28 urdhër arreste janë lëshuar nga Prokuroria e Romës për një organizatë kriminale që trafikonte kokainë nga Kolumbia dhe hashash nga Spanja. Mes të arrestuarve është edhe mafiozi 70-vjeçar italian Marcello Colafigli, një nga bosët e organizatës kriminale romake të njohur si “Banda della Magliana”, një nga mafiat më të fuqishme dhe më të rrezikshme italiane nga fundi i viteve ‘70 dhe fillimi i viteve ‘90. Ai u dënua me burgim të përjetshëm për 3 vrasje por u lirua vitet e fundit.
Colafigli, duke shfrytëzuar prestigjin e tij kriminal, pavarësisht se ishte në gjysmë liri, do ta kishte krijuar dhe drejtuar organizatën duke bërë marrëveshje, drejtpërdrejt ose përmes bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë Alessandro Brunetti, 61 vjeç i njohur si “Sandro” nga Roma dhe Savino Damato, 83 vjeç i njohur si “Il Veçhio” nga Barletta por banues në Romë, me një grup kriminal shqiptar të kryesuar nga Erion Hyseni i njohur si “il Biondo”, së bashku me kosovarin Naser Xhylani i njohur si “The South” apo “Leon” dhe shqiptarin tjetër Roland Nurce i njohur si “Landi” apo “Il Pischello”, i një rrjeti të rëndësishëm kontaktesh me trafikantët ndërkombëtarë të drogës në Kolumbi për furnizimin me kokainë dhe në Spanjë për hashash.
Organizata e Colafigli do të kishte blerë një sasi të madhe kokaine, 30 kilogramë për t’u importuar në Itali nga Kolumbia (qyteti Turbo, afër Medellin) me transport brenda një kontejneri me destinacion përfundimtar portet e Gioia Tauro ose Napoli por importi më pas nuk u krye për shkak për humbjen e shumës prej 200 mijë euro të destinuara për furnitorët. Në këtë rast janë edhe dy persona që ende nuk janë identifikuar plotësisht, ata janë një kolumbian misterioz i quajtur “Pachito” dhe “Cittillo” nga Napoli. Organizata e Colafigli do të kishte importuar edhe disa qindra kilogramë hashash nga Spanja me 1700 euro kilogrami, mbi një mijë euro për transport, për t’u hedhur më pas në treg me 4500 euro për kilogram. “Gjërat” mbërritën në Itali në një fund të rremë të një kamioni me targa spanjolle.