Basha: Rama-Berisha në Pazar për falje pushteti. Do bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë, alternativa jonë do jetë në zgjedhje
Drejtuesi i demokratëve euroatlantik, Lulzim Basha, në studion e emisionit “Open” në News24, tha vendimi i 11 qershorit i Gjykatës së Apelit do të çohet në Gjykatën e Lartë përmes një rekursi. Ai tha se po pret zbardhjen e vendimit të Apelit për t’iu drejtuar Gjykatës së Lartë. Basha tha se në këtë vend nuk mund të shndërrohet në normë padrejtësia.
“Nuk pati gjykim themeli në Apel, sikundër udhëzonte Gjykata e Lartë. Me çështjen do të merren juristët, ne nuk harxhojmë asnjë minut kohë me këtë debat shterpë”, tha Basha, duke shtuar se forca jonë është Partia Demokratike e Shqipërisë, demokratët euroatlantikë.
Basha tha se ky vendim është në vijim të pazareve mes Sali Berishës dhe Edi Ramës, ku të parit i jepet një vulë, ndërsa të dytit i falet pushteti edhe për 4 vjet.
Basha paralajmëroi se ky pazar do të vijojë dhe shqiptarët do të përballen me gjëma si pasojë e këtij pazari.
“Amnistia e votuar nga disa deputetë të PD-së për të liruar zyrtarë të dënuar nga SPAK për korrupsion është fakt dhe nuk është akuzë”, tha Basha.
Ai u shpreh se ka bashkuar votat me socialistët për reformën në drejtësi, ndërsa u shpreh se nuk mund të krahasohet bashkimi i votave për rritjen e pagave të atyre që pastrojnë sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit dhe bashkimin e votave për të liruar nga burgu të korruptuarit e Edi Ramës.
“Ky është fakt i bashkëpunimit mes Ramës dhe Berishës”, tha Basha.