Nga Bujar Leskaj
I. Autoriteti i Konkurrences ka dështuar të kufizojë marrëveshjet e ndaluara në ofertat për tenderat publikë, duke mos parandaluar dhjetra miliona euro dëm
AK ka marrë denoncime të shumta, për rastet kur kompanitë private pjesëmarrëse në tendera shtetërorë, bashkëpunojnë me vetëdije përpara tenderit në ofertat që japin, duke kufizuar, deformuar ose shtrembëruar konkurrencën në treg. Ka bërë deri tani të dy sytë qorr dhe veshët shurdh!
AK nuk mund të fshihet pas mungesave të sotme të përkufizimeve në ligjin e konkurrencës, të marrëveshjeve paraprake në oferta. Rastet janë të shumta dhe po bëhen dominuese në tenderat shtetërorë me vlera të mëdha, ku kompanitë private, gjatë procedurave të prokurimit publik, nuk konkurrojnë midis tyre, por bien dakord fshehurazi për të caktuar çmimet ose për të ulur cilësinë e mallrave, punëve ose shërbimeve për entet shtetërore, pasi situata kartel në këto raste është e qartë.
AK i njeh mirë format e marrëveshjes në oferta në tenderat shtetërorë, të cilat mund të jenë: ofertat e mbuluara, kur konkurrentët pranojnë të paraqesin ofertë më të lartë, sesa oferta e fituesit të përcaktuar, kur njëri nga konkurrentët pranon të ofertojë me një shumë, e cila është shumë e madhe për t’u pranuar si ofertë, si edhe kur njëri nga konkurrentët paraqet një ofertë, e cila përmban terma specifike të cilat janë të papranueshme nga Autoriteti Kontraktor.
AK i njeh mirë dhe rastet e ofertave të përmbajtura, kur konkurrentët bien dakord që të mos ofertojnë, apo të tërhiqen nga një ofertë e paraqitur, në mënyrë që oferta e paracaktuar fituese në marrëveshje, të pranohet si e tillë.
AK njeh edhe ofertat në rotacion, kur konkurrentët merren vesh të ofertojnë, duke rënë dakord paraprakisht që fituesi të jetë njëri prej tyre, sipas një radhe të caktuar.
AK njeh edhe ndarjen e tregut në tenderat publikë, fenomen i cili ndodh kur konkurrentët ndajnë një pjesë të tregut dhe bien dakord që të mos konkurrojnë për një pjesë të caktuar konsumatorësh, ose një pjesë të caktuar gjeografike të vendit.
Edhe pse i njeh mirë parregullsitë e mësipërme të vërtetuara në pjesën dërrmuese të tenderave shteterorë me fond limit mbi 100 milionë lekë, AK ka zgjedhur të lërë të qetë me dhjetra e qindra tendera të tillë, duke kontribuar në dëmin ekonomik në Buxhetin e Shtetit, në nivel me dhjetra miliona euro në oferta të rritura artifiacialisht dhe shmangjen e konkurrencës, me frikën se hetimet e tij në marrëveshjet paraprake në oferta, do të shqetësojnë shumë drejtues publikë të lartë, deri kupolën e sektit Rama.
II. Autoriteti i Konkurrences ka dështuar të rregullojë tregun duopol të telefonisë celulare
AK ka dështuar në rregullimin e situatës duopol në tregun e shërbimeve telefonike dhe celulare përgjatë vitit 2023 dhe këtij viti, megjithë denoncimet, shqetësimet dhe ankesat e parreshtura të qytetarëve, një pjesë të përcjella nga mediat e vendit.
Situata duopol verifikohet kur në një treg të caktuar operojnë vetëm 2 operatorë, të cilët e shtrembërojnë tregun, si në rastin e Shqipërisë me dy kompanitë celulare.
Në tregun duopol, kompanitë i vendosin çmimet e tyre në marrëveshje me njëra tjetrën, duke shmangur konkurrencën e lirë dhe rënduar konsumatorin final, që janë mbi një milionë e tetëqind mijë qytetarë që banojnë në Shqipëri.
Ankesat e qytetarëve dëshmojnë se si në një treg të tillë, dy operatorët ofrojnë shërbime nën kosto, fillimisht duke e bërë tepër të vështirë hyrjen në treg të operatorëve të tjerë.
Më pas, për të rikuperuar humbjet e shitjeve nën kosto, këto kompani rrisin artificialisht çmimet e paketave të tyre në shifra të larta, njëherë që kanë siguruar klientelën. Qytetarët konsumatorë, duke mos patur alternativa të tjera, detyrohen të paguajnë çmimet e vendosura me marrëveshje nga duopoli.
Asnjë marrëveshje të tillë AK nuk ka qenë e aftë të zbulojë dhe hetojë, edhe pse denoncimet e qytetarëve ishin të qarta.
Rritja artificiale e çmimeve sjell në këtë treg edhe mungesën e inovacionit dhe ofrimit të shërbimeve të reja e më të mira për abonentët, pasi duke mos patur konkurrencë, firmat në duopol nuk kanë asnjë interes të zhvillojnë më tej shërbimin.
Duopoli është rast thuajse unik për tregjet celulare, jo vetëm në Europën e Bashkuar, por edhe në rajonin tonë. Nëse analizojmë vendet e Ballkanit, shohim se Rumania dhe Sllovenia kanë 4 operatorë të telefonisë së lëvizshme. Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi , Serbia dhe së fundmi edhe Maqedonia e Veriut kanë secila nga 3 operatorë. Vetëm Shqipëria ka 2 operatorë!
III. Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar të parandalojë dhe të luftojë situatat kartel në shumë tregje kryesore
Pavarësisht se Autoriteti i Konkurrences e ka të vështirë të realizojë misionin e tij tek ne, ku funksionimi i shtetit ligjor është i dobët, shkalla e korrupsionit është e lartë dhe kapja e shtetit paraqitet në përmasa tejet shqetësuese, gjatë vitit 2023, institucioni duhej të kishte provuar më fort dhe me efektivitet të luftonte rastet e shumta të situatave kartel në sektorë të ndryshëm të ekonomisë sonë, bazuar edhe në denoncimet e shpeshta të qytetareve për abuzimet me çmimet, të përcjella nga mediat tradicionale dhe mediat sociale të vendit
Këto situata, të tipit monopol dhe oligopol, janë lëtë të zhvillohen nga AK si metastaza kanceri, duke kapur të gjithë ekonominë tonë.
AK dështoi në këtë mision dhe për rrjedhojë, për fat të keq, marrëveshjet horizontale apo vertikale, krijimi i pozitave dominuese në tregje të caktuara, monopolet apo oligopolet, vijuan me të njëjtin ritëm edhe gjatë vitit 2023, në mos edhe me një ritëm më të shtuar.
Këto marrëveshje, kanë arritur që të dëmtojnë mirëfunksionimin e tregjeve, zhvillimin e biznesit të papërkrahur nga qeveria dhe rëndë konsumatorët shqiptare, përmes çmimeve fundore abuzuese në treg, për shkak të situatës kartel.
Hetimet e thelluara të AK në disa tregje prodhimi dhe tregtimi duhej të kishin dalë me sanksione konkrete ndaj shkelësve të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të parimeve dhe rregullave të konkurrencës së lirë. Mungesa e gjobave shembullore në këto hetime të thelluara është shenjë e dobësisë së punës së AK.
AK nuk ka arritur të luftojë me efektivitet praninë dhe veprimin e karteleve në shumë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Ai nuk ka arritur të shmangë situatat ku një grusht kompanish, të quajtura rëndom nga populli oligarkë, fitojnë, të suportuar nga qeveria, shumicën dërrmuese të tenderave të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit.
Përmend sërisht situatën kartel të provuar plotësisht në qarkun e Vlorës, ku kompani të konsoliduara dhe serioze të ndërtimit në këtë qark, në 5-7 vitet e fundit nuk arrijnë të fitojnë asnjë tender nga ARSH apo FSHZH, edhe pse konkurrojnë rregullisht.
Në tërësi, Autoriteti i Konkurrences nuk ia doli të vërtetojë se përfitimet e nje grushti kompanish te perkrahura nga qeveria, nuk erdhën nga cilësia apo çmimet konkurruese të mallrave dhe shërbimeve të tyre, por nga deformimet e konkurrencës, duke dëshmuar dobësinë e tij në kontrollin efektiv të tregjeve dhe në garantimin e konkurrencës së lirë.
xxx
Këto përbëjnë arësyet themelore, pse sot kemi një imazh publik shumë të dobësuar të institucionit të AK dhe mungesë të theksuar besimi në aftësitë e tij për të garantuar mbrojtjen efektive te interesave të konsumatorëve. Gati të gjitha shtresat e konsumatorëve shqiptarë dhe pjesa dërrmuese e kompanive të biznesit, që nuk “kanë fatin” të përkrahen nga qeveria, ndihen të pambrojtur nga deformimet e mëdha të konkurrencës në Shqipëri.
Deri tani, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mundur të sigurojë një partneritet real me komunitetin e biznesit, të konsumatorit dhe të organizatave të shoqërisë civile, për të zbuluar praktikat antikonkurruese në tregjet e hetuara dhe në ato ende të pahetuara.
Duke mos e arritur këtë partneritet, AK nuk ka mundur të veprojë realisht si një institucion i pavaruar, në interes të publikut dhe taksapaguesve. Opinioni publik, nëpërmjet raportimeve të shoqërisë civile dhe analizave në media, ka dyshime lidhur me pavarësinë e plotë të punës së Autoritetit të Konkurrencës.
Ende institucioni nuk e ka bërë të ditur, por ekziston në opinionin publik të qytetarëve përshtypja se ky institution pëson në vijimësi ndërhyrje dhe influenca të papërshtatshme nga struktura shtetërore dhe politike. Do të ishte në të mirën e pavarësisë së AK, që nësa ka patur ndërhyrje të tilla, ai t’i bëjë publike, për të dekurajuar çdo strukturë të Shtetit apo partiake, që të vijojë këtë presion të papërshtatshëm.
AK duhet ende të prononcohet nëse është dakord ose jo, me propozimin që kam bërë që në maj të vitit 2022 në Kuvend, për të amenduar ligjin Nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe konkretisht Nenin 30 “Ruajtja e konfidencialitetit dhe e sekreteve tregtare”, duke lejuar akses, të ngjashëm me atë të organeve gjyqësore, në të dhënat konfidenciale dhe të sekretit tregtar, në rastet e hetimit të thelluar të ndërmarrë nga një anëtar, një grup anëtarësh të Kuvendit, apo nga komisione të tij.
Autoriteti i Konkurrencës, për rastet e mosmbajtjes parasysh të rekomandimit të tij nga qeveria, duhet të informojë menjëherë Parlamentin, duke treguar se është një institucion që përgjigjet përpara Parlamentit, dhe jo një shtojcë e qeverisë.
Gjykoj se AK duhet mbështetur më mirë dhe më fort, duke filluar nga ne deputetët, Parlamenti, qeveria dhe entet rregullatore e mbikëqyrëse të tregjeve specifike, siç është telekomunikacioni, karburantet, energjia, uji, tregu financiar e bankar, etj.
Kontrolli parlamentar duhet rritur dhe për çështje kritike të mbrojtjes së qytetarit ndaj deformimeve të konkurrencës në tregje specifike, duke organizuar sa më dëndur nga komisionet parlamentare përkatëse, sidomos nga ai i Ekonomisë dhe Financës, seanca të hapura për publikun.
Pavaresisht se gjatë vitit 2023, AK, në kuadër të promovimit të advokacisë dhe kulturës së konkurrencës, ka organizuar tryeza të të rrumbullakëta, workshope dhe konferenca, me grupet e interesit, botën akademike dhe bizneset, ato nuk kane qene efektive.
Kredibiliteti i këtij institucioni do të rritet edhe nga rastet konkrete të suksesit në ballafaqime jo të lehta me kompani, të cilat shkelin konkurrencën e lirë, duke dëmtuar zhvillimin e biznesit dhe duke dëmtuar konsumatorët publikë e privatë. AK duhet të vihet në kërkim të vendosur për histori suksesi të kontrolleve dhe hetimeve të tij, të cilat duhet të përcillet me vërtetësi në mediat tradicionale dhe sociale të vendit.