BallinaEkonomiShoqatat e Biznesit: Projektligji për Dhomën Ekonomike shkel Kushtetutën dhe cenon të...

Shoqatat e Biznesit: Projektligji për Dhomën Ekonomike shkel Kushtetutën dhe cenon të drejtën e përfaqësimit të lirë të biznesit

spot_img

Dhomat dhe shoqatat kryesore të përfaqësimit të biznesit në Shqipëri kanë shprehur në procesin e konsultimit publik kundërshtime ndaj projektligjit “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”.

Këto komente vijnë pasi më herët 19 shoqata biznesi dhe dhoma tregtie iu drejtuan me një letër ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj, ku kundërshtonin projektligjin që parashikon anëtarësimin me detyrim të të gjithë bizneseve në një Dhomë Ekonomike Kombëtare.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në komentet e saj depozituar në faqen e konsultimeve publike shprehet se anëtarësimi i detyrueshëm për subjektet tregtare i parashikuar në projektligj bie ndesh me parimin e lirisë se organizimit sipas nenit 46 të Kushtetutës. Sipas Dhomës Amerikane, ky nen sanksionon lirinë e organizimit e cilido personi që të zgjedhë mënyrën e organizimit kolektiv, të cilët nuk mund të detyrohen te marrin pjesë në organizime kundër vullnetit të tyre.

Dhoma Amerikane vëren se projektligji parashikon një sërë shërbimesh që mendohet të ofrohen nga DHEK ose degët e saj, por ndër këto shërbime ai më thelbësori mbetet jashtë perimetrit të kompetencave të saj. Shërbimi i regjistrimit të biznesit dhe identifikimi i pronarëve përfitues mbeten pranë QKB-se e cila do të vazhdojë të kryejë këtë funksion së bashku me shërbime të tjera mbështetëse siç janë asistenca apo informimi për procedurat e regjistrimit të biznesit, regjistrimi i pronarëve përfitues, etj.

Ndërkohë, të gjitha shërbimet e propozuara në projektligj, sipas Dhomës Amerikane, janë të paprekshme dhe ndikojnë shumë pak në jetën e subjekteve tregtare, madje disa prej tyre mund të konsiderohen thjesht një tjetër barrë burokratike dhe financiare për biznesin, (si p.sh., regjistri që mban DHEK dhe detyrimi për ndarje informacioni me këtë regjistër në mënyrë periodike nga subjektet tregtare).

Ndërkohë, sipas Dhomës Amerikane, edhe vetë tarifa e regjistrimit mund të konsiderohet një barrë financiare për biznesin.

“Tarifa e re që do të ndikojë padyshim në klimën e përgjithshme të të bërit biznes në Shqipëri dhe sigurisht kjo do reflektohet në vrojtimet/anketimet e ndryshme kombëtare dhe ndërkombëtare, ku indikatorët financiare, administrative, kohor do të ndikohen në mënyrë thelbësore duke ndikuar dhe negativisht në renditjen e vendit kundrejt vendeve të rajonit. Gjithashtu, parashikimi se tarifa vjetore e regjistrimit, për subjektet e tjera tregtare (përjashtuar bizneset e vogla), vendoset nga Asambleja e Përgjithshme e DHEK, lë hapësirë për interpretim dhe vendimmarrje duke krijuar një pasiguri dhe paparashikueshmëri për subjektet tregtare,” thuhet në komentet e Dhomës Amerikane.

Dhoma Amerikane konkludon se mungon një analizë kosto – përfitim në parashtrimin e këtij projektligji dhe një mungesë e tillë e zhvesh qëllimin e mirë të reformës.

Komente të njëjta me Dhomën Amerikane ka paraqitur edhe Dhoma e Tregtisë Italiane në Shqipëri.

Shoqata e Investitorëve të Huaj në Shqipëri (FIAA) në komentet e saj arrin në përfundimin se projektligji cenon të drejtën e biznesit për t’u vetë përfaqësuar në mënyrë të lirë dhe të pandikuar nga qeveria, çka përbën një cenim të rëndësishëm të lirisë së tregut dhe një precedent të rrezikshëm për vendin tonë.

Sipas kësaj shoqate, nenet 42 deri 47 ku flitet për Komisionin e Përkohshëm, detyrat e tij, organizimin e zgjedhjeve të para dhe financimin fillestar të Dhomës lënë kuptohet që deri në fund të vitit 2025 (pra, një vit e gjysmë) Dhoma do të jetë krejtësisht në dorë të ministrit përgjegjës.

“Ajo përcakton se kush janë njerëzit që do ta drejtojnë Komisionin e Përkohshëm dhe përcakton e paguan shpërblimin financiar që ata do të marrin. Ky Komision i përkohshëm, krejtësisht i varur nga ministri përgjegjës, realizon zgjedhjen e parë të Asamblesë dhe organeve drejtuese që ka mandat 4-vjeçar. Pra të paktën edhe për 4 vite të tjera përtej 2025, Dhoma është e ngritur me njerëz që do të jenë të lidhur/ndikuar po ashtu nga ministri përgjegjës/qeveria.

Në nenin 36 ku flitet për tarifën e shërbimeve, në pikën 2 thuhet që “Vlera e tarifave përcaktohet me vendim të Bordit dhe me miratim të ministrit përgjegjës për sipërmarrjen”. Pra persëri një varësi e plotë nga ministri përgjegjës. Kjo dhomë i bie që do të përfaqësojë interesat e biznesit? Apo të ministrit përgjegjës/qeverisë?” thuhet në komentet e FIAA-s.

Bashkimi i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë në komentet e saj shprehet se ky ligj mban të njëjtin sistem organizimi të dhomave të tregtisë të parashikuar nga me ligjin aktual, “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”.

“Zgjedhja e organeve drejtuese të Dhomave ekonomike rajonale dhe Dhomës Ekonomike Kombëtare është i krejtësisht e njëjtë me ligjin aktual, nr. 9640, datë 9.11.2006, “Për Dhomat e Tregtisë dhe Industrisë”, të ndryshuar. Pra, ky draft nuk mund të ketë si objekt krijimin e Dhomës Ekonomike Kombëtare, por de facto, ka si objekt dhomat të strukturuara njësoj me sistemin që ekziston sot.

Ligji sjell si risi ngritjen e këshillave sektorialë dhe nënsektorialë, duke mos vajtur larg organizmit që dhomat kanë sot, të bazuar në departamente, që mbulojnë sektorët ekonomikë më të rëndësishëm. Përcaktimi i disa prej funksioneve të rëndësishme të Dhomës Ekonomike Kombëtare, Dhomave ekonomike rajonale dhe këshillave sektorialë dhe nën sektorialë, duhet të ishte i qartë dhe pa mbivendosje.

Ky draft nuk parashikon asnjë instrument real lidhur me vjeljen e kuotave të anëtarësimit, dhe për këtë arsye, mendojmë që sistemi nuk do të ketë nje stabilitet ekonomik të qëndrueshëm për të realizuar qëllimin,” thuhet në komentet e Bashkimit të Dhomave.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë (DHTIT), ka dërguar një koment të lidhur hapësirat që, sipas tij, projektligji krijon për shmangien e detyrimit të të gjitha subjekteve tregtare për anëtarësim të detyruar në Dhomën Ekonomike Kombëtare.

“E konsiderojmë të pavend, përmbajtjen e pikës 4 dhe 5 të këtij neni, ku propozuesi i draftligjit, Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, synon që të bëjë një “favorizim”, për të shmangur detyrimin e anëtarësimit të detyruar të subjekteve tregtare që janë anëtare të dhomave bilaterale.

Thelbi i pikës 4 dhe 5 krijon precedentin e marrjes së shumë inciativave, që pas miratimit të këtij drafti, të lindin shumë dhoma bilaterale vetëm me synimin për të shmangur detyrimin e tarifës për anëtarësim në Dhomën Ekonomike Kombëtare.

Meqenëse Dhomat bilaterale nuk janë të regjistruara me ligj të veçantë, por të regjistruara në gjykatë si organizata të shoqërisë civile /shoqata, çdo subjekt tregtar nuk duhet të përjashtohet nga anëtarësimi i detyruar në respekt të pikës 1 të nenit 11,” thuhet në koment.

Drafti

Projektligjit “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare” synon një model të ri të përfaqësimit të sipërmarrjes, përmes së cilit praktikisht qeveria do të “monopolizojë” përfaqësimin e sipërmarrjeve në Dhoma e Shoqata biznesi.

Thelbi i këtij modeli përfshin riorganizimin e modelit aktuale drejt modelit të pastër të së drejtës publike, në respektim të parimeve të një sistemi të unifikuar, me qasje sektoriale dhe ndarje rajonale. Reforma parashikon forcimin e pozitës së Dhomës Publike dhe krijimin e Dhomës Unike Ekonomike Kombëtare. Anëtarësimi i subjekteve tregtare do të jetë i detyrueshëm në harmoni me normat kushtetuese dhe modelet ndërkombëtare.

Kuotizacioni do të jetë i përshkallëzuar në bazë të llojit dhe xhiros vjetore, me kuotë minimale simbolike për biznesin e vogël, me përfaqësim sektorial dhe rajonal.

Ky model, sipas raportit, do të nxiste një zë të unifikuar të biznesit dhe do të promovonte një dialog të rregullt me organet shtetërore për nxitjen dhe zhvillimin e bizneseve.

Në raport quhet problematike numri i lartë i organizatave të biznesit, me më shumë se 180 shoqata. Sipas raportit ka një nivel të çrregullt të përfaqësimit sektorial, përfaqësimit rajonal dhe ndërkombëtar si dhe ka llogaridhënie dhe transparencë të dobët të veprimtarisë së dhomave dhe mungesë kohezioni dhe partneritet me Dhomat bilaterale.

Roli për krijimin e këtij modeli të ri i është lënë Ministrit për Sipërmarrjen, që do të ngrejë një Komision të përkohshëm me objektiv ngritjen e sistemit të ri të dhomave dhe organizimin e zgjedhjeve të para të organeve drejtuese dhe vendim marrëse brenda dy viteve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Komisioni i përkohshëm do ë përgatisë aktet nënligjore dhe zgjedhjet në sistemin e Dhomës Ekonomike Kombëtare dhe Dhomat sektoriale, duke shënuar dhe shpërbërjen e Komisionit të Përkohshëm me zgjedhjen e organeve drejtuese.

Financimi fillestar i Dhomës Ekonomike Kombëtare do të subvencionohet nga shteti për një periudhë 2 vjeçare, duke filluar që nga momenti i fillimit të punës së komisionit.


spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular