Nënpresidentja Kamala Harris tha të martën në një stadium të mbushur plot dhe të zhurmshëm në Xhorxhia, se muajt e ardhshëm do të ishin një betejë serioze dhe pranoi se demokratët ishin në këto momente të dobëtit, por e siguroi turmën se do të fitonin në nëntor.
“Kemi një betejë përpara nesh”, tha kandidatja e mundshme për presidente. “Ritmi në këtë garë po ndryshon. Dhe ka shenja se Donald Trump-i po e ndjen këtë”.
Pak më shumë se një javë më parë, Xhorxhia dukej se po dilte nga kontrolli i demokratëve: ekipi elektoral i Presidentit Joe Biden u zotua të përqendrohej më shumë në mbajtjen e shteteve që votojnë tradicionalisht demokratët dhe dha tregues se mund të ishin të gatshëm të mos përqëndroheshin më shumë në shtete të tjera.
Por tani që Presidenti Biden është larguar nga gara dhe Nënpresidentja Harris është kandidatja e mundshme, demokratët po shprehin shpresa të reja për një hartë të zgjeruar zgjedhore dhe e mirëpritën nënpresidenten në shtetin që i dha Presidentit Biden diferencën e tij më të ngushtë të fitores në vitin 2020.
Zonja Harris tha se kur të zgjidhej, ajo do të punonte për të nënshkruar legjislacion të rëndësishëm për emigracionin dhe për t’i treguar ish-Presidentit Donald Trump se si duket “një udhëheqës i vërtetë”.
Stadiumi i basketbollit me kapacitet rreth 8,000 vende në Universitetin Shtetëror të Xhorxhias ishte mbushur me mijëra votues që tundnin banderola dhe kërcenin në një atmosferë që nuk do të ishte e mundur vetëm 10 ditë më parë, me partinë të përfshirë nga dyshimet nëse Presidenti 81-vjeçar Biden do të vazhdonte të kandidonte pas një paraqitjeje të zymtë që shtoi shqetësimet për moshën dhe aftësitë e tij./VOA