Një automjet ka shpërthyer në lëvizje në qytetin e Gramshit, në lagjen “Xhile Liçi” pasditen e sotme, ku kanë mbetur të plagosur dy vëllezër.
Sipas informacioneve të para, dy të lënduarit, Algert dhe Erald Mine janë transportuar drejt spitalit të Traumës, ndërsa thuhet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ende nuk dihen saktësisht arsyet e shpërthimit, ndërsa dyshohet se mjetit i ishte vendosur lëndë plasëse, tritol.
Burime nga policia bëjnë me dije se dy vëllezërit nuk rezultojnë persona me precedentë penal.
Ndërkohë blutë dhe zjarrfikësja ndodhen në vendin e ngjarjes.
Njoftimi i policisë:
Gramsh/Informacion paraprak
Rreth orës 17:20, në lagjen “Xhile Liçi”, Gramsh, automjeti tip “Ford Focus”, që drejtohej nga shtetasi A. M., gjatë kohës që automjeti ka qenë në lëvizje, në rrethana ende të pa qarta ka shpërthyer.
Si pasojë është dëmtuar shtetasi A. M. dhe pasagjeri shtetasi E. M. (vëllezër), të cilët janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po kryen veprimet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të shpërthimit të automjetit.
Pas ekzaminimeve të mekanizmit të rrethanave që kanë ndikuar në shpërthim do të ketë një njoftim të plotë.