Në raportin tremujor të zhvillimeve ekonomike që Komisioni Europian ka publikuar, Shqipëria rezulton me ngadalësim të rritjes ekonomike.
“Rritja reale e PBB-së në Shqipëri vazhdoi të ngadalësohet nga 3.1% në tre muajt e fundit të vitit 2018, në 2.2% në tremujorin e parë të vitit 2019. Nga ana e kërkesës, konsumi privat ra përsëri, por mbetet komponenti më i fuqishëm në rritje në tremujorin e parë (+ 2.25%), ndërkohë që konsumi qeveritar u rrit lehtë deri në 0.5%, rënia e prodhimit të energjisë ndikoi në ngadalësimin e rritjes, që u kompensua disi nga zgjerimi i shërbimeve”.
Më tej raporti thekson se Formimi bruto i kapitalit fiks u rrit me ritme më të ngadalshme se sa në tremujorin e katërt të vitit 2018, me 1.8%, duke zvogëluar kontributin e tij të rritjes në 0.4 pikë përqindje.
“Në terma tremujorë, eksportet shënuan një rritje të lehtë të pjesëmarrjes së tyre në PBB në 28.5%, por mbetën 1.5 pikë përqindje nën nivelin në tremujorin përkatës të vitit 2018. Rritja e importit, veçanërisht e shërbimeve, ngadalësohet pak, nga 2.6% në 2.5%, duke ulur pjesën e importit në GDP me 1 pikë përqindje në 41.6% krahasuar me tremujorin e parë 2018. Ashtu si në në tremujorin e fundit të vitit 2018, eksportet neto i hoqën 0.9 pikë përqindje rritjes së GDP-së”, thekson ndër të tjera raporti.
Edhe DASH publikoi dje një raport ku Shqipëria shfaqej si vendi më i korruptuar në rajon dhe aspak e favorshme për të bërë biznes.