Maxhoranca dhe opozita kanë arritur një dakordësi për listat e kandidatëve për deputet për zgjedhjet e 2025.
PS dhe PD kanë dakordësuar që në zgjedhje të shkohet me dy palë lista. Disa kandidatë do të jenë në listën e deputetëve të sigurte, pra lista e fiksuar, pra rreth 30 % e listes! Ndërkohë që disa të tjerë do të jenë në listën e kandidatëve që do t’i nënshtrohet procesit të parapëlqimit, që do të thotë që vendimtare do të jetë vota e qytetarëve për emrat preferencial.
Me këtë hap palët kanë rënë dakord për hapje të pjesshme të listave, por duke i krijuar kushtet që personat besnik të partisë, por që nuk gëzojnë mbështetje të gjerë, të kenë vende të sigurta.
Për ta thjeshtuar nëse në Qarkun e Tiranës janë 36 mandate deputetësh, 12 emrat e parë të listës së kandidatëve të një subjekti zgjedhor, janë emra të fiksuar, mjafton që forca politike të arrijë numrin e votave për të çuar në Kuvend 12 deputetë. Pas këtij numri rendor, do të ketë një garë të hapur mes emrave që renditen, duke hyrë në funksion ai që konsiderohet si votim “parapëlqyes”, që do të përcaktojë më pas se cilët emra do të marrin mandatin, referuar numrit të votave personale.
Ky sistem që pritet të aplikohet për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 2025, as më shumë e as më pak, forcon rolin e kryetarëve të partive, që siç duket do të blindojnë me të besuarit e tyre, vendet e sigurta për deputet, sipas qarqeve, ndërsa pjesa tjetër e listës, është një “përplasje” brenda llojit, ku krahas votave të partisë, emrat që renditen në 2/3 e listës, duhet të sigurojnë edhe votat e tyre personale.
“1. Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve:
- a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe
- b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.
- Emrat në listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore pjestuar për tre.Në rast se nga ky pjestim nuk rezulton numër i plotë mandatesh atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjestimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5 lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa kur si pasojë e pjestimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5 lista shumëemërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës”, thuhet në propozim.
Neni 4
Neni 67 rifomulohet si vijon:
“Neni 67
Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive politike
- Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve:
- a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe
- b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.
- Emrat në listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore pjestuar për tre. Në rast se nga ky pjestim nuk rezulton numër i plotë mandatesh atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjestimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5 lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa kur si pasojë e pjestimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5 lista shumëemërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës.
- Lista shumëemërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit është e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre.
- Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.
- Kandidati për deputet, i rregjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.
- Për çdo zonë zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin një çdo tre emra të kandidatëve të listës së fiksuar i përket gjinisë më pak të përfaqësuar dhe një në çdo tre emra të listës shumëemërore që i nënshtrohet votimit parapëlqyes duhet t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar.
- Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ brenda 48 orëve. Kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë depozitohet në KQZ në rastet kur territori i njësisë së qeverisjes vendore nuk mbulohet nga një KZAZ e vetme.
- Kandidati për kryetar bashkie apo për këshillin e bashkisë nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.
- Në zgjedhjet për këshillat bashkiakë një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje të kandidatëve të subjekteve zgjedhore duhet t’i përkasë së njëjtës gjini.
- Në rast mospërmbushjeje të njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen, në lidhje me përbërjen e listës shumemërore KQZ-ja zbaton sanksionet e parashikuara në nenin 175 të këtij Kodi.”
Neni 5
Në nenin 124 në fund të pikës 1 shtohen këto fjali: “Kundër vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për miratimin e përmbajtjes së fletës së votimit sipas nenit 98 të këtij Kodi mund të bëhet ankim në KAS brenda 24 orëve nga shpallja e vendimit. KAS shqyrton dhe vendos për ankimin e paraqitur brenda 48 oreve nga depozitimi i tij.“
Neni 6
Në nenin 152 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje: “Kundër vendimit të KAS për përmbajtjen e fletës së votimit sipas nenit 124 të këtij Kodi mund të bëhet ankim në Kolegjin Zgjedhor brenda 48 orëve nga shpallja e vendimit. Kolegji Zgjedhor shqyrton dhe vendos për kërkesëpadinë e paraqitur brenda 3 ditëve nga depozitimi i saj.“
Neni 7
Neni 162, pika 1, fjalia e dytë riformulohet si vijon:
“Për zgjedhjet për Kuvendin përjashtohen nga shpërndarja e mandateve partitë politike ose koalicionet që kanë marrë më pak se 1 përqind të votave të vlefshme në shkallë vendi.”
Neni 8
Neni 163 rifomulohet si vijon:
“Neni 163
Shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës
- Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt zgjedhor.
- Kandidatët e listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes rirenditen në bazë të numrit më të lartë të votave parapëlqyese për secilin kandidat. Kur numri i votave është i barabartë, renditja përcaktohet me short. Rirenditja sipas kësaj pike përdoret në zbatimin e nenit 164 të këtij Kodi.
- Mandatet për kandidatët fitues fillimisht shpërndahen sipas renditjes së listës shumëemërore të fiksuar të subjektit zgjedhor dhe në përputhje me renditjen e kandidatëve në të, dhe në rast shterimi të saj vijohet me kandidatët fitues të rirenditur të listës shumëemërore që i nënshtrohen votimit parapëlqyes sipas pikës 2 të këtij neni.
- Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi miratohet për çdo zonë zgjedhore më vete. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS.”
Neni 9
Neni 183 shfuqizohet.
Neni 10
Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.