Nga Pëllumb Nako
Në këto kohë të fundit janë dy ngjarjet, të cilat kanë ngjallur interes të gjerë publik dhe diskutime të shumta në medie e rrjete socialë. Këto ngjarje kanë të përbashkët qëndrimin e diskutueshëm në disa momente nga organet kompetente gjatë procesit hetimor. Ky lloj reagimi po gjen gjithmonë e më shumë përhapje në lidhje me këtë çështje. Më konkretisht, bëhet fjalë për vrasjen e një qytetari në Pogradec dhe plagosjen e një tjetri në Tiranë, të lënduar nga një oficer i policisë. Në një moment të parë, këto dy ngjarje duken sikur nuk kanë asnjë gjë të përbashkët. Megjithatë, ato përputhen në një pikë. Në tërësi mund të thuhet se krahas hetimit penal nga organet kompetente, jemi ndodhur edhe përballë një “hetimi të hapur” paralel me të, të bërë të pranishëm në publik nëpërmjet medias. Dhe ajo që tërheq vëmendjen, madje prej shumë kohësh, është fakti se në ngjarje që ngjallin reagim të gjerë, ka pak prononcime zyrtare nga institucionet që hetojnë. Policia nga ana e saj është e pranishme vetëm në momentet e para e për rrjedhim nuk ka pamjet të plotë të asaj që ndodh.
Ndërkohë, nga ana tjetër gjithçka gjen pasqyrim të detajuar nga media nëpërmjet “burimeve të brendshme” anonime. Fenomeni është më i pranishëm në prokuroritë e ndryshme të qarqeve. Në thelb, ende nuk është gjetur një ekuilibër i besueshëm ndërmjet detyrimit profesional të ruajtjes së sekretit dhe kërkesës gjithmonë e në rritje për transparencë nga organet hetimore të drejtësisë. Duket se reforma në drejtësi ende nuk është përqendruar në rregullimin pikërisht të ekuilibrit të mësipërm. Duket se ajo ka synuar më shumë ndëshkimin dhe ruajtjen e sekretit hetimor sesa respektimin e mbrojtjes së privatësisë. Neglizhenca në këtë drejtim është më e rëndë nga sa duket. Dihet tashmë se gjatë një procesi hetimor, sekreti nuk është thjesht një kërkesë e zakonshme ligjore, por përbën parimin themelor, shtyllën mbi të cilën mbështetet procedura penale e një drejtësie në shoqërinë demokratike. Nëpërmjet sekretit në përgjithësi dhe atij hetimor në veçanti, drejtësia duhet të garantojë efikasitetin dhe ndershmërinë e procesit në respekt të prezumimit të pafajësisë.
Ndërkohë, nga ana tjetër, pavarësisht kërkesës ligjore për mbulim me sekret, shoqëria demokratike gjatë zhvillimit të saj, natyrshëm në dekadat e fundit ka kërkuar dhe kërkon rritjen e transparencës së procesit hetimor nga organet e ndjekjes penale. Këtu identifikohet, edhe mangësi të drejtësisë shqiptare pasi sekreti hetimor është kërkesë e ligjit, kurse transparenca është kërkesë sociale, një e drejtë për publikun e një vendi demokratik dhe ende nuk ka marrë përmasat e duhura. Kjo do të thotë se paralelisht me rritjen e kërkesës së shoqërisë për transparencë, rritet edhe detyrimi i ruajtjes së sekretit dhe jo vetëm të atij hetimor. E drejta e sanksionuar në procedurën penale, për të bërë publike pjesë të hetimit, respekton më së shumti “sekretin hetimor”, por jo atë profesional. Sekreti gjatë një procesi hetimor nuk mund të jetë as i përgjithshëm dhe as absolut, ndaj dhe ligji lejon bërjen publike nga ana e prokurorëve të momenteve të ndryshme të hetimit, por me disa kushte.
Kushti qëndron në faktin se sekreti nuk duhet të synojë vetëm mbrojtjen e ecurisë e procedimit, por duke qenë njëkohësisht edhe sekret profesional, ai duhet që në një vend të civilizuar, të synojë mbrojtjen jetës private të personave të përfshirë nën hetim. Në thelb pra sekreti duhet të ketë si synim, që nëpërmjet konfidencialitet në momentin e mbledhjes së materialeve dhe të përcaktimit të përgjegjësisë penale, të krijojë mundësinë që i hetuari të mos i nënshtrohet gjykimit paraprak të publikut nëpërmjet medias. Ai duhet të ndërtohet në qetësi dhe jo nëpërmjet presionit të ushtruar mbi gjithë zinxhirin hetimor. Botimi i akteve të ndryshme të hetimit në medie në Shqipëri, duket se bëjnë tërësisht të kundërtën. Sekreti dhe sekreti hetimor nuk janë në antagonizëm me transparencën. Kjo e fundit nuk është dhe nuk mund të jetë e kundërta apo ajo që dëmton sekretin.
Transparenca është e kundërta e një procesi hetimor hermetik. Nëse transparenca i jep institucionit më shumë besueshmëri publike për të cilën ka shumë nevojë, ruajtja e sekretit si hetimor dhe profesional, u jep më shumë kurajë individëve të proceduar që të bashkëpunojnë me drejtësinë. Pra, të dy komponentët duhen vlerësuar dhe asnjëherë të sakrifikohet njëri për hir të tjetrit. Por siç u shpreh edhe më lart, duhet gjetur ekuilibri i duhur. Dhe këtë ekuilibër mund ta gjejë vetëm institucioni i ngarkuar me drejtimin e hetimit dhe jo policia e as politika. Bërja e transparencës së një procesi hetimor kërkon që brenda institucioneve të ketë shërbime të specializuara të ngarkuara me komunikimin publik. Një gjë e tillë nuk mund dhe nuk duhet kurrë të “ garantohet” nëpërmjet “burimeve të brendshme” që gëlojnë në çdo procedim penal me interes publik. Duket qartë që “burimet e brendshme” e dëmtojnë në mënyrë katastrofike besueshmërinë e institucionit, sepse ato nuk janë tregues transparence.
Përse?
Sepse, në hetim konkurrojnë disa sekrete. Përveç sekretit hetimor i cili mbron hetimin dhe gjithë aktorët e tij, hetimi duhet të mbulohet edhe nga dimensioni sekret profesional, i cili kërkon që gjithçka e mësuar nga arsye profesionale, të mos të përdoret jashtë këtyre motiveve. Sekreti profesional ka për objektiv mbrojtjen e personit, i cili ndjen nevojën t’i hapet një profesionisti. Ai i jep besueshmëri këtij të fundit. Për fat të keq, është sekreti profesional ai që shkelet më rëndë. Ndërkohë që “burimi i brendshëm” përbën një minë me sahat për institucionin, duke vepruar në mënyrë tinëzare sipas parimit “hidh gurin dhe fshih dorën”. Ajo që ndodhi me dy ngjarje e përshkruara në krye, është tërësisht e kundërta e asaj që duhet të ndodh dhe që rrjedh nga parimet mbi të cilat ndërtohen themelet e një drejtësie në shoqërinë demokratike të civilizuar. Në të dyja rastet e mësipërme janë shkelur parimet e procedurës penale. Në të dyja rastet është proceduar abuzivisht nëpërmjet “burimeve të brendshme”, pra nuk është garantuar transparencë. Pjesë të jetës intime të oficerit të policisë u bënë ngado publike, pa u kujdesur për privatësinë e jetës së tij apo edhe për fëmijët. Madje, në këtë rast “burimi i brendshëm” dëshmon edhe zhvlerësim të vetë procedurës penale.
Çfarë kuptimi ka që fëmija adoleshent i oficerit të shoqërohet nga një psikolog në marrjen e dëshmive të tij dhe nga ana tjetër, gjithçka që ka folur mbi nënën e tij mori dhenë? Nesër ai mund të jetë dhe objekt bullizmi. Një rast ky, që dëshmon se sa dhimbshëm privatësia shkelet me këmbë. Kurse në rastin e vrasjes në Pogradec, në momentin e debateve publike PoliciProkurori, nga kjo e fundit nuk doli asnjë prononcim publik, por u veprua me burime të brendshme, me bërjen publike të disa momenteve hetimore nga ana e organit. Në këtë rast, komunikimi i hapur do të ishte më shumë se i rëndësishëm jo vetëm për ngjarjen në vetvete, por do të garantonte pikërisht transparencën lidhur edhe me dyshimet e shprehura për Policinë e Shtetit. Por duket qartë që organi i prokurorisë në këtë rast e ka më të lehtë të procedojë me “burime të brendshme” sesa me një komunikim zyrtar të çfarëdo lloji. Në këtë kontekst, mjafton të kujtojmë ngjarjen e mbytjes së një jahti luksoz në brigjet e Sicilisë dhe duke qenë se çështja ngjalli interes të madh publik, ishte prokurori ai që komunikoi publikisht me emër e mbiemër për të garantuar transparencën.