Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani, ndodhet në Londër për të intensifikuar bashkëpunimin me agjencitë ligjzbatuese britanike.
Top Channel mëson se kreu i SPAK pati një takim kokë më kokë me Graeme Biggar, Drejtor i Përgjithshëm i NCA-së, Agjencisë Kombëtare Kundër Krimit, e njohur si FBI-ja britanike.
Ky është takimi i dytë mes tyre, pas nënshkrimit të memorandumit të përbashkët të bashkëpunimit në Tiranë, në shkurt 2024.
Bazuar në këtë memorandum, janë ngritur skuadra të përbashkëta SPAK-NCA, ku në fokus është krimi i organizuar shqiptar në Britaninë e Madhe, e në veçanti hetimi i parave të investuara në Shqipëri me prejardhje kriminale.
Në Londër, Altin Dumani është takuar edhe me Stuart Skeates, Drejtor i Përgjithshëm i Operacioneve në Ministrinë e Brendshme Home Office, i cili udhëhoqi betejën në ndalimin e emigracionit ilegal të shqiptarëve me gomone drejt Anglisë.
Takime të tjera, kreu i SPAK pati edhe në Policinë Metropolitane, Ministrinë e Brendshme Home Office, Prokurorinë e Përgjithshme Home Office, City of London Police, e cila udhëheq hetimet e krimeve financiare dhe ekonomike në të gjithë Britaninë e Madhe. Po ashtu, në The Royal Institute for Security and Defence Studies (RUSI) (Institutin Mbretëror për Studime të Sigurisë), në një tryezë të rrumbullakët me ekspertë dhe akademikë, përfshi zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme Foreign Office, ku është ndarë eksperienca e SPAK, sfidat dhe praktikat më të mira në luftë me korrupsionin e krimin e organizuar.
Për rëndësinë që merr bashkëpunimi i SPAK me autoritetet ligjzbatuese në këtë tryezë të rrumbullakët Altin Dumani ka deklaruar:
“SPAK është i përkushtuar për të forcuar angazhimin mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë në bashkëpunimin gjyqësor, ligjzbatues dhe e sheh partneritetin me Mbretërinë e Bashkuar si jetik në luftën kundër krimit të organizuar transnacional dhe korrupsionit. Për shkak të kompleksitetit dhe natyrës së tyre tranzicionale, për SPAK është mëse e qartë se as një vend nuk mund të trajtojë vetëm krimin e organizuar, korrupsionin, trafikimin e qenieve njerëzore, krimin financiar ose krimin kibernetik. Ne vlerësojmë mundësinë e sotme për t’u angazhuar me aktorë të ndryshëm dhe është e rëndësishme që të vazhdojmë shkëmbimin e njohurive midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, në mënyrë që të mund të trajtojmë së bashku disa nga këto çështje përmes bashkëpunimit të ndërsjelltë”.
Ndërsa Dr. Fabian Zhilla, Këshilltari Ligjor i SPAK, foli për sfidat e hetimit të krimit të organizuar shqiptar që ka marrë trajta ndërkombëtare.
Dr Andi Hoxhaj OBE, profesor në University College London, i cili ndoqi këtë vizitë të kreut të SPAK Altin Dumani, bëri këtë koment për Top Channel:
“SPAK nën drejtimin e Dumanit dhe rezultatet që ka thënë në dy vitet e fundit në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit ka fituar shumë respekt edhe besim nga agjencia ligjzbatuese si NCA, Home Office, Metropolitan Police dhe Prokuroria CPS. Ky bashkëpunim tani është ngritur në një nivel më tëngushtë bashkëpunimi, ku ndahen informacione edhe po punojnë ngushtë për të adresuar luftën kundër krimit të organizuar”.
Britania e Madhe, thekson Andi Hoxhaj, më përpara nuk ka pasur një besim që të ndante informacion, dhe tani jo vetëm qe po ndan me SPAK, por dhe po bashkëpunon ngushtë me skuadra të përbashkëta.
“Ky është një zhvillim pozitiv pasi tani Britania e ka kuptuar që disa nga sfidat që kanë në lidhje me pastrimin e parave, organizimi i emigrimit ilegal dhe grupet e strukturuara kriminale nuk mundet të adresohet vetëm Shqipëria dhe SPAK ju ka treguar që është një partner i besueshëm për të adresuar çështje që i përkasin të dyja vendeve.
Vizita ishte pozitive për të sensibilizuar zyrtar të lartë për të thyer imazhin, përtej stimgës që është krijuar dhe komunitetet shqiptare në Britani janë atemuar në vitet e fundit, që Shqipëria ka institucione serioze që duan të punojnë ngushtë me Britaninë që të sjellin para drejtësisë ata që janë vërtetë të përfshirë në aktivitete ilegale dhe të diferencohen nga shqiptarët e ndershëm që jetojnë dhe punojnë në këtë vend”, thotë Andi Hoxhaj.