Qeveria shqiptare nuk do të lëshojë më letra me vlerë për të mbuluar humbjet e Bankës së Shqipërisë nga kursi i këmbimit

0
151

Qeveria shqiptare nuk do të lëshojë më letra borxhi për të mbuluar humbjet e Bankës së Shqipërisë nga kursi i këmbimit.

Në pasqyrat e saj financiare të vitit 2023, Banka e Shqipërisë bën të ditur se ky institucion dhe Qeveria Shqiptare, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në konsultime me FMN-në, rishikuan marrëveshjen “Mbi transferimin e fitimit neto të Bankës së Shqipërisë pranë Ministrisë së Financave dhe mbulimin e humbjeve të Bankës së Shqipërisë”.

Siç parashikohet në nenin 7 të ligjit “Për Bankën e Shqipërisë”, sa herë që në bilancin e Bankës së Shqipërisë vlera e mjeteve të saj bie nën shumën e detyrimeve dhe fondit të themelimit, Ministri i Financave transferon në Bankën e Shqipërisë letra me vlerë të qeverisë të negociueshme, me interes me normat e tregut, në masën e nevojshme për të korrigjuar mungesën.

Por, marrëveshja dypalëshe ndërmjet Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e datës 16.1.2015, e ndryshuar më 29.12.2023, përcakton se termi “detyrime”, referuar nenit 7 të ligjit, nuk përfshin detyrimet ndaj qeverisë shqiptare ose FMN-së, pasi roli i tyre është të garantojnë ose mbështesin stabilitetin financiar.

Për rrjedhojë, këto detyrime nuk pritet të shlyhen në rrethana likuiditeti ose mungese kapitali.

Ndërkohë që Banka e Shqipërisë ka njohur humbje nga rivlerësimi i monedhave të huaja, ajo beson se mbetet e mirëkapitalizuar, edhe pse forcimi i monedhës Lek përkundrejt monedhave ku është investuar rezerva valutore, ka gërryer kapitalin e saj.

Banka Qendrore shprehet se fitimet ose nga rivlerësimi janë të luhatshme dhe i nënshtrohen faktorëve ekonomikë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të Bankës së Shqipërisë dhe mund të kthehen me ndryshimin e kushteve ekonomike botërore.

Humbja e akumuluar nga rivlerësimi ka ardhur si rezultat i mbiçmimit të lekut ndaj euros që nga viti 2019.

Banka e Shqipërisë nuk parashikon të zvogëlojë rezervën e saj valutore dhe si rrjedhojë nuk pret që t’i materializojë këto humbje nga kursi i këmbimit.

BSH arsyeton se, në rastet kur ajo do të detyrohet të shesë valutë në treg, do ta bëjë këtë në kushtet kur do të kemi një dobësim të shpejtë të monedhës Lek. Kjo lëvizje do të ndikojë indirekt në uljen e tepricës së llogarisë së rivlerësimit si dhe në rritjen e kursit të këmbimit me të cilën do të shitet rezerva.

Në këto rrethana, Banka e Shqipërisë gjykon se nuk ka nevojë për kapital shtesë për të plotësuar nevojat e saj operacionale, për sa kohë që mjetet e saj ndjeshëm tejkalojnë detyrimet e afërta për t’u shlyer.

Në veçanti, detyrimet ndaj Qeverisë Shqiptare si dhe FMN-së, nuk pritet të shlyhen plotësisht në një të ardhme të parashikueshme.

Vetëm në periudhën 2022-2023, Banka e Shqpërisë ka raportuar në bilanc më shumë se 40 miliard lekë humbje, si rezultat i zhvlerësimit të rezervës së saj valutore, për shkak të forcimit të lekut në kursin e këmbimit./Monitor