BallinaAktualitetDETAJE/ Operacioni ndaj bandës së trafikimit të emigrantëve, grupi u “zbërthye” nga...

DETAJE/ Operacioni ndaj bandës së trafikimit të emigrantëve, grupi u “zbërthye” nga agjenti i infiltruar. Ja skema e përdorur

spot_img
spot_img

SPAK finalizoi një operacion pak ditë më parë që çoi në arrestimin e disa anëtarëve të një grupi kriminal që përmes dokumenteve dhe viza false siguronte kalimin drejt Mbretërisë së Bashkuar, SHBA dhe Kanadasë të shtetasve të ndryshëm.

Por si u zbulua grupi kriminal?

Gazetarja Klodiana Lala për News24 ka zbardhur detajet lidhur me një agjent të infiltruar, i cili ka ndihmuar SPAK-un për të zbërthyer grupin kriminal.

Në dosjen hetimore të siguruar nga gazetarja, thuhet se agjenti i infiltruar, u paraqit te grupi kriminal si një person që ishte i interesuar të udhëtonte drejt Britanisë së Madhe.

Duke zbatuar ‘këshillat’ e anëtarëve të grupit kriminal, agjenti i infiltruar ka udhëtuar drejt Spanjës, ku iu dërgua një pasaportë e falsifikuar dhe me të do të udhëtonte drejt Dublinit, Irlandë.

Grupi kriminal kishte bërë gati dy bileta për agjentin e infiltruar, një që përputhej me të dhënat e pasaportës shqiptare dhe tjetra referuar të dhënave të pasaportës së falsifikuar.

Madje, grupi kriminal e kishte udhëzuar edhe për radhën që duhet të mbante te shkallët e avionit, ku ai duhej të ishte i 4 ose i 5-ti dhe në momentin që mund të kapej në Irlandë duhet tu thoshte autoriteteve se në Shqipëri rrezikonin ta vrisnin.

Autoritetet spanjolle inskenuan agjentin e infiltruar dhe në këtë mënyrë arritën të ekspozonin dhe anëtarët e grupit që po e vëzhgonin atë në aeroport teksa do të nisej drejt Irlandës.

SPAK ka mundur nga hetimet të provojë se grupi kriminal ka kaluar në mënyrë të paligjshme 44 shtetas, të cilët janë pajisur me pasaporta të falsifikuara si shtetas italianë, austriakë, sllovenë apo rumunë.

Sipas SPAK grupi drejtohej nga Bashkim Sula, i cili konsiderohet si organizatori i të gjithë veprimtarisë kriminale. Ai bashkëpunonte me Xhelal Krasniqin dhe Fitim Ramën të cilët siguronin dokumentet e falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti, karta bankare, etj, në një laborator në Kosovë.

Në këtë grup kriminal rezultojnë të përfshirë administratoret e dy agjencive udhëtimi si dhe 7 drejtues autobusësh të këtyre agjencive, që bënin transportonin e qytetarëve drejt Spanjës. Prej andej udhëtonin drejt Irlandës që përdorej si vend tranzit për të mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA apo Kanada.

Sipas dosjes hetimore, personat paguanin shuma nga 12 deri në 15 mije euro dhe paratë dorëzoheshin në momentin që mbërrinin në destinacion.

Nga hetimet e SPAK, në Tiranë është zbuluar një laborator që prodhonte dokumente false. Në krye të grupit në Tiranë ishte Ylli Brahimaj, i cili me ndihmën e një avokateje, udhëzonte qytetarët sesi të manipulonin procesin e vizave për në SHBA apo Kanada.

Hetimet implikuan edhe një oficer policie, i cili rezulton se kishte dijeni për aktivitetin e grupit, por nuk e kishte denoncuar atë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular