Raportet në mes të kryeministrit Ramush Haradinaj dhe presidentit Hashim Thaçi, janë pezmatuar shkaku i qëndrimeve të ndryshme për taksën ndaj Serbisë e korrigjimin e kufijve.
Se i ka ftohur raportet personale me Thaçin, ka treguar vetë Haradinaj në një intervistë për T7, duke thënë se shpesh herë kanë pasur biseda të rënda ndërmjet vete.
“Të them të drejtën raportet janë të njëjta. Nuk kem shumë komunikim. Ka pasur situata të ndjeshme prej taksës”, ka thënë Haradinaj.
Përveç Thaçit, Haradinaj ka treguar se nuk ka pasur përvojë të mirë as me kryetarin e PDK’së, Kadri Veselin.
Kreu i Qeverisë ka thënë se ata e kanë goditur për taksën para syve të ndërkombëtarëve, duke e kritikuar për qëndrimin ndaj taksës. “Kem i pas takime të rënda, ku s’kam kalu mirë as me Thaçin as me Veselin., Ata para miqve ndërkombëtare kanë pasur qëndrime të ndryshëm për taksën, kam marrë goditje të tipit që ‘nuk është në rregull kjo sjellje e jotja’”, qartëson Haradinaj.
Kreu i Qeverisë thotë se me Thaçin i ka ftohur edhe raportet personale. “Ka ndodhur një ftohje e raporteve personale”, ka shtuar tutje ai.
I pyetur rreth qëndrimit të Thaçit se taksa duhet të mos hiqet, Haradinaj thotë se çdo qëndrim e ka vlerën e vetë, por kujton se me amerikanët ka pasur shumë ballafaqime të rënda, për shkak të kritikave vendore për ta hequr taksën. “Më vjen mirë , çdo deklarim e ka peshën e vetë. Por gjatë vizitave të zyrtarëve amerikanë, më kujtohet David Hayle, kam pas përvoja shumë të rënda. Ballafaqimi ka qenë i zorshëm, kam marrë shumë kritika prej kolegëve të vendit se pse nuk e heqim taksën”, ka shtuar Haradinaj./Express/