BallinaEkonomiZbardhet i plotë vendimi i Kushtetueses: Hyrja në fuqi e normës tatimore...

Zbardhet i plotë vendimi i Kushtetueses: Hyrja në fuqi e normës tatimore vetëm për profesionet e lira cenon parimin e proporcionalitetit

spot_img
spot_img

Në Gjykatën Kushtetuese është publikuar i plotë vendimi për profesionet e lira, të marrë në seancën përfundimtare të 27 Qershorit.

Në vendim Gjykata argumenton se hyrja në fuqi e detyrimit tatimor 15 dhe 23% për profesionet e lira, teksa për bizneset e tjera norma e re tatimore nis zbatimin nga 2030 cenon parimin e proporcionalitetit. Për më tepër, nomenklatura e veprimtarive ekonomike konkrete që u nënshtroheshin efekteve të ligjit u miratua vetëm 10 ditë përpara se skema e re tatimore të fillonte zbatimin.

“Gjykata çmon se përmbajtja e nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë, të Ligjit të Tatimeve, që përcakton një kalendar të ndryshëm për hyrjen në fuqi të detyrimit të ri tatimor për të vetëpunësuarit që furnizojnë shërbime profesionale në krahasim me të vetëpunësuarit që kryejnë veprimtari të mirëfilltë tregtare (duke rezervuar për këta të dytët një zgjidhje të butë me hyrjen në fuqi të normës së re tatimore në vitin fiskal 2030), e gërshetuar me masën e normës së re tatimore prej 15%, mungesën e një periudhe të përshtatshme njoftimi për subjektet mbi të cilat rëndon norma e re tatimore (ajo hyri në fuqi rreth 7 muaj nga miratimi i ligjit, ndërsa përcaktimi i llojit të aktiviteteve konkrete, të cilat do t’i nënshtroheshin normës të re tatimore duke filluar nga viti fiskal 2024, u miratua me vendim të Këshillit të Ministrave vetëm 10 ditë përpara se të fillonte zbatimi i efekteve të ligjit), pa ndonjë lloj forme përshkallëzimi dhe pa u dhënë mundësinë e duhur subjekteve të përshtateshin me masën e re të normës tatimore cenon parimin e proporcionalitetit në drejtim të domosdoshmërisë/ashpërsisë së mjetit të përzgjedhur nga ligjvënësi.

Në këtë pikë Gjykata vë në dukje se zbatimi i ligjeve tatimore duhet të shoqërohet me masa të përshtatshme kalimtare, ndaj dhënia kohë tatimpaguesve u jep atyre mundësinë jo vetëm të njihen me formulat e llogaritjes së zbatimit të tatimit ndaj tyre, por edhe të marrin masa që vetë subjektet tatimpaguese i vlerësojnë të nevojshme për të përballuar pasojat e skemës së zbatueshme.

“Thënë kjo, edhe parimi i sigurisë juridike në vështrim të pritshmërive të ligjshme për shkak të kohës së kufizuar rezulton i cenuar. Në këtë situatë, Gjykata, duke mos vënë në dyshim hapësirën e gjerë dhe diskrecionin e ligjvënësit për të përcaktuar masën e normës tatimore per se (rasti konkret shifra 15%) dhe as faktin se përjashtimi nga detyrimet tatimore nuk përbën të drejtë të subjektit tatimpagues, vlerëson se nga analiza e ndërthurur e rrethanave në të cilat norma e re tatimore është miratuar dhe zbatuar, ajo nuk është proporcionale në drejtim të domosdoshmërisë, ndaj pretendimi i kërkuesve është i bazuar. Ndodhur në këto kushte,

Gjykata çmon të mos ndalet në analizën e mëtejshme të nënkriterit të përshtatshmërisë (shih paragrafin 42 të vendimit)”, citohet në vendim.
Për sa më lart, Gjykata vlerëson se neni 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë, i Ligjit të Tatimeve, me përmbajtjen: “Norma e tatimit 0% nuk aplikohet për tatimpaguesit e përcaktuar në nënndarjet “ii” dhe

“iii” të kësaj shkronje, të cilët furnizojnë shërbime profesionale.

“Lista analitike e shërbimeve profesionale përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave në përputhje me legjislacionin në fuqi rregullues lidhur me këto shërbime profesionale”, cenon lirinë e veprimtarisë ekonomike të lidhur me parimin e sigurisë juridike, ndaj si i tillë ai shfuqizohet. Rrjedhimisht shfuqizohet edhe pika 4 e VKM-së nr. 753/2023, e cila ka marrë delegimin nga norma e shfuqizuar e ligjit, pra nga neni 69, pika 1, shkronja “dh”.

Në vlerësimin e Gjykatës, nëse një normë ligjore shfuqizohet, edhe akti nënligjor që ka dalë në bazë dhe për zbatim të tij duhet të shfuqizohet.

Në vështrim të sa më sipër, Gjykata çmon se është i panevojshëm shqyrtimi më vete i pretendimeve të tjera të kërkuesve që lidhen me cenimin e parimeve të barazisë përpara ligjit dhe mosdiskriminimit, si dhe të rezervës ligjore në fushën e tatimeve dhe hierarkisë së normave, si argumente mbështetëse të kërkimit për kontrollin e kushtetutshmërisë së dispozitave objekt gjykimi (shih paragrafin 29 të vendimit).

Në përfundim, Gjykata vlerëson se pretendimet e kërkuesve janë pjesërisht të bazuara, sipas arsyetimit të mësipërm të këtij vendimi, ndaj kërkesa pranohet pjesërisht.

PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronjat “a” dhe “c”, 134, pikat 1, shkronjat “c” dhe “h” dhe 2, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me shumicë votash,

V E N D O S I:
Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
Shfuqizimin e nenit 69, pika 1, shkronja “dh”, fjalia e dytë dhe e tretë, të ligjit nr. 29/2023, datë 30.03.2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Shfuqizimin e nenit 4 të vendimit nr. 753, datë 20.12.2023 të Këshillit të Ministrave “Për dispozitat zbatuese të ligjit nr. 29/2023 “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”, si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Rrëzimin e kërkimeve të tjera.
Ky vendim është përfundimtar dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular