“Nëse media online refuzon të pranojë vendimet e organit administrativ të etikës, ata mund të përballen gjithashtu me gjoba nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postale, të cilat arrijnë deri në 825,000 euro dhe në origjinë janë konceptuar për operatorët e mëdhenj të telekomunikacionit”.
Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese, Birn, kritikon draftin e paketës anti-shpifje të prezantuar nga Ministria e Drejtësisë, që interpretohet si tentative e qeverisë për kontrollin e mediave online.
Gazetari Besar Likmeta, konstaton se rezoluta ka një efekt pengues mbi gazetarët vendës, duke rritur vetëcensurën, e cila sakaq është e gjithëpërhapur.
“Asnjë vend në Europë, me përjashtim të Rusisë së Vladimir Putinit, nuk përdor organe administrative për të rregulluar përmbajtjen e mediave në internet dhe nuk vendos gjoba të tilla drakoniane. Moska nuk është e mirënjohur për kredencialet e saj për lirinë e medias dhe dukshëm nuk është një vend kandidat që po troket në derën e Brukselit për anëtarësim në BE, siç është Shqipëria”, shkruan Birn.
Në fund, Birn shton se nëse qeveria synon të hap negociatat në vjedhtë, atëherë duhet të tërheq urgjent këtë projekt-ligj, ndërkohë që i bën apel edhe Brukselit që të mos hesht “ndaj ligjeve të tilla të hartuara keq si dhe përkeqësimit të përgjithshëm të lirisë së medias në rajon”.
Qëndrimi i plotë:
Të premten, qeveria e Shqipërisë zbuloi një seri amendimesh ligjore në ligjin për median audiovizuale të vendit si dhe në ligjin për komunikimet elektronike, me synimin për të rregulluar atë që e quan ‘epidemi’ të lajmeve të pavërteta në median në internet.
Legjislacioni i propozuar synon të krijojë një regjistër të mediave në internet në Autoritetin e Medias Audiovizuale dhe të rregullojë përmbajtjen e saj përmes një organi administrativ të etikës të zgjedhur politikisht, i cili do të tetë fuqinë të vendosë gjoba deri në 8,250 euro mbi median vendëse për dështim për të respektuar një detyrim të përkufizuar në mënyrë të mjegullt si ‘dinjiteti dhe privatësia’ e qytetarëve.
I njëjti këshill etike do të policojë ankesat, korrigjimet dhe të drejtën për t’u përgjigjur për palët e prekura, të cilat zakonisht media ia jep njerëzve apo institucioneve që janë shënjestër kritikash të ashpra, duke bërë të detyrueshme dhe një çështje publike atë që është vetëm politikë editoriale.
Bazuar në legjislacionin e propozuar, i ashtuquajtiri komision etike do të ketë fuqinë të urdhërojë publikimin e korrigjimeve dhe ankesave në mediat online, të cilat do të shfaqen në faqen e internetit përmes një dritareje po-up, e ngjashme me ato që përdoren nga reklamuesit online dhe krijuesit e viruseve dashakeqe në interne.
Teksti i korrigjimeve dhe ankesave do të hartohet nga komisioni i etikës dhe dështimi për ta respektuar atë do të sjellë një gjobë prej 6,598 eurosh.
Nëse media online refuzon të pranojë vendimet e organit administrativ të etikës, ata mund të përballen gjithashtu me gjoba nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike e Postale, të cilat arrijnë deri në 825,000 euro dhe në origjinë janë konceptuar për operatorët e mëdhenj të telekomunikacionit.
Të gjitha gjobat e vendosura nga komisioni i etikës do të duhet të paguhen menjëherë, dhe vetëm pasi paratë të jenë dorëzuar, media mund të kërkojë një rishikim ligjor nga gjykatat të vendimeve të këtij organi administrativ.
Projektligjet nuk diskriminojnë mes publikimeve online të kompanive të fuqishme mediatike dhe blogjeve personale, dhe pritet të kenë një efekt pengues mbi gazetarët vendës, duke rritur vetëcensurën, e cila sakaq është e gjithëpërhapur.
Që t’i vendosim gjobat në bazë krahasuese, dikush duhet të mendojë se shumica e gazetarëve marrin më pak të ardhura vjetore nga sa janë sanksionet për një lajm të vetëm.
Kjo është arsyeja se pse, në fillim të qershorit, një mision faktmbledhës i përbërë nga shtatë organizata të mirënjohura ndërkombëtare të lirisë së medias i përshkruan propozimet ligjore si “skema rregulluese drakoniane” të cilat bien ndesh me praktikat më të mira ndërkombëtare.
Përgjigjja në Shqipëri ndaj legjislacionit të propozuar ka qenë e përzjerë, me mediat kryesore që mbajnë vijën e qeverisë dhe që kanë dalë në mbështetje të tyre, ndërsa ato kritike e kanë quajtur propozimin një hile propagandistike nga një qeveri e zënë në skandale korrupsioni, akuza për lidhje me krimin e organizuar dhe protesta të dhunshme në rrugë të organizuara nga opozita.
Legjislacioni i propozuar vjen në një kohë klime kërcënimesh në rritje, sulmesh verbale dhe fizike kundër gazetarëve si dhe përkeqësim të përgjithshëm të lirisë së medias në vend.
Pavarësisht kritikave dhe pak ndryshimeve kozmetike, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka vijuar luftën, duke kërkuar ndëshkim për atë lloj mediash online që ai në mënyrë rutinë sulmin si “kazan’ – një fjalë turke me kuptimin ‘kazan plehrash’.
Rama ka pretenduar në parlament se ligjet që ai ka propozuar po vlerësohen dhe dakordësohen nga Zyra për Lirinë e Medias në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE.
Megjithëse OSBE duket se ka ofruar opinion ligjor mbi projektligjet e propozuara, duket e paqartë nëse rekomandimet e saj janë reflektuar nga qeveria shqiptare në projektligjet e propozuara. BIRN ka mësuar gjithashtu se Komisioni Europian ka dhënë opinionin e vet mbi projektigjet e propozuara; gjithsesi, fjala e Brukselit mbi regullimet e propozuara nuk është artikuluar publikisht.
Rama dhe lakejtë e tij pretendojnë se media në internet në Shqipëri është bërë një djep për shumimin e lajmeve false; gjithsesi, ka shumë pak prova për të mbështetur një pretendim të tillë. Mediat vendëse janë të goditura nga lajmet protokollare, lajmet e stisura dhe fushatat disinformative të prodhuara në zyrat e qeverisë dhe partive politike dhe që shpërndahen më së shumti përmes televizioneve kryesore, pronarët e të cilëve janë më së shumti oligarkë të lidhur me industri të rregulluara dhe që përshtasin vijën editoriale të medias së tyre me interesat politikë dhe ekonomikë.
Ka shumë pak prova se qeveria synon të kontrollojë një propagandë të tillë të financuar me paratë e publikut, lajmet e stisura apo fushatat dizinformuese, dhe është e dallueshme se në këto projektligje të propozuara, përjashtohen nga këshilli i etikës ato raportime nga seancat parlamentare apo institucionet e tjera qeveritare, të cilat, projektligji në mënyrë të çuditshme i cilëson si “të vërteta”.
Asnjë vend në Europë, me përjashtim të Rusisë së Vladimir Putinit, nuk përdor organe administrative për të rregulluar përmbajtjen e mediave në internet dhe nuk vendos gjoba të tilla drakoniane. Moska nuk është e mirënjohur për kredencialet e saj për lirinë e medias dhe dukshëm nuk është një vend kandidat që po troket në derën e Brukselit për anëtarësim në BE, siç është Shqipëria.
Nëse qeveria shqiptare e ka seriozisht kërkesën për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE këtë vjeshtë, ajo duhet të ndërpresë përpjekjet për të miratuar ligje që kufizojnë lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes.
Në mënyrë të ngjashme, nëse Brukseli mbetet i angazhuar për të zgjeruar liritë dhe të drejtat që janë themelore për BE-në në Ballkanin Perëndimor, ajo nuk duhet të mbyllë njërin sy ndaj ligjeve të tilla të hartuara keq si dhe përkeqësimit të përgjithshëm të lirisë së medias në rajon.