Demokratë, na falni që nuk ja dolëm. Duhet të bëjmë analizë të detajuar për humbjen

0
282

Nga Skerdjan Dhuli
Demokratë, na falni që nuk ja dolëm. Kur kam vendosur ta mbaj gjendjen civile dhe angazhimin politik në vendlindje, nuk e kam bërë pa qëllim. Arsyeja e vetme është se nuk kam dashur të largohem prej demokratëve të këtyre trevave të cilët vazhdimisht janë shtypur nga qeveria e Edi Ramës.

Zgjedhjet e 4 gushtit në Bashkinë e Himarës ishin skenar i parapregatitur i Edi Ramës por ne si PD kishim vetëm 2 alternativa: Ose betejë me të, ose dorëzim pa kushte.

Unë në çdo rast do zgjidhja betejën. Më mirë humbje me betejë sesa humbje duke e parë nga divani si të dorëzuar pa kushte.

E di që e gjithë Shqipëria (referohem demokratëve) dje i ka pas sytë tek ne, duke pritur që ne të mundnim Edi Ramën në Himarë e rrjedhimisht ti jepnim shpresë Shqipërisë e ku ne padiskutim nuk ja dolëm.

Secili ndër ne ka përgjegjësitë e veta sado proporcionalisht të jenë ato, dhe unë për të mijat e kam dorështrirjen e faljes për të gjithë demokratët që sot shohin se kemi humbur.

Ky proçes maskaradë me manipulime të gjithanshme tregoi se ne fatkeqësisht nuk bëjmë dot zgjedhje dhe kjo shkon përtej një bashkie të vogël që dje nuk e bëri dot hapin e madh e që padiskutim ne duhet ta themi me zë të lartë, por më shumë se kaq tek kjo e djeshmja duhet të shohim seriozisht nga vetja për mënyrën sesi ne do përballemi me Edi Ramën në 2025.

Të përballesh me gjithë falangat e krimit, korrupsionit, oligarkinë ekonomike e mediatike dhe pushtetin si instrument mbi kokë, nuk është e lehtë dhe kjo që ndodhi në zgjedhjet për Bashkinë e Himarës është faqja e zezë e proçeseve tona zgjedhore.

E padiskutim që ne për të djeshmen duhet të bëjmë analizë të detajuar për çka na takoi neve si peshë e humbjes sa lokalisht në PD e Himarës aq edhe në qendër duke menduar seriozisht çfarë rregullohet për zgjedhjet e ardhshme.