Dikur qendër sanxhaku me 10 mijë banorë, sot një qytet i izoluar nga qendrat urbane, Leskoviku po ringjallet nga bujtinat, distileritë dhe kantinat që po shndërrojnë në marka rakinë me nam të vendit. Xhini i parë shqiptar “Melesini”, rakitë “Oda” dhe “Vjosa”, verërat nga vreshtat përreth po synojnë tregjet e huaja. I shkatërruar tre herë gjatë luftërave, qyteti djep i rilindësve si Faik Konica, Jani Vreto dhe Themistokli Gërmenji etj., po përpiqet të ringrihet, duke jetësuar filizat e traditës dhe bukurive natyrore. Nga Melesini në Vjosë, vreshtat si askund tjetër, plot kala dhe banime të lashta, ujëra termale dhe njerëz të mrekullueshëm, Leskoviku ka shumë për të ofruar në epokën e turizmit
Nuk ka asnjë vend tjetër në Shqipëri ku madhështia e natyrës, njerëzve, kulturës dhe traditës bëhen bashkë si në Leskovik. Gati 1000 metër mbi nivelin e detit, qyteza që u ka mbijetuar tri herë shkatërrimeve dhe luftërave, djepi i rilindësve dhe patriotëve, vreshtave dhe sazeve po përpiqet të ringrihet nga turizmi.
Leskoviku shtrihet në rrëzë të malit të Melesinit, 49 kilometra larg Përmetit dhe 44 kilometra nga Erseka. Dikur ishte qendër kryesore e Vilajetit të Janinës me mbi 10 mijë banorë, e krijuar nga nëpunës të mëkëmbur të perandorisë për pushime vere, kurse sot është njësia administrative më e izoluar në vend.
Qyteti, që ndodhet në mes të një prej rrugëve më të bukura në vend, Përmet-Ersekë, po përpiqet të rimëkëmbet prej turizmit. Kantinat e rakisë dhe verës po u japin jetë vreshtave që shtrihen në këmbët e qytetit, të vjetra sa vetë ai.
Rakia dhe vera e Leskovikut, marka më në zë e traditës, tani po organizohet në marka dhe impiante moderne prodhimi për konsum jashtë vendit. Ky qytet ka ofertë të larmishme turistike që nga natyra, ushqimi dhe historia dhe po tërheq turistë të nivelit të lartë nga Europa. Qyteti është mjaft i pëlqyer nga francezët dhe gjermanët dhe tani disa leskovikqarët që kishin vite ikur në Greqi po rikthehen.
Xhini i parë shqiptar “Melesini” nis në Leskovik
Pranë rrapeve qindravjeçare në hyrje të qytetit, godina që dikur ka qenë turizmi i Leskovikut, sot është shndërruar në njësi luksoze akomodimi. Në ambientet e barit, bujtësit mund të kundrojnë prodhimin e xhinit dhe rakisë para syve të tyre.
Godina e vjetër tani është një distileri moderne që po prodhon markat e rakisë “Oda” dhe “Vjosa”, teksa ka nisur të dalë në treg xhini i parë shqiptar “Melesini”. Shishja e dizenjuar me motivet e traditës dhe malit mbi qytet, sapo ka dalë në treg.
Stavri, një i ri vendas i cili administron distilerinë, thotë se prodhimet janë pritur mirë dhe numri i vizitorëve është rritur ndjeshëm.
Deri para një viti, Leskoviku ishte si një qytet fantazmë në anë të një prej rrugëve më të bukura të vendit, por njësitë e agroturizmit dhe ringritja e ish-hotel Turizmit me standarde të larta po popullon qytetin me të huaj dhe po shton shpresën te vendasit, të cilët vreshtat dhe rakinë i kanë stil dhe mjet kryesor jetese.
Stavri thotë se për më shumë se dy vite, ekspertë të huaj punuan me stafin e “Melesini Distileri” për të prodhuar xhinin, i cili aromatizohet me dëllinjën me cilësore në Europë dhe mjaft i preferuar nga gjermanët për pije të ngjashme.
Rritja e numrit të vizitorëve dhe interesi për traditën ka të ngjarë të jetë një mundësi që ky qytet me shumë histori dhe kulturë, që me reformën e re territoriale është vetëm një njësi e thjeshtë, administrative të rigjallërohet pak.
Tani në qytet ka katër impiante të prodhimit të verës dhe pesë njësi akomodimi, katër nga të cilat u hapën vitin e fundit. Numri i turistëve po rritet, teksa po tradita e prodhimit të rakisë duke u përshtatur për turistët është një fillim i mirë.
Turizmi po ngjall vreshtat dhe rakinë
Vreshtat e Leskovikut janë po aq mahnitëse sa ato të Cinque Terre në Itali (pjesë e trashëgimisë së UNESCO). Nga Përmeti në Leskovik, në një rrugë gjarpërushe me shumë kthesa që u shtrua vetëm para dy vitesh, kalon mes brezareve me vreshta në lëndina si rrëpira.
Askund tjetër në një terren malor si ky nuk gjendjet kjo pamje. Vreshtat janë prezantimi më i mirë që i bëhet qytetit ende pa arritur. Njerëzit janë punëtorë, përderisa kanë kultivuar brezare me vreshta të harlisura të rrethuara me mollë dhe qershi në rrëpira e gurishte. Toka me gurë dhe era e detit që sjell Vjosa bashkë me freskinë e maleve përreth e bëjnë rrushin e Leskovikut nga më cilësorët për raki dhe verë.
Një verë nga varieteti i rrushit “Pinot Noir”, që shërbehet me delikatesë nga hoteli në qytet, konkurron markat më të mira të Francës dhe Italisë.
Për turistët në kërkim të degustimit të pijeve, Leskoviku po kthehet në një klastër ku vreshtat dhe kantinat ofrojnë një gamë të gjerë produktesh nga rakia te vera. Dikur prodhimet artizanale që ishin në zë në të gjithë vendin nga cilësia e lartë, tani synojnë të bëhen marka të njohura ndërkombëtarisht.
Xhini “Melesini” tani është në dyqanet “Duty Free” të Aeroportit “Nënë Tereza”.
Vreshtat dhe rakia mbi të gjitha janë stil jete në Leskovik. Nga rreth 500 familje që banojnë sot në qytezë, 470 prej tyre kultivojnë vreshta, thotë Stavri. Çdokush në qytet është mjeshtër i kultivimit të rrushit dhe rakisë. Është një shkollë jete që e kanë trashëguar nga të parët.
Madje edhe ata me origjinë nga Leskoviku, që kanë lindur në qytete të tjera, janë mjeshtër të rakisë. Vreshtat i bëjnë bashkë qytetaret.
Nisen në lindje të diellit deri sa shpërndahen në ngastra, pastaj ngjiten duke ndihmuar njëri-tjetrin për të pushuar nën hijen e rrapeve shekullore në qytet, duke u çlodhur me një filxhan kafe dhe ujë të ftohtë burimi që del nga trungu i rrapit. Vreshtat janë pjesë e bisedave, sazeve dhe tavolinave në netët e gjata të dimrit të një qyteti të izoluar nga bota.
Hapja e kantinave dhe distilerive për një treg më të gjerë po nxit mbjelljen e sipërfaqeve të reja. Aktualisht, në rrethinat e qytezës kultivohen rreth 120 hektarë vreshta që ruajnë disa nga variantet më të vjetra autoktone, si Mavrudi, Debina e Bardhë dhe e Zezë.
Rendimentet nuk janë shumë të larta, por cilësia është shumë e lartë për shkak të një kombinimi të cilësisë së tokës që kërkon rrushi, diellit dhe freskisë së Vjosës.
Vreshtat dhe rakia në Leskovik janë edhe mjeti kryesor i mbijetesës bashkë me blegtorinë për të cilat ka mjaft kullota që prodhojnë djathëra shumë cilësore.
Rakia, vera dhe djathi i zonës nga tufat që kullosin mbi 1 mijë metra janë një kombinim i rrallë me cilësi të lartë që shërbehen nga njerëz të edukuar e me kulturë të spikatur.
Njerëzit avantazh, Leskoviku djepi i rilindësve
Shqipëria është e bukur nga Konispoli në Vermosh, me bregdet të pamat, lumenj të egër me ujëra të kristaltë, liqene përrallorë, kodra të pyllëzuara dhe alpe të thepisura si askund tjetër, por Leskoviku ka më shumë, ka njerëzit si pasurinë më të madhe.
Në një nga qytezat më të vogla të vendit kanë buruar rilindësit e mëdhenj.
Në Leskovik dhe rrethinat e tij kanë origjinën Themistokli Gërmenji, Faik Konica, Jani Vreto, Stefan Postenani, Muço Qulli, Teki Glina etj. Edhe sot pak e dinë se mësuesit e Leskovikut dhe Ersekës kanë nivelin më të lartë të njohurive në vend, ndryshe nga qytetet e tjera, madje duke u renditur edhe më lart se Tirana në testimet që bëri dy vite më parë Ministria e Arsimit.
Nga Gjirokastra në Korçë, rruga në atë rajon ku është edhe Leskoviku ka njerëz me kulturë tjetër. Gjithnjë ofrojnë qetësi te turistët dhe shërbejnë me shumë kulturë, teksa gatimet e zonës janë më të shijshmet në vend me një larmishmëri të recetave të traditës.
Gjithnjë në sarajet e sulltanëve, kuzhinierët ishin nga Leskoviku.
Në Muzeun e Luvrit në Paris është busti i Zylyftar Podës, i cili në fund të viteve 1700 dhe në fillim të viteve 1800 ishte njëri prej komandantëve të Ali Pashë Tepelenës, në kryengritjen greke për pavarësi, dhe më pas ndër prijësit e kryengritjeve kundër Tanzimatit në Vilajetin e Janinës.
Popullsia e Leskovikut në vitet 1800 ishte mbi 10 mijë banorë dhe lulëzoi për shkak se u zgjodh si një zonë pushimi nga punonjësit e lartë të Administratës otomane.
Familjet e kamura patën prirje drejt arsimit që më vonë përgjatë brezave mbolli farat e patriotizmit. Për shkak të ndikimit otoman, në veçanti Leskoviku, kishte shumë banorë myslimanë, të cilët bashkëjetuan në harmoni me të krishterët.
Qyteti i vjetër i Leskovikut, para se të shkatërrohej fillimisht nga turqit në shtypjen e kryengritjeve, kishte 11 lagje me nga 1000 banorë. Sipas enciklopedisë së Naim Frashërit, Qyteti ka qenë qendër sanxhaku në vitet 1800.
Më pas, nga vitet 1920-1944 ishte nënprefekturë me varësi nga Korça. Në fillim të shekullit të 19-të, në qytet kalonte një nga segmentet më të rëndësishme që lidhin Greqinë dhe Turqinë, ku pika “Tre Urat” ishte nyja kryesore lidhëse.
Në 10 vitet e para të diktaturës, Leskoviku ishte njësi administrative “Rreth”, por më vonë u shkri dhe kaloi si qytet në varësi të Kolonjës. Por reforma territoriale e vitit 2014 i dha goditjen finale qytetit, duke e shkrirë Bashkinë e Leskovikut në njësi administrative.
Vendasit pohojnë se reforma ndikoi në shpopullimin e qytetit që i mbijetoi tre herë shkatërrimit. Largësia me institucionet e bënë të pamundur jetën e banorëve, pasi për çdo shërbim duhet të udhëtonin më shumë se një orë për në Ersekë nëpër një rrugë tejet të amortizuar.
Kudo në Shqipëri ka bashki që kanë territor dhe popullsi më të vogël se Leskoviku po janë bashki më vete. Por me riparimin e rrugës në dy vitet e fundit dhe me ardhjen e turistëve, qyteti me histori, traditë dhe bukuri po përpiqet të mbijetojë pavarësisht se mesatarja e popullsisë është mbi 60 vjeç.
Qyteti sot nuk e ka ndoshta famën e dikurshme. Mbyllja e dhunshme e rrugëve me Greqinë pas vitit 1913 dhe persekutimet që iu bën më pas e lanë qytetin historik në izolim të plotë që çoi në shpopullim të madh. Reformat, të quajtura administrative, që nga koha e Zogut e këtej e kanë zvogëluar dhe dëmtuar jetën në këtë qytet që pritet të rigjallërohet nga turizmi.
Traditë dhe natyrë, Leskoviku ofron shumë për çdo turist
Qyteti ka ndryshuar pamje që kur nisën punën bujtinat dhe distileria. Pallatet e diktaturës në hyrje të qytetit janë rinovuar me hidroizolim, të pikturuara me murale vesh rrushi si simboli i qytetit. Rreth zonës së banuar ka shumë shpella, ujëra termale, pyje të bukura, vreshta të begata dhe vendbanime të vjetra dhe pllaja me liqene akullnajore.
Duke qenë larg zonave të banuara, bukuritë e Leskovikut njihen shumë pak ose aspak. P.sh. në fshatin Malishtë e Madhe në Leskovik gjenden rrënojat e një qyteti prehistorik mbi 1200 vjet para erës sonë.
Në fshat është gjetur një vendbanim i ndërtuar me gurë shumë të mëdhenj dhe planimetria e rreth 600 banesave mund të jetë rast unik në territorin shqiptar.
“Guva e Podës” është një tjetër vendbanim i shekujve 12-13 par erës sonë. Shpella ose “Guva e Podës” sipas arkeologëve vendas ka 5 salla të mëdha, që të gjitha pothuajse njësoj 20 metra të gjata, 10 metra të gjera dhe 4 metra të larta dhe lidhen me tunel me njëra-tjetrën. Guva është një histori e pashkruar, pasi ka një organizim si një pallat madhështor që pret të vizitohet.
“Guri i prerë” është një tjetër pasuri natyrore në fund të malit të Melesinit rreth 1 kilometër larg qytetit. Fshatrat e Leskovikut kanë kala shumë të bukura për adhuruesit e kulturës, që nga Kamniku, Poda, Verspa, Barmashi dhe Graditsha. Për adhuruesit e natyrës shumë afër janë pyjet dhe liqeni i Shelgurit, një pllajë në mbi 120 metër mbi nivelin e detit.
Pllaja me lëndina të gjelbëruara e rrethuar me bredh të zi ka liqenin dhe përgjatë rrugës së riparuar janë ngritur njësitë e agroturizmit “Shelguri” dhe “Farma Sotira”. Leskoviku ka afër pyjet më të bukura në vend që po tërheqin turistë nga e gjithë bota.
I vendosur në rrëzë të malit të Melesinit, qyteti gjendet mes luginave të Vjosës, Langaricës dhe luginës së Sarandoporit. Në të djathtë të luginës Vromoner ka burime termale kurative me temperaturë 25-28 gradë Celsius.
Vendasit thonë se Edith Durham qëndroi një javë në këto ligja kur vizitoi Shqipërinë. Ndërsa në veriperëndim të fshatit Postenan, nga çarjet e thella shkëmbore rrjedhin gazra të ngrohta sulfurore kurative, ndërsa lumi i Vjosës sjell rryma të ngrohta të ajrit detar.
Vendasit vërejnë se ajo krahinë ka pasuri të mëdha arkeologjike e historike. Janë të dëgjuar vende të tilla si Varri i Krajlit, kisha e Cerckës, e Kovaçishtit, vendbanimi i vjetër i Malishtës, bodrumi i Lashovës, lapidari i ushtarëve italianë të rënë në luftën italo-greke, Përroi i Grekut, Pylli i Shelegurit, liqeni akullnajor në majën e tij, madje edhe “tunelet” e Malit të Postenanit të hapur nga ushtria në kohën e komunizmit etj.
Një nga pasuritë e mëdha të krahinës janë pyjet, që shtrihen që nga Arrëza dhe vazhdojnë me Shelegurin, Vashën dhe më tej matanë Postenanit deri në Munushtir e gjetkë. Mbi të gjitha Leskovikut po i mbaron pasuria më e madhe, njerëzit, të cilët duhet të rikthehen për të vijuar jetën në këtë zonë plot me vlera natyrore, historike dhe traditë. Monitor/Blerina Hoxha