BallinaEkonomiKreditimi është në rritje dyshifrore edhe për SHKK-të

Kreditimi është në rritje dyshifrore edhe për SHKK-të

spot_img
spot_img

Kreditimi i ekonomisë në tremujorin e parë të vitit shfaqi ecuri pozitive edhe në segmentin e shoqërive të kursim-kreditit (SHKK).

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të muajit mars, portofoli i kredisë i këtyre institucioneve arriti në afërsisht 12.4 miliardë lekë. Vlera e portofolit është rritur me 3.2% që nga fillimi i vitit dhe me 11.4% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kreditimi i ekonomisë në tërësi po shfaq një ecuri pozitive edhe përtej parashikimeve në pjesën e parë të këtij viti. Në fund të muajit prill, portofoli i kredisë për ekonominë arriti vlerën e 771 miliardë lekëve, me një rritje prej 7.5 miliardë lekësh krahasuar me shkurtin. Me bazë vjetore, rritja e kredisë ka kërcyer në nivelin 8.5% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa në fund të marsit, rritja vjetore ishte 7.3%.

Segmenti i shoqërive të kursim-kreditit nuk po bën përjashtim nga kjo tendencë pozitive.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të këtij tregu në fund të tremujorit të parë 2024 arriti vlerën e 15.9 miliardë lekëve, ose pothuajse 159 milionë eurove.

Shoqëritë e kursim-kreditit ose kooperativat financiare janë institucione të lejuara me ligj të pranojnë depozita nga anëtarët dhe të ofrojnë kredi për ta.

Modeli i SHKK-ve ka rezultuar veçanërisht efikas për financimin e atyre segmenteve të shoqërisë që, për arsye të ndryshme, kanë akses të kufizuar në sektorin bankar. Ato janë një segment i mikrofinancës veçanërisht i suksesshëm në zonat rurale të vendit, me fokus kryesor financimin e ekonomive bujqësore.

Aktivet e SHKK-ve janë në pjesën më të madhe hua të dhëna për anëtarët.

Pjesa tjetër e aktiveve konsiston kryesisht në depozita të vendosura në institucione të tjera financiare, ndërsa një pjesë të papërfillshme zënë investimet në letrat me vlerë dhe aktivet jo financiare.

Aktiviteti ndërmjetësues i SHKK-ve mbështetet, në pjesën më të madhe, te depozitat e anëtarëve. Në fund të marsit, depozitat përbënin 70% të detyrimeve totale të sektorit. Në vlerë ato prekën shifrën e 11.1 miliardë lekëve, në rritje 6.5% me bazë vjetore.

Edhe në sektorin e SHKK-ve në dy vitet e fundit po vërehet një rritje e peshës së depozitave në valutë të huaj. Depozitat në valutë janë në rritje me 22.5% krahasuar me një vit më parë, pavarësisht efektit negativ të kursit të këmbimit. Ndërsa depozitat në monedhën vendase shënuan një rritje të ulët, me 4% krahasuar me marsin e vitit të kaluar.

Megjithëse depozitat në lekë vazhdojnë të dominojnë strukturën e përgjithshme, pesha e depozitave në valutë është zgjeruar dhe ka arritur në 21.5% të totalit, nga 19.6% që kishte qenë një vit më parë./E.Shehu

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular