Zbardhet vendimi, sa do të jetë mbështetja financiare për studentët e shkëlqyer! Pagesa bazuar në notën mesatare, ja fushat me prioritet kombëtar

0
90

 Qeveria ka miratuar fushat dhe programet e studimit që janë prioritet kombëtar, si dhe mbështetjen financiare për studentët e shkëlqyer që do të ndjekin këto degë gjatë vitit akademik 2024-2025.

Vendimi është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë në fuqi menjëherë ndërkohë që efektet e tij fillojnë me nisjen e vitit të ri akademik e në vijim. Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe institucionet publike të arsimit të lartë janë ngarkuar për zbatimin e këtij vendimi.

“Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 5, të nenit 112, të ligjit nr. 80/2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Arsimit dhe Sportit, Këshilli i Ministrave VENDOSI:  Në vendimin nr. 386, datë 1.6.2022, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

a) Shkronja “c”, e pikës 2, ndryshohet, si më poshtë vijon: “c) Studenti, i cili ka zgjedhur të ndjekë një prej programeve të studimit, që përbën prioritet kombëtar, të përcaktuara nga komisioni ad hoc, i ngritur pranë ministrisë përgjegjëse për arsimin, për çdo vit akademik, sipas fushave të studimit të miratuara në shtojcën nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi”, thuhet në vendimin e publikuar në Fletoren zyrtare.

Sakaq në këtë vendim bëhet me dije gjithashtu se studenti përfitues, për vitin e parë të studimeve përfiton mbështetje financiare me bursë, në masën e pagës bazë minimale mujore, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas programeve që përbëjnë prioritet kombëtar për vitin akademik. Pas vitit të parë të studimeve, studenti përfiton mbështetje financiare me bursë deri në masën e pagës bazë minimale mujore, mbi bazën e arritjeve akademike.

Përkatësisht me ruajtjen e notës mesatare mbi 8.00, studenti përfiton 100% të masës së pagës minimale; me ruajtjen e notës mesatare nga 6.5 deri në 8.00, përfiton 60% të masës së pagës minimale; ndërsa me ruajtjen e notës mesatare deri në 6.5, student përfiton 30% të masës së pagës minimale. Por në vendim nënvizohet se studenti duhet të ketë shlyer të gjitha detyrimet akademike të vitit përkatës akademik për përllogaritjen e notës mesatare vjetore.

“Për përcaktimin e programeve prioritare të studimit dhe kuotave të financimit për këto programe në institucionet publike të arsimit të lartë për studentët përfitues sipas shkronjës “c”, të pikës 2, të këtij vendimi, për çdo vit akademik, mbështetur në fondin e vitit përkatës buxhetor dhe në nevojat e vlerësimet periodike të IAL-së, si dhe prioritetet lokale, rajonale e kombëtare, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ngrihet komision ad hoc, i përbërë nga 5 (pesë) anëtarë, me përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për arsimin, AKFAL-i dhe institucionet publike të arsimit të lartë”, thuhet në vendim.

Sakaq, në të theksohet se Komisioni ad hoc përcakton, sipas fushave të përcaktuara, programet prioritare të studimit në institucionet publike të arsimit të lartë, sipas nevojës për vitin akademik, dhe kuotat e financimit për këto programe, bazuar në buxhetin e miratuar të AKFAL-it, përpara fillimit të procesit të pranimit të studentëve në vitin akademik përkatës. Programet prioritare dhe kuotat e financimit për çdo institucion publik të arsimit të lartë i dërgohen AKFAL-it nga komisioni ad hoc, i cili shpërndan për çdo IAL publike fondin e transferuar për këtë qëllim.

“Përzgjedhja e studentëve përfitues, sipas shkronjës “c”, të pikës 2, të këtij vendimi, bëhet nga IAL-të publike për çdo program prioritar në bazë të renditjes, sipas notës mesatare në pranim, nëse numri i kërkuesve është më i madh se kuotat e miratuara”, thuhet në vendim.

Ndërkohë IAL-të, sipas këtij vendimi, depozitojnë tek AKFAL-i, çdo vit, listën e notave dhe vërtetimin për shlyerjen e të gjitha detyrimeve të studentëve përfitues për vitin e parë dhe vijues të studimeve.