BallinaOP EDCikli i partive politike aktuale është mbyllur

Cikli i partive politike aktuale është mbyllur

spot_img
spot_img

Ardi Stefa

Një nga karakteristikat e periudhave të tranzicionit në një shoqëri dhe sistemin e saj politik është se disa politikanë dhe liderët në detyrë apo edhe aspirantë për të qenë liderë të partive që kanë humbur shumë nga forca e tyre e mëparshme elektorale, besojnë se mund të “të bëjnë golin” dhe t’i bëjnë partitë e tyre të rifitojnë përsëri ndikimin e tyre të mëparshëm elektoral.

Ajo që nuk kuptojnë është se partitë nuk janë emra produktesh të njohura, apo siç i quajmë ndryshe “marka firmato”, që kanë nevojë për një freskim dhe marketing më të mirë për të rifituar klientët.

Partitë janë dinamika historike që formohen në rrethana specifike, duke u shfaqur si domosdoshmëri përmes proceseve shoqërore, arrijnë ose jo të përshtaten me ndryshimet e kohës dhe ndonjëherë shohin mbylljen e ciklit të tyre historik.

Kjo nuk ka të bëjë me faktin nëse ato “përcjellin mesazhe”, apo kanë një adresim në elektorat apo edhe nëse kanë “udhëheqës e udhëheqje që frymëzojnë”. Kryesisht ka të bëjë me atë që ato përfaqësojnë dhe atë çka propozojnë.

Dhe gjërat bëhen edhe më komplekse në periudhat që janë në kufirin midis një gjendjeje të mëparshme dhe një të reje, konturet e së cilës nuk janë ende të qarta.

Vendi ynë është pikërisht në një fazë të tillë.

Procesi ka nisur më herët kur sistemi i fortë dypartiak PD- PS, kishte si referencë të përbashkët “europianizmin”, por në politikat e zbatuara brenda Shqipërisë në këto 34 vite tranzicion, u zbatua krejtësisht e kundërta e asaj që predikohej. U zbatua një sistem kapilar korruptiv, i nënshtruar ndaj mafies politike e ekonomike që përdorte mafien ordinere për mbylljen e punëve dhe të kundërshtive, u zbatua një politikë që nxiste dashurinë ndaj partisë të mbizotëronte mbi dashurinë ndaj Shqipërisë, u luftua meritokracia e u ngrit në piedestal mediokriteti, u luftua mendimi ndryshe dhe pazaret e nëndheshme midis dy partive kryesore rezultoi që nuk ishin edhe aq të nëndheshme.

Në këto 34 vite tranzicion, kemi qenë dëshmitarë tëi kësaj dukurie të përsëritur: këmbënguljes së formacioneve politike të dështuara dhe figurave drejtuese politike për të vazhduar të pretendojnë një rol protagonist në ngjarjet politike, pavarësisht se e kanë mbyllur me kohë ciklin e tyre jetësor e historik.

Ndërkohë në popull, i cili tashmë ka burime të pafundme informacioni dhe nuk është më aq i paditur apo i manipulueshëm sa p.sh. në vitin 2005 po konsolidohet besimi se në momente të caktuara ka vetëm rrugë njëkalimëshe të imponuara.

Dhe shoqëria tashmë e kupton se rruga e vetme është të ecësh përpara dhe jo “përpara- mbrapa”, me të njëjtat figura, me të njëjtat fytyra, me ish-ët përgjegjës për gjendjen e partive politike dhe të vetë Shqipërisë, me ata politikanë e ish- politikanë që mbajnë peng të orekseve e ambicieve të tyre forcën politike dhe ardhmërinë e atdheut, me ata politikanë të pasuruar në mënyrë të paimagjinueshme dhe jo ndershmërisht. Nuk mund të ecësh përpara kur politika është bërë një sallë e madhe parapolitike, me thashetheme e thashetheme pa fund; me ide konspirative, që as fëmijët e çerdheve nuk bindin më: “Më tha ai mua…”, “Më pat thënë ajo mua…”, “Do të më thonë ata mua…”

Dhe shoqëria mbetet e pakënaqur, me pjesë të rëndësishme të saj të zemëruara dhe të fragmentarizuara, duke u luhatur mes votimit të protestës dhe apatisë politike.

Nuk është rastësi që një pjesë e saj kthehet edhe në përkrahjen e partive ekstremiste e populiste.

E gjithë kjo tregon për një gjë: mbylljen e ciklit historik të partive aktuale dhe paraqitjeve të tyre historike, cikël, i cili duhet të ishte mbyllur vite më parë, por që dinozaurët politikë nuk e lejuan.

Por mbyllja e ciklit jetësor të partive aktuale në Shqipëri po ndodh. Me ritme të ndryshme, padyshim edhe me karakteristika të ndryshme, por ka ardhur. Dhe në fund nuk do të kemi më partitë e tanishme, as në formën e tyre dhe as në gjeometrinë e tyre aktuale.

Ky nuk është një proces që të përfshirët thjesht do ta shikojnë. Zgjedhjet e tyre do të përcaktojnë formën që do të marrin gjërat. Sa e frikshme dhe sa e gjatë do të jetë “epoka e dinozaurëve”.

Dhe kostoja jonë për disa mandate deputetësh do të jetë shumë e shtrenjtë. Që të bëhen ca idiotë të dobishëm të kryetarit deputetë shqiptarët duhet të paguajnë katër vite të tjeta nga jeta e tyre.

Ka një element që do të jetë vendimtar. Nëse do të ketë një hapësirë të fortë demokratike që mund të përfaqësojë vërtet shqiptarët, t’i japë fund kanibalizmit politik dhe do të jetë në gjendje t’u përgjigjet sfidave të mëdha të kohës.

Nuk e them këtë për arsye preferencash ideologjike e as preferencash politike.

E them këtë, sepse historikisht është vërtetuar se nëse ka një pol kaq të fortë, me program dhe strategji, ai ushtron një ndikim të përgjithshëm në sistemin politik.

Ajo gjithashtu detyron dinozaurët politikë të përfundojnë ciklin e tyre jetësor, margjinalizon politikën korruptive kriminale të fasadave demokratike dhe bën që protesta sociale të bëhet një forcë ndryshimi dhe jo një trampolinë për ideologjitë e errëta.

Dhe sigurisht hapësira demokratike është ajo që u kujton “dinozaurëve politikë” se ka një shoqëri me të drejta dhe një shoqëri që nuk mjaftohet më me retush.

Gjendja aktuale dhe mbajtja në këmbë e sistemit aktual politik, për ristrukturimin e hapësirës demokratike është e rrezikshme.

Rindërtimi i tij nuk është një detyrë e lehtë, sepse në hapësirat ku strategjia dhe ideologjia zbythen, zakonisht komunikimi dhe ambicia e tepruar personale janë me tepri.

Njëkohësisht kërkon një edukim të shoqërisë pas vizioneve frymëzuese dhe realiste në të njëjtën kohë.

Megjithatë, ndryshimi dhe kërkesa për ndryshim gjithnjë e më shumë fitojnë karakteristika të domosdoshmërisë historike dhe jo të prioritetit politik.

Dhe kjo vendos përpara përgjegjësisë, veçanërisht ata që e dinë se çfarë do të thotë të përballesh me historinë.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular