe pa folur. Dhe unë këtë gjë e kuptoj shumë mirë.

Po sfidat e kësaj pune, cilat janë?

Nuk mund ta them sfidë, por ka mjekë që i kanë pak frikë fëmijët. Mendojnë se është më vështirë me fëmijët sesa me të rriturit. Në fakt më qartë të flet një fëmijë. Vetëm duke e parë, pa e vizituar , nga reagimet e tij, mund ta kuptosh se çfarë e shqetëson vërtet. Një i rritur mund të manipulojë, mund të simulojë. Fëmijët nuk e bëjnë këtë. Gjendja e fëmijës, të flet shumë për fëmijët. Është shumë më e thjeshtë kjo punë, besoj, unë sesa puna me të rriturit.

Sa i nevojshëm është bashkëpunimi me prindërit?

Pjesa më e vështirë e punës së një pediatri është komunikimi me prindërit. Edhe në këtë rast them se ia kam dalë, pasi jam prind vetë dhe gjithmonë e vë veten në pozicionin e prindit. Ai mund të jetë i acaruar, ndonjëherë me të drejtë, ndonjëherë pa të drejtë, dhe unë e kuptoj shumë mirë. Por nëse prindi vjen i acaruar dhe do gjejë një ambient armiqësor, do acarohet më keq. Përpiqem me qetësi që ta mirëkuptoj dhe t’ia shpjegoj situatën me fjalë të thjeshta se çfarë është më e mira për t’u bërë në këtë rast. Përpiqem të gjej mirëkuptimin e prindërve.

Për fëmijët me sëmundje kronike, që duhet të vijnë më shpesh në spital, sa e rëndësishme është që të shohin të njëjtën figurë pediatri?

Sigurisht që është e rëndësishme. Por, në rastin tim, si pediatre e përgjithshme, shumica e pacientëve të mi kanë sëmundje akute.

A ka ndonjë fushë brenda pediatrisë së përgjithshme që ju e keni më me përzemërsi?

Jam në vitin e 10 të punës dhe e shikoj që pediatria e përgjithshme është shumë e mirë, sepse të jep mundësinë që të zhvillohesh në të gjitha drejtimet. Sigurisht që kjo do shumë punë.

Me këtë 10 vjeçar pune në QSUT, vazhdoni të ruani të njëjtin entuziazëm si ditën që keni nisur punë?

Po, vazhdoj.

Cila është ambicia juaj për 10 vjeçarin e ardhshëm?

E kam me pasion këtë punë që bëj. U gëzohem gjërave që kam. Dhe besoj se kjo do më shoqërojë që të përmbush çdo ambicie për çdo 10 vjeçar që do të kalojë.

Ju keni dy fëmijë, a do donit të vazhdonin mjekësinë, si ju?

Nuk do t’u imponohem. Po i ndjek hap pas hapi që të shikoj karakterin e tyre, dhe do ta shikoj a është ndonjëra nga ato. Do doja të kishin dëshirë. Se pa dëshirë nuk do ta bënin dot. Është punë që do përkushtim. Sepse ato e shikojnë që vazhdimisht unë jam duke lexuar, duke u përgatitur si për rastin që kam, për ndonjë rast të vështirë, duke u përgatitur për studentët. Duke folur vazhdimisht me kolegët gjatë orës së darkës. Vajza e vogël bëhet edhe xheloze dhe ankohet që nuk e dëgjoj, që e kam mendjen tek puna.

Në fakt, a i merrni kohë familjes suaj për të qenë e përkushtuar në këtë profesion?

Mendoj se e kam gjetur një ekuilibër. Kohën jashtë profesionit ia dedikoj kryesisht familjes.

Një problem tjetër i pediatërve janë edhe telefonatat që marrin në çdo moment nga prindërit, edhe për shqetësimin më të vogël… E keni zgjidhur ju këtë?

Kjo është shumë pikë delikate në fakt. Përpiqem të zgjidh çdo gjë brenda orarit të punës. Rastet urgjente sigurisht që nuk i shmang dot.

Konsultat në telefon, a kanë risk në vetvete?

Po nuk e pe vetë fëmijën, nuk mund ta diagnostikosh. Për ndonjë gjë urgjente dhe mund të përgjigjesh, por konsulta në telefon nuk mund të bëhen. Ka shumë raste që duke i pasur të shtruar këtu, duke i pasur të gjitha ekzaminimet dhe nuk mund të vëmë një diagnozë të saktë, kështu që është shumë e rrezikshme që të japësh mjekime apo të vësh diagnoza përmes telefonit.

Roli i prindërve, kur fëmija kalon një temperaturë apo një gjendje të lehtë?

Prindërit i tremben shumë temperaturës. Shqetësimi kryesor i prindërve është temperatura. Punoj vazhdimisht me prindërit duke iu thënë se vetë organizmi rrit temperaturën për të luftuar infeksionin. Përpiqemi t’i këshillojmë.

Sa është numri i fëmijëve që vizitoni gjatë një dite?

Kam 8 shtretër që janë thuajse çdo ditë të mbushura. 8 pacientë i kam minimalisht çdo ditë. Gjatë ditës mund të vijnë konsulta, mund të vijnë pacientë që kanë dalë nga spitali dhe vijnë për rikontroll. Shkon te 15 vizita në ditë.

A mendoni se keni arritur të vendosni një lloj ekuilibri komunikimi me pacientin?

I vështirë është pacienti, por të mendojmë që dhe ne si mjekë na bie të jemi pacientë. Dhe unë kur shkoj te mjeku me thënë të drejtën më dridhen gjunjët. Kështu që, e njëjta gjë është edhe për pacientët.

Sa të informuar vijnë pacientët këtu, si e kanë marrëdhënien pacientët tuaj me doktorin Google?

Prindërit vijnë të lexuar. Kanë mësuar disa gjëra pjesërisht. Nuk i dekurajoj për ato që lexojnë, por ju bëj të qartë që mjeku duhet dëgjuar, se ajo që lexohet përgjithëson rastet. Nuk mund të përgjithësosh rastet, vetëm se e ke lexuar ashtu.

A abuzojnë me medikamentet para se t’i sjellin fëmijët?

Shumica po. Por ka dhe prindër të ndërgjegjësuar që kërkojnë sqarim për çdo preparat. Sa herë përshkruaj një preparat, ua shpjegoj një për një se për çfarë janë.

Patologjitë më të shpeshta?

Sëmundjet e traktit respirator, që janë: laringitet, bronkitet, bronkopneumonitë dhe pneumonitë.

Angazhimet tuaja akademike…

Jam prej një viti pedagoge e jashtme. Jam në fillimet e kësaj pune dhe e kam me shumë pasion. E bëj me shumë dëshirë. Ndihem shumë mirë me studentët. Përpiqem t’i trajtoj si kolegë. Bëj që të ndihen mirë dhe të mos e ndjejë diferencën, të përmirësohen dhe të bëhen mjekë të mirë.

Një ditë e juaja në pediatri, si është?

Bëjmë mbledhjen e mëngjesit, pas mbledhjes së mëngjesit përgatitemi, bëjmë gati dosjen, e studiojmë dhe rreth orës 9 fillojmë vizitat në pavijon. Diskutojmë rast pas rasti edhe me prindërit. Pasi mbarohet pjesa e vizitës, presim pasi ka pacientë që duhet të bëjnë ekzaminimet. Shikohet dhe një herë gjendja dhe i jepet dhe një herë informacion prindit për situatën.

Sa besim kanë pacientët …?

Besimi duhet fituar. E ndjej për detyrë që t’ia fitoj besimin pacientit. Nëse nuk kanë besim, do të thotë që diçka nuk shkon me atë që unë kam thënë.

A mendoni se do ta mbyllni karrierën tuaj në QSUT?

Nuk kam ndonjë plan për t’u larguar. Do isha e kënaqur ta mbyllja karrierën këtu.

Një mesazh për prindërit …
marre nga shendeti.com.al

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular