Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, ka mbetur i plagosur në Butler, Pensilvani, teksa po mbante fjalën e tij para qytetarëve në kuadër të fushatës së elektorale për zgjedhjet presidenciale.
Sipas pamjeve të raportuara nga mediat e huaja, ish-presidenti është plagosur, ku siç shihet, edhe është gjakosur.
Pas incidenti, shefi i komunikimit i Shërbimit Sekret të SHBA-së, Anthony Guglielmi ka bërë me dije se ish-presidenti Donald Trump është i sigurt.
“Një incident ndodhi mbrëmjen e 13 korrikut në një tubim të Trumpit në Pensilvani. Shërbimi Sekret ka zbatuar masat mbrojtëse dhe ish-presidenti është i sigurt. Ky është tani një hetim aktiv i Shërbimit Sekret dhe informacione të mëtejshme do të publikohen kur të jenë të disponueshme, “tha Guglielmi në një deklaratë.
Po ashtu, një reagim ka ardhur edhe nga zëdhënësi i Donald Trump, Steven Cheung, i cili tha se ish-presidenti është mirë.
“Presidenti Trump falënderon forcat e rendit dhe reaguesit e parë për veprimin e tyre të shpejtë gjatë këtij akti të urryer. Ai është mirë dhe po kontrollohet në një institucion mjekësor lokal. Më shumë detaje do të pasojnë”, tha Cheung në një deklaratë.